Pacolli nga Gjakova: Vetëm unë jam dëshmuar për krijim të vendeve të punës

Gjakova

Pacolli nga Gjakova: Vetëm unë jam dëshmuar për krijim të vendeve të punës

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 20:11
Behgjet Pacolli

Aleanca Kosova e Re (AKR) sot shpalosi programin e saj politik e ekonomik para qytetarëve të Gjakovës, prej nga presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli tha se askush prej partive tjera nuk mund ta rikthejë industrinë e Gjakovës, përveç tij, që është dëshmuar me veprimtari ekonomike dhe me krijimin e 5 mijë vendeve të punës deri më tash në Kosovë.

Pacolli tha se qeverisja e koalicionit Nisma-AKR-PD ka vizion dhe plan për krijim të vendeve të reja të punës, mirëqenie, zhvillimin ekonomik dhe bujqësor për Gjakovën.

Pacolli: Jam i dëshmuar për krijimin e vendeve të punës

“Do të jetë e pamundur që ato fabrika të hapen prapë ashtu siç kanë qenë, për arsye se ideja është e fuqishme vetëm nëse i ka ardhur koha. E koha për ato fabrika ka kaluar, asnjë herë më nuk do të vijë ajo kohë, por për këtë unë i sfidoj të gjitha ata që vijnë dhe premtojnë çdo gjë, sepse unë kam dëshmuar se di të krijoj punë, veprimtari ekonomike, dhe deri më sot kam hapur pesë mijë vende të punës në Kosovë”, theksoi Pacolli.

Ndërsa, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik njëherësh kandidat për deputet, Valdrin Lluka, theksoi se me qeverisjen e AKR-së do të ketë ndryshime thelbësorë për punësim, ekonomi, arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

Lluka: Ne kemi vullnet dhe kemi program zhvillimor

“Në krye me presidentin Pacolli, kemi dëshmuar se edhe dimë dhe kemi vullnet, kemi program dhe jemi të ndershëm, por na duhet forca dhe forca është sovrani. Me qeverisjen e koalicionit tonë, dhe me planin tonë ekonomik, në Gjakovë do ta ndalojmë ikjen e trurit, do të punësojmë të rinj, do ta zhvillojmë industrinë dhe do ta kthejmë bujkun në fshat. Këtë do ta bëjmë përmes dhjetë shtyllave që i kemi në programin tonë që garantojnë thithje të investimeve të huaja”, deklaroi Lluka.

Për koalicionin Nisma-AKR-PD, foli edhe kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani i cili tha se më 6 tetor është një mundësi për qytetarët e Gjakovës dhe gjithë Kosovës, që ta votojnë këtë koalicion, për një shtet të zhvilluar e të përparuar ekonomikisht.

Agani: Ma mundësoni ta përfundoj reformën në sistemin shëndetësor

“E keni rastin që më 6 tetor, duke votuar numrin 122, t’ia mundësoni Fatmir Limajt udhëheqjen e qeverisë së vendit, t’ia mundësoni presidentit Pacolli ëndrrën e rinisë kosovare për shtet të zhvilluar e të përparuar ekonomikisht. Të ma mundësoni mua që ta përfundoj reformën e filluar të sistemit shëndetësor për vendin të ndërprerë në vitin 2014 dhe të shënojmë fillimin e sigurimeve shëndetësore”, deklaroi Agani.

Ndërsa, kandidatët për deputetë të kësaj komune shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për të punuar për zhvillimin dhe përparimin e Gjakovës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat