Kundër rifillimit të Bundesligës gjermane - Bota Sot
Kundër rifillimit të Bundesligës gjermane

Futboll

Kundër rifillimit të Bundesligës gjermane

Më: 23 maj 2020 Në ora: 13:47
Kundër rifillimit të Bundesligës gjermane

Sot do të luhet java e 27-të e Bundesligës ose e dyta pas rinisjes së shkaktuar nga pandemia e “COVID-19”. Teksa etja e tifozëve për futboll po shuhet pikërisht nga kampionati gjerman, ka edhe nga ata që janë kundër këtij vendimi të marrë nga krerët teutonikë.

Një nga personazhet që nuk e miraton hapin e hedhur nga gjermanët është Luis Enrike. 50-vjeçari i rikthyer në stolin e Spanjës pas tragjedisë së humbjes të së bijës, thumbon fort edhe Bundesligën.

“Futbolli duhet të jetë argëtim dhe personalisht e kam të vështirë ta kuptoj pa tifozë. Le të marrim si shembull kampionatin gjerman. Javën e kaluar rifilloi Bungesliga dhe ndeshjet që pashë m’u dukën të zymta. Heshtja që shkakton mungesa e publikut lejon që të dëgjohet gjithçka thuhet në fushë, madje edhe fyerje. Kjo, sipas mendimit tim, i heq intimitetin futbollit”, sqaroi Luis Enrike teksa ishte i ftuar në emisionin “Colgados del Aro”.

50-vjeçari nuk e kapërdin dot futbollin që Koronavirusi i ka servirur botës mbarë. Gjithçka i duket si fantazmë, madje edhe ky futboll që trajneri iberik duket se e ka të vështirë ta shohë si sporti të cilin e praktikoi gjatë gjithë jetës dhe i dha famën. Në deklaratën e tij, Enrike shtyhet edhe më tej duke bërë një paralelizëm që me gjasa do të gjenerojë shumë polemika: “Po e them hapur, për mua një ndeshje pa tifozë është si të kërcesh me motrën tënde.

Nga njëra anë e kuptoj fare mirë se futbolli është një biznes global që gjeneron shumë para dhe që interesat e palëve janë të shumta. Megjithatë, vazhdoj të mendoj se spektakli i ofruar pa tifozë është shumë i ndryshëm nga ai që jemi mësuar zakonisht.

Kjo lloj rinisjeje mund të ndihmojë që të kalohet koha e kufizimeve dhe masave shtrënguese me të cilat vazhdojmë të përballemi edhe sot. Nëse je një tifoz futbolli apo basketbolli, është gjithmonë interesante të shohësh një ndeshje, por tribunat bosh e ndërlikojnë gjithçka tej mase”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat