Reagimi i Unitedit pas dënimit të Maguire nga gjykata greke

Futboll

Reagimi i Unitedit pas dënimit të Maguire nga gjykata greke

Më: 25 gusht 2020 Në ora: 22:08
Harry Maguire

Manchester Unitedi ka njoftuar se vendimi i gjykatës greke për fajësinë e Harry Maguire do të apelohet dhe klubi kërkon seancë të plotë dhe të drejtë në rastin e mbrojtësit anglez.

27-vjeçari është shpallur fajtor për shkaktim të lëndimit trupor, përpjekje të dhënies së ryshfetit, dhunës kundër punonjësve publikë dhe për fyerjes gjatë arrestimit në Mykonos.

Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe ishte deklaruar i pafajshëm, megjithatë gjykata greke vendosi kundër tij.

Maguire ka marrë dënim me kusht prej 21 muajsh e 10 ditësh, ndërsa ekipi i avokatëve të tij dhe Unitedi nuk do ta lënë me kaq.

“Manchester Unitedi deklarohet lidhur me vendimin e sotëm (e martë) të gjykatës greke. Harry Maguire është deklaruar i pafajshëm në të gjitha akuzat për kundërvajtje të bëra ndaj tij dhe vazhdon fuqishëm ta pohojë pafajësinë e tij”, thuhet në komunikatën e Djajve të Kuq.

Sipas klubit anglez, ekipit të mbrojtjes nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme që të përgatitet për rastin, si dhe kërkesa që procesi të shtyhej, është refuzuar.

Për këtë arsye, si edhe dëshmitë dhe refuzimin e akuzave, ekipi ligjor i Maguire do të bëjë apel ndaj vendimit – thuhet në reagimin e Unitedit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat