Nisin punimet në rregullimin e parkut të madh të Gjakovës

Gjakova

Nisin punimet në rregullimin e parkut të madh të Gjakovës

Më: 18 prill 2019 Në ora: 09:25
Nisin punimet në rregullimin e parkut të madh të Gjakovës

Kanë nisur punimet për rregullimin e parkut të madh të qytetit të Gjakovës. Në ceremoninë e fillimit të punimeve ka marrë pjesë edhe kryetari Ardian Gjini, i cili ka thënë se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Komunën e Gjakovës.

Ai u shpreh i lumtur për fillimin e realizimit të këtij projekti, pasi të njëjtin e llogarit si njërin prej projekteve më të përzemërta, e të cilit i ka qëndruar afër personalisht në të gjitha detajet.

Ndryshe, parku i madh i qytetit të Gjakovës pritet të jetë parku më unik në Kosovë, jo vetëm për shkak të madhësisë në sipërfaqe, por edhe për shkak të shumë veçorive të tjera që pritet t’i ketë.

Njëra prej karakteristikave të këtij parku do të jetë llojllojshmëria e bimësisë, pasi është llogaritur që në hapësirën e tij të mbillen të gjitha llojet e bimëve që rriten në Kosovë, përfshirë ato drunore, shkurrore dhe të pemishteve. 

Në brendësi të parkut është paraparë të ekzistojnë edhe dy kafeteri të vogla, një dyqan për shitjen e luleve dhe një librari, elemente këto që do t’ia shtojnë parkut karakterin e vendit për qëndrim rekreativ dhe edukativ. 

Parku do të jetë i rrethuar me një mur rrethues në lartësi prej 80 centimetra, ndërsa do të ketë 6 hyrje dhe dalje të ndryshme përmes 3 llojeve të portave.

Sipas projektit, portat dhe muri do t’i japin një karakter të veçantë në tërësi parkut, të gërshetuar edhe me elemente të tjera që e karakterizojnë pamjen e vjetër të qytetit të Gjakovës. 

I tërë projekti do të kushtojë 360 mijë euro dhe planifikohet të përfundojë brenda vitit 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat