Juventusi triumfon në “San Paolo” dhe ngushton distancën me Napolin

Futboll

Juventusi triumfon në “San Paolo” dhe ngushton distancën me Napolin

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 23:29
Juventusi

Rikthehet Juventusi dhe rihap edhe njëherë betejën për titull, duke fituar në shtëpinë e kryesuesve të kampionatit, Napoli. Bardhezinjtë arritën të triumfojnë me rezultatin minimal 0-1 dhe të reduktojnë distancën me skuadrën e Sarrit, nga -4, në -1 pikë.

Sfida filloi e qetë, me Napolin që ushtronte presing dhe bardhezinjtë që tentonin të ulnin ritmin. Vendasit patën mundësinë e parë të mirë, por kapiteni Hamsik nuk arriti të godasë topin e servirur nga braziliani Allan. Skuadra e Allegrit përfitoi nga një kundërsulm në minutën e 11′ dhe gjeti golin e avantazhit, me ish sulmuesin e Napolit, Gonzalo Higuain.

Argjentinasi ishte në dyshim për këtë takim, por Allegri rrezikoi duke e hedhur në fushë dhe duket se bëri mirë. Napolitanët kërkuan të reagojnë menjëherë, por goditjet e sulmuesve napolitanë ishin të dobta, për të shqetësuar Buffonin. Pak minuta nga fundi i pjesës së parë, napolitanët goditën 2 herë rrezikshëm portën e Juventusit, por kapiteni i bardhezinjve reagoi mrekullisht, duke u mohuar golin.

Edhe pjesa e dytë pa si protagonist Napolin, që kërkonte të barazojë, por sulmuesit vendas nuk ishin konkretë në zonë. Në minutat e fundit, u dëmtua edhe Lorenzo Insigne, duke bërë që Napoli të humbë shumë nga fuqia e tij sulmuese. Bardhezinjtë nga ana tjetër, administrojnë mirë lojën dhe mbrojnë në mënyrë fanatike avantazhin që u dha Higuain.

Përfundon 0-1 për bardhezinjtë, të cilët marrin përkohësisht vendin e dytë me 37 pikë, 1 më pak se Napoli dhe 1 më shumë se Interi. Zikaltrit mund të jenë të fituarit e kësaj sfide, pasi kanë mundësi të katapultohen në vendin e parë, nëse mposhtin Chievon të dielën në Milano.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat