Kumbulla prezantohet te Roma: Një mundësi që nuk mund të refuzohej

Futboll

Kumbulla prezantohet te Roma: Një mundësi që nuk mund të refuzohej

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 18:13
Kumbulla prezantohet te Roma: Një mundësi që nuk mund të refuzohej

Paulo Fonseca sheh t’i kompletohet reparti i mbrojtjes, pasi pasditen e sotme u prezantua me fanellën e Romës blerja më e re, mbrojtësi 20- vjeçar i Kombëtares Shqiptare, Marash Kumbulla.

Ky i fundit mbërriti pasditen e djeshme në kryeqytetin italian dhe pasi kaloi me sukses të gjithë testet mjekësore, hodhi firmën mbi kontratën që do ta mbajë të lidhur për plot 5 sezone me skuadrën verdhekuqe dhe ku do të përfitojë rreth 2.2 milionë euro në sezon.

“Roma është një sfidë dhe mundësi që nuk mund të refuzohej. Më ka bindur projekti i këtij klubi dhe nuk kam pasur asnjë dyshim për të thënë po. Do të bëj gjithçka për të mos zhgënjyer personat që besuan te unë”, tha mbrojtësi 20-vjeçar shqiptar.

Transferimi i Kumbullës te Roma erdhi në mënyrë shumë të shpejtë, pasi vetëm dy ditë më parë verdhekuqtë arritën marrëveshjen me Veronën, të cilës do t’i japin edhe futbollistët Cetin, Cancellieri e Diaby, përveç një sasie parash.

Futbollisti shqiptar spikati në sezonin që lamë pas me fanellën e Veronës, klub ku edhe është rritur si lojtar, ndërsa me paraqitjet e tij tërhoqi vëmendjen e shumë skuadrave, por në fund vendosi të veshë fanellën e Romës.

Te verdhekuqtë Kumbulla pritet të luajë si titullar në krah të mbrojtësve aktualë Mancini e Ibanez, duke qenë se trajneri Fonseca ka shumë pak futbollistë në dispozicion në këtë repart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat