Sane debuton ndaj ish-skuadrës

Futboll

Sane debuton ndaj ish-skuadrës

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 15:26
Sane debuton ndaj ish-skuadrës

Edicioni 2020-2021 i Bundesligës ngre siparin këtë të premte me një supersfidë. 

Sot në mbrëmje Bayerni kampion në fuqi do të nisë misionin drejt titullit të 9-të radhazi me sfidën ndaj Schalke 04 në Allianz Arena në praninë e rreth 15 mijë shikuesve, pasi liga gjermane e futbollit me miratimin e qeverisë ka lejuar që në 6 javët e para të kampionatit, stadiumet të kenë tifozë në shkallë në masën 20% të kapacitetit. Bundesliga ishte e para që rinisi futbollin sezonin e kaluar pas ndërprerjes prej pandemisë dhe bëhet e para që lejon një numër tifozësh në masën 20% në shkallët e stadiumit duke qenë një hap përpara ligave të tjera të mëdha, si La Liga, Premier League dhe Serie A.

Në fakt tifozët më herët në stadiume i kanë lejuar Franca dhe Holanda por në këto shtete nuk hynë në impiant më shumë se 5 mijë persona pavarsisht kapacitetit të impiantit.

Pas suksesit të trefishtë sezonin e kaluar Bayerni i Flick nis një edicion të ri me dëshirën për të bërë sërish mirë dhe pse jo për të fituar gjithçka. Mesjavën e ardhshme bavarezët do të luajnë finalen e Superkupës së Europës ndaj Sevillas, por për momentin vëmendja është e gjitha ndaj Schalkes.

Edhe ky edicion do të ketë po një refren me ekipe si Dortmundi apo edhe Leipzig që do të bëjnë gjithçka për të ndalur hovin e Bayernit në rrugën drejt titulliut të 9-të radhazi. Sot do të jetë dita e debutimit të Leroy Sane në një ndeshje zyrtare me fanellën e kampionëve të Europës dhe do ta bëjë këtë ndaj skuadrës që e bëri të njohur në futbollin e madh, pikërisht ndaj Schalkes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat