Shillova: Kemi tejkaluar parashikimet!

Futboll

Shillova: Kemi tejkaluar parashikimet!

Nga: Kemajl Goca Më: 5 tetor 2018 Në ora: 19:15
Alban Shillova

Flamurtari nga Prishtina po befason me rezultate të mira dhe disa skuadrave iu doli edhe dardhë me bisht. As laiku më i madh nuk ka pritur se skuadra nga kryeqyteti do të renditet në vend të tretë me 15 pikë apo pesë me pak se lideri Feronikeli, pas tetë javë të luajtura deri me tash në IPKO Superligën e Kosovës. Sulmuesi i Flamurtarit, Alban Shillova, shpreson se do të vazhdojnë me këtë ritëm të rezultateve të mira dhe të jenë në pjesën e lartë të tabelës. Futbollisti mendon se grupi i mirë është edhe faktori kryesor që kanë arritur rezultate të mira dhe janë në pozitë të lartë. Synimet e kuqezinjve janë që javë pas jave të mbledhin sa më shumë pikë dhe të renditen në mes skuadrave më të mira.

“Bota sot”: Flamurtari vazhdon ecurinë e mirë, në 8 ndeshje, katër fitore, tre barazime e një humbje, janë tejkaluar të gjitha parashikimet?

Alban Shillova: Janë tejkaluar parashikimet, por nëse kthehemi dhe i shikojmë ndeshjet e Flamurtarit, e shohim se kemi mundur të kemi edhe 4-5 pikë më shumë, duke u bazuar në ndeshjet e fundit që kemi shfaqur.

“Bota sot”: Me çfarë syri e sheh Flamurtarin në vazhdim të kampionatit?

Alban Shillova: Të them të drejtën e shoh në pjesën e përparme të tabelës dhe besoj që e kemi treguar që e meritojmë të jemi aty.

“Bota sot”: A keni frikë se mund të futeni edhe në zonën e skuadrave që luftojnë për ekzistencë?

Alban Shillova: Jo, me lojën që kemi shfaqur në ndeshjet e fundit, si me Prishtinën po ashtu edhe me Gjilanin nuk kemi frikë. Në këto dy ndeshje kemi qenë më të mirë se kundërshtarët dhe kemi merituar fitoren.

“Bota sot”: Kundër Trepçës '89 në Mitrovicë, a shkoni pa presion dhe çfarë synoni?

Alban Shillova: Në çdo ndeshje jemi futur pa presion, pasi që i kemi përmbushur parashikimet e klubit dhe ashtu do të futemi edhe në ndeshjen me Trepçën ’89.

“Bota sot”: Çka e dallon më shumë Flamurtarin nga skuadrat tjera dhe a mund t'i rivalizojë në luftë për titull Feronikelin, Llapin dhe Prishtinën?

Alban Shillova: Besoj se e dallon grupi, jemi shumë shoqëri e mirë dhe luftojmë për njëri – tjetrin. Nuk kemi synime që t’i rivalizojmë për titull, kërkojmë të mbledhim sa më shumë pikë. Qëllimi ynë është të shfaqim lojë sa më të mirë kundër të gjithave skuadrave, duke përfshirë edhe këto për titull siç kemi bërë me Prishtinën edhe me Llapin.

IPKO Superliga-Java e 9-të

E shtunë

Ballkani-Ferizaj             15.00

Feronikeli-KEK-u           15.00

Drenica-Drita                15.00

Prishtina-Llapi              17.45

E diel

Gjilani-Liria                    15.00

Trepça ’89-Flamurtari            15.00

Liga e Parë – Java e 8-të

E shtunë

Fushë Kosova-Bashkimi

Dukagjini-Vitia

Onixi-Kika

E diel

Drenasi-Trepça

Vushtrria-Istogu

Vëllaznimi-Arbëria

2 Korriku-Besa

E hënë

Ramiz Sadiku-Vllaznia

Ndeshjet luhen në orën 15.00

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat