Haradinaj: Para 21 vitesh ranë heroikisht trimat më të mëdhenj të Dukagjinit

Gjakova

Haradinaj: Para 21 vitesh ranë heroikisht trimat më të mëdhenj të Dukagjinit

Më: 29 janar 2020 Në ora: 16:12
Daut Haradinaj

​Për të përkujtuar 30 dëshmorët e rënë me 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në fshatrat Bishtazhin, Goden dhe Rogovë të Hasit sot u mbajt edhe një akademi përkujtimore në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Rënia e këtyre dëshmorëve ishte humbja më madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi në këtë grup, ishin disa nga udhëheqësit më të mirë të luftës, në mesin e tyre edhe komandantët e shquar në rrafshin e Dukagjinit si Agron Rama e Agim Zeneli.

Përpos tyre, edhe dëshmorët Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetta, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Lipjani, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sejdi Ramaj, Sahit Krasniqi, Valon Gashi, Gaspër Karaqi, Zyber Shala, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Rifat Shala, Rrustem Morina, Selmon

Morina, Nesret Morina, Muhamet Morina dhe Adem Shala ranë kur po shkonin drejt kufirit për t’u pajisur me armatim.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-gjenerali i UÇK-së, Daut Haradinaj, tha se dëshmorët e rënë vunë themelin e lirisë së Kosovës.

Ai tha se rrugëtimi i atyre luftëtarëve që humbën jetën jo më kot njihet si rrugëtimi më i përgjakshëm i Ushtrisë Çlirimtare, pasi trimat më të mëdhenj të Dukagjinit kishin sakrifikuar jetën e tyre për atdheun.

Haradinaj: Ky rrugëtim njihet si rrugëtimi më i përgjakshëm

“Ky rrugëtim njihet si rrugëtimi më i përgjakshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Dukagjinit dhe jo rastësisht e ka marrë këtë epitet që atë ditë pothuajse burrat më të mëdhenj që i ka pasur Dukagjini kanë qenë në rresht. [...] Secili më trim se tjetri, secili më guximtar se tjetri e secili më luftëtar se tjetri dhe secili më i gatshëm për sakrificë. Dhe sot me të vërtetë është dhimbje e madhe, është humbje e madhe për shokë, bashkëluftëtarë sepse vëlla e shok e ke atë që e ke në krah në ditë të vështira. Por ajo që mund të themi është se krenaria është më e madhe se dhimbja. [...] Të jeni krenar Jabllanicë, Markallesh të jeni krenar Rugovë e Hasit sepse ata djem e kanë vu themelin e lirisë së Kosovës”, u shpreh Haradinaj.

Në emër të Komunës së Gjakovës në këtë ceremoni përkujtimore doli edhe kryetari Ardian Gjini i cili mes tjerash tha se heronjtë e dëshmorët e kësaj epopeje kanë qenë djemtë me të dalluar dhe kontribut dhënësit më të mëdhenj të luftës.

Ai theksoi se të gjithë ne duhet të marrim obligime shtesë që ëndrrën e tyre për një Kosovë të zhvilluar ta bëjmë realitet.

Gjini: Këta luftëtarë ishin të jashtëzakonshëm

“Në mesin e të rënëve në këto tre ditë ka pasur luftëtarë të jashtëzakonshëm, secili prej tyre ka qenë luftëtar i jashtëzakonshëm, kanë qenë djemtë më të zot që mundet t’i ketë një popull, bashkë me vëllezërit e tyre dhe me shumë bashkëluftëtarë që sot janë këtu. Sidoqoftë 21 vite pas, këto ditë duhet të na mbushin me energji, me entuziazëm, duhet të na përkujtojnë që secili prej nesh sot e kemi kokën lart, e mbajmë kokën lartë për shkak të atij gjaku. Këta djem që ne sot i përkujtojmë janë prej të gjitha trojeve tona, nuk janë veç prej një vendi, por njëri-tjetrin e kanë pasur më vëlla se këdo tjetër e kanë nda mes veti edhe plumbin, edhe gjakun, edhe bukën edhe gjithçka. Ato ditë të lavdisë të cilat i ka përjetuar populli dhe këta djem , prapë duhet me qenë përkujtim i yni i përhershëm se krejt çka gëzojmë sot ia kemi borxh njerëzve të cilët në kohen më të zorshme kanë mar rë guximin të ballafaqohen me okupatorin”, u shpreh Gjini.

Në nderim të dëshmorëve, fjalë rasti kanë mbajtur edhe gjenerali tjetër i UÇK-së, Lahi Brhaimaj si dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat