Radio Gjakova shënon 40-vjetorin e nisjes së punës - Bota Sot
Radio Gjakova shënon 40-vjetorin e nisjes së punës

Gjakova

Radio Gjakova shënon 40-vjetorin e nisjes së punës

Më: 9 nëntor 2019 Në ora: 06:58
Ilustrim

Radiostacioni lokal i Gjakovës, Radio Gjakova, shënon 40-vjetorin e nisjes së punës me një akademi solemne “Radio Gjakova 40 vjet me ju!” që mbahet sot në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Qyteti i Gjakovës i njohur për traditën që ka në fushën e arsimit dhe të kulturës ndër shekuj, në mbarim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar u pasurua edhe me mediumin e parë radiofonik, “Radio Gjakovën”, që u themelua nga Kuvendi i komunës.

Nga kjo periudhë e konstituimit të radiostacionit të parë në Gjakovë e deri më sot, kanë rrjedhur shumë ngjarje me të cilat është e lidhur ngushtë Radio Gjakova, duke qenë pjesë e përditshmërisë gjakovare, ashtu siç është e lidhur edhe historia e qytetit për tri dekada, nga se frymëmarrja e qytetit është pasqyruar përmes emisioneve dhe programeve të përgatitura në këtë medium informativ dhe argëtues.

Radio Gjakova filloi të dëgjohet në eter më 9 nëntor të vitit 1979 si medium i parë i informimit lokal në Gjakovë.

Që nga ajo ditë, zëri i Radio Gjakovës u bë pjesë e pandashme e përditshmërisë gjakovare, duke pasqyruar në mënyrë të denjë dhe të besueshme realitetin dhe rrjedhën e ngjarjeve në komunë, deri më 1991 kur nga forcat serbe u dëbuan me dhunë nga puna, duke u imponuar qytetarëve të Gjakovës, me afro 97 % shqiptarë, radio program në gjuhën serbe.

Me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë dhe të UÇK-së, më 14 Qershor 1999, Radio Gjakova ishte e para radio në Kosovë, që rifilloi punën duke i dhënë kështu popullatës një ndihmesë të madhe, në të gjitha drejtimet, në fazën e emergjencës.

Radio Gjakova, sot, funksionon në kuadër të OJQ “GJAKOVA” me seli në Gjakovë, e themeluar më 3 shtator 2001. Themelues të kësaj organizate janë punëtorët e radiostacionit lokal Radio Gjakova, i cili me plot sukses, po arrin të kryej misionin për informim të drejtë dhe me kohë të dëgjuesve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat