Reja kundër Kosovës: Shqipëria luan gjithmonë për të fituar

Futboll

Reja kundër Kosovës: Shqipëria luan gjithmonë për të fituar

Më: 7 nëntor 2020 Në ora: 12:03
Reja kundër Kosovës: Shqipëria luan gjithmonë për të fituar

Pas prezantimit të listës me lojtarët e ftuar për ndeshjet e muajit nëntor, ndaj Kosovës miqësoren e datës 11 në Elbasan dhe dy sfidat kualifikuese ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë më 15 dhe 18 të këtij muaji, trajneri i Kombëtares, Edi Reja ka folur para mediave ku ka sqaruar gjithçka.

Trajneri përgjithësisht ka folur më shumë për mungesat që mund të jenë në Kombëtare, duke thënë se situata e krijuar nga Koronavirus, e shqetëson atë së tepërmi, për ndeshjet. Më tej ai shprehet se objektivi i Shqipërisë për dy ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve do të jetë vetëm fitorja, për të arritur edhe synimin që është kreu i grupit.


Mungesat- E dini që kemi pasur probleme, prej virusit, apo edhe për dëmtimet, si Mihaj, Strakosha, Bare, Çekiçi, Lenjani, Roshi, Vrioni, Kamberi, Mersinaj, Kamberi. Janë disa lojtarë që nuk do t’i kemi. Edhe Trashi është në pikëpyetje, sikurse edhe Vrioni. Gjasulën e presim. Ai luan të hënën dhe të martën do të shohim a do të vijë. Do flasim sërish në lidhje me listën në vijim. Personalisht kam folur me klubet italiane, edhe presidenti është munduar. Normalisht jam i shqetësuar për këtë situatë dhe për problemet që kemi me klubet. Në Itali mund të na nxjerin probleme, atje kanë rregulla të veçanta. Është një probleme i përgjithshëm që e kanë të gjithë. Kemi tre ndeshje tani, dy zyrtaret janë shumë të rëndësishme dhe do doja t’i kisha të gjitha. Deri të martën do të mund të kuptojmë se cilët do të jenë pjesë e kombëtares. Kam besim se do kemi lojtarët më të mirë në dispozicion.

Objektivat– Në dy ndeshjet e fundit në donim 4 pikë dhe morëm vetëm 2 pikë. Në ndeshjen e parë nuk bëmë mirë, por te e dyta ishim më mirë. Në dy ndeshjet e ardhshme kemi objektivin të fitojmë. Objektivi ka qenë gjithmonë vendi i parë në grup dhe do japim maksimumin ta arrijmë këtë.

Tifozët– Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira dhe të tjera jo të mira. Do duhej të fitonim në disa duele, në fushë duhet të japim 110 përqind për të arritur objektivin e grupit sepse kemi për detyrë t’i fitojmë ndeshjet e radhës për të kapur objektivin.  Ndeshjet pa tifozë nuk janë ndeshje natyrale futbolli. Do na ndihmonin dhe do ishim komod me tifozët tanë në stadium. Në fushë do japim maksimumin edhe pse pa tifozë. Është një futboll ndryshe dhe ne duhet të japim maksimumin për objektivin

Eksperimentet në ndeshjet e fundit- Ne në ndeshjet e fundit, kemi pasur mundësi të bëjmë disa prova. Brojës i kemi dhënë mundësinë, ka bërë shumë mirë. Kemi provuar Kallakun që e kemi parë në aksion. Ndeshja me Kosovën do më shërbejë për të parë lojtarët, por vendimtare do jenë ndeshjet në Ligën e Kombeve. Do jetë e rëndësishme vëllazërore, por shqetësimi im është se mezi pres të shikoj lojtarët që do të kem në dispozicion.

Kosova dhe e kaluara- Është një situatë ku nuk e shikoj me vend krahasimin e ndeshjes me 2018-ën, kur ishte Panuçi. Shqetësimi im është të kem të gjithë lojtarët. Dy ndeshjet zyrtare janë primare për mua, pa harruar rëndësinë ndaj Kosovës. Duam ët bëjmë një paraqitje të mirë. Këto 3 ndeshje kanë ardhur në një moment të vështirë të gjithë. Shqipëria luan gjithmonë për të fituar. Shpresoj që lojtarët që do të zbresin në fushë të japin maksimumin.

Ndryshimi i skemës- Skema mund të ndryshoje dhe ajo bëhet në varësi të lojtarëve që kemi. Deri tani mund të them se Veseli, Ismajli dhe Gjimshiti na kanë thënë se do vijnë. Nëse do ketë mungesa të tjera, unë do ta rishikoj skemën. Mund të provoj skema të ndryshme, p.sh 4-3-1-2. Moduli që kemi përdorur ka funksionuar, por në ndeshjen e fundit nuk ia dolëm të marrim fitoren. Patjetër mund të ketë ndryshim të skemës. Unë në karrierën time kam përdorur shumë skema dhe nuk jam i fiksuar pas 3-5-2. Megjithatë ekipi me këtë skemë më është përgjigjur mirë, por janë situata që mund të na bëjnë të ndryshojmë skemën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat