Shkëndija e Tetovës dhe Renova nga Xhepçishti i Tetovës triumfuan në Kampionatin e Maqedonisë. Shkëndija para shikuesve të vet e mposhti me rezultat 2:0 Sileksin nga Kratova, ndërsa Renova e tronditi Bregallnicën në Shtip, duke e mundur me rezultat 1:0. Kuqezinjtë dhuruan superlojë dhe falë golave të Ferhan Hasanit në minutën e 45+1 e Dino Megjedoviç në atë të 79-të gjunjëzuan Sileksin. Ndërkaq, futbollistët e Renovës dhanë maksimumin, treguan lojë të madhe dhe me golin e Muhamedin Useinin në minutën e 10-të mundën Bregallnicën, kjo e fundit ka qenë me një lojtar me pak nga minuta e 36-të kur Velkovski u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Shkupi pati ditë të keqe dhe u mund me 3:0 nga Vardari. Vardari kryeson me 44 pikë pas 19 jave, kurse Shkëndija është në vend të dytë me 40 sosh, Renova është në pozitën e pestë me 26 pikë dhe Shkupi renditet i teti me 16 sosh.