Shaqiri flet para ndeshjes me Napolin

Futboll

Shaqiri flet para ndeshjes me Napolin

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 17:58
Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri ka paralajmëruar shokët e skuadrës së tij se do të përballen me një ekip shumë të fortë të mërkurën mbrëma, kur Liverpool do luajë ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve.

‘Të Kuqtë’ fituan ndeshjen e tyre të parë në grup kundër Paris Saint Germain dy javë më parë dhe Shaqiri beson se udhëtimi i tyre në Itali do të jetë po ashtu i vështirë.

Anësori zviceran ka luajtur në Stadio San Paolo kur ai ishte lojtar i Interit gjatë një periudhe të shkurtër në vitin 2015, dhe e di se sa e frikshme mund të jetë atmosfera në ‘arenën e gladiatorëve’.

”Është gjithmonë e veçantë të luash në Napoli”, tha ai për Evening Standard. “Me Interin atë kohë ishte një derbi i madh – ata e urrenin njëri-tjetrin”.

”Para ndeshjes, në autobus, vërehej se kanë tifozë të çmendur. Ata janë një ekip i mirë, ata kanë luajtur së bashku për shumë vite”.

Shaqiri përpiqet të rezervohet në deklarata, duke shtuar: “Ne luajtëm kundër tyre në para-sezon dhe fituam 5-0, por kjo lojë do të jetë krejtësisht e ndryshme për të luajtur në stadiumin e tyre dhe për të marrë tre pikë”.

”Ata kanë shumë vite që luajnë së bashku tani, është e ngjashme me ekipin e Tottenham”.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Është gjithmonë e vështirë të fitosh një ndeshje në Napoli”, u shpreh Shaqa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat