Sarri kryqëzon yllin e vet për humbjen me Tottenham, dorëzohet për titullin

Futboll

Sarri kryqëzon yllin e vet për humbjen me Tottenham, dorëzohet për titullin

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 17:04
Maurizio Sarri

Maurizio Sarri e ka zbrazur zhgënjimin e tij ndaj N’Golo Kante, pas humbjes 3-1 me Tottenham, në fundjavë, në kuadrin e Premier League. Blutë e Londrës morën humbjen e tyre të parë në kampionat, për këtë sezon, duke zhgënjyer në përplasjen me të besuarit e Mauricio Pochettino. Golat e Dele Alli, Harry Kane dhe Heung-Min Son iu dhanë “Spurs” tri pikët.

Dhe Sarri beson se Kante çaloi në skuadrën e tij, sepse mesfushori u përpoq ta zgjidhte ndeshjen vetë, duke e lënë mbrojtjen të ekspozuar. “Siç e dini, unë dua të luaj me një mesfushor qendror shumë teknik, Jorginho apo Fabregas”, – thotë Sarri.

– Nuk dua që Kante të veprojë në këtë pozicion. Por, Kante, në ndeshjen e fundit, dëshironte ta zgjidhte ndeshjen vetë, pas 15 minutave të para. Dhe veproi në mënyrë të gabuar. Ai humbi pozicionin e tij, sulmoi shumë, por mendoj se kjo nuk është një nga karakteristikat më të mira të Kante. Shpresoj që kjo të ketë qenë vetëm një reagim ndaj vështirësive”.

Kur u pyet nëse Kante ka nevojë për më shumë kohë, për ta kuptuar plotësisht rolin që i kërkohet të bëjë, Sarri u përgjigj: “Ndoshta. Ndoshta është vetëm një çështje kohe. Por Kante duhet të qëndrojë pranë Jorginhos, sidomos kur topi është në anën tjetër. Kur topi është në të majtë, ai duhet të qëndrojë shumë afër Jorginhos”.

Chelsea do të ndeshet me PAOK-un në Ligën e Europës, të enjten, përpara se të përplaset me Fulham në Premier League, të dielën. Dhe Sarri është i interesuar t’i shohë të tijtë duke reaguar, pasi pretendon se ndaj “Spurs” luajtën pa vendosmëri: “Nesër është një ndeshje e rëndësishme, sepse dua të shoh reagimin e skuadrës. Reagim bindës dua të shoh edhe në ndeshjen e ardhshme të Premier League. Dua të shoh që kemi mësuar nga gabimet tona”.

Humbja e Chelsea me “Spurs” e lë skuadrën e Sarrit në vendin e katërt të Premier League, aktualisht, shtatë pikë prapa liderit, Manchester City. Dhe trajneri italian e pranon se “qytetarët” janë një hap para skuadrës së tij, se nuk e mban dot ritmin e tyre, çka do të thotë se dorëzohet për titullin:

“Mesatarja e pikëve të deritanishme të Manchester City mund t’i shohë ata të marrin më shumë se 100 pikë në fund të kampionatit, kështu që është e vështirë për ne, që të vazhdojmë me një ritëm të tillë. Për momentin nuk duhet të bëjmë kësi llogarish. Para së gjithash, objektivi ynë është që të jemi ndër katër skuadrat e para të Premier League”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat