Rikthen në skuadër Vrapin

Futboll

Rikthen në skuadër Vrapin

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 12:46
Rikthen në skuadër Vrapin

Ka përfunduar pas 10 sezonesh aventura e Erando Karabecit me Tiranën. Kapiteni i bardhebluve, i cili ngriti në qiell trofeun e kampionatit mbrëmjen e 29 Korrikut, ka vendosur së bashku me klubin që të mos rinovojnë kontratën që ka përfunduar tashmë.

Vlen të theksohet se nuk ka patur shumë diskutime, pasi të dy palët kanë qenë dakord që kishte ardhur momenti për të ndarë rrugët mes tyre. Mesfushori 31-vjeçar, i cili si futbollist u formua tek Partizanit, erdhi tek bardheblutë në vitin 2009-të pikërisht nga “të kuqtë” për të mos u shkëputur më deri më sot.

Pas disa sezonesh i’u besua edhe shiriti i kapitenit, ndërsa ia doli të ngrejë tre trofe, Kupën në 2017-ën, Superkupën në po të njëjtin vit dhe trofeun e kampionit në sezonin e fundit. Karabeci nuk e braktisi skuadrën as kur ra në Kategorinë e Parë, por e ndihmoi të ringjitej menjëherë në Superiore.

Gjithsesi në sezonin që sapo përfundoi Karabeci e humb vendin e titullarit, duke luajtur vetëm 8 ndeshje në formacion në kampionat. Në këtë mënyrë pas 11 vitesh kapiteni dhe “anija” e tij bardheblu janë në dy dete të ndryshme.

Nuk është vetëm Karabeci një ish lojtar i Tiranës tashmë, por edhe Michael Ngoo. Anglezi në fund të kampionatit u shpreh se ishte i gatshëm të ulej ne bisedime me klubin dhe negociatat janë zhvilluar, madje i është propozuar edhe një rritje e pagës, por 27-vjeçari nuk e ka pranuar dhe në këtë mënyrë nuk do të vijojë më karrierën me bardheblutë.

Sulmuesi ishte një ndër figurat kryesore në triumfin në kampionat duke realizuar 12 gola ndërkohë që u shpall dhe asistuesi më i mirë i Superiores me 16 pasime vendimtare për gol.

Ngoo u bë pjesë e Tiranës në sezonin 2017-2018 kur skuadra ishte në ligën inferiore, ndërsa paraqitjet e mira në fushë i alternoi me veprime përtej limiteve jashtë fushës, duke ndezur edhe disa konflikte, siç ishte rasti me ish trajnerin Mema, apo edhe në përfundim të finales së Kupës ku pati një konflikt në dhomat e zhveshjes, gjithsesi është një humbje e rëndësishme për Tiranën sepse ishte një pedinë me vlera absolute tek kampionët e Shqipërisë.

Nuk ka vetëm largime, por edhe afrime, ose më saktë një rikthim. Jurgen Vrapi ka riveshur sërish fanellën e skuadrës ku u rrit si futbollist dhe ku debutoi si profesionist. Pas përvojave me Dinamon dhe edicionin e fundit me Flamurtarin, 24-vjeçari është rikthyer tek klubi i tij i zemrës dhe i është bashkuar menjëherë skuadrës bardheblu në stërvitje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat