Përgatitjet për zgjedhjet komunale në komunën e Gjakovës

Gjakova

Përgatitjet për zgjedhjet komunale në komunën e Gjakovës

Më: 10 tetor 2021 Në ora: 20:16
Foto ilustrim

Rreth 115 mijë qytetarë të Gjakovës kanë të drejtë të hedhin votën e tyre për zgjedhjet komunale të 17 tetorit në Kosovë. Në luftë politike për këtë votë janë vënë një pjesë e konsiderueshme e partive politike, ndërsa konkurrenca më e fortë mbetet e njëjtë sikurse në zgjedhjet e kaluara, ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Komuna e Gjakovës, e cila dikur njihej si një nga zonat më të zhvilluara të Kosovës, pas luftës së fundit, sipas vëzhguesve, ka ngecur.

Intelektualë, ekonomistë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile thonë se kjo gjendje duhet të ndryshojë.

Profesori nga Gjakova, Malush Tullumi, thotë se qeverisja lokale e ka për detyrë që të krijojë parakushte për zhvillim ekonomik lokal.

“Të krijojnë parakushte që të rinjtë të kenë mundësi të zhvillojnë biznesin e tyre dhe që me punën e tyre ta dojnë këtë vend dhe të krijojnë mirëqenien e tyre materiale në vendin ku jetojnë dhe veprojnë. Sfidë sepse shumica e të rinjve të gjithë janë duke menduar që të lëshojnë këtë vend, nëse ne nuk ju krijojmë parakushte, nëse ata nuk do ta shohin që në një shoqëri të caktuar, në një lokacion apo të krijojnë mirëqenien e vet materiale me punën e tyre atëherë çdo aktivitet tjetër është i pakuptimtë”, thotë ai.

Ideal Zhavelli që udhëheq shoqatën “Activism Roots”, thotë se problemi kryesor është ikja e të rinjve dhe kjo sipas tij është shumë e shprehur në komunën e Gjakovës.

“Me largimin e të rinjve e gjithë Kosova po ka problem, gjithë Ballkani ndoshta ka problem, por është diçka specifike largimi i të rinjve në Gjakovë është edhe brenda Kosovës pra largimi në Prishtinë apo komuna tjera që ofrojnë punë. Punësimi në Gjakovë është tejet i vogël ose zgjedhjet për punësim janë tepër të vogla pra janë 3 apo 4 fusha ku ofrohen vende të punës të cilat nuk po mundem të rinjtë të gjejnë vetën apo punën”, thotë ai.

Ai thotë se udhëheqja komunale duhet ta ndryshojë këtë trend duke ofruar mbështetje për të rinjtë.

“Kemi shumë raste të suksesit në Prishtinë ku kanë biznese të rinjtë e Gjakovës dhe duhet gjetur mënyra se si t’i kthejmë. Mundet të hiqet taksa komunale, mundet të gjinden hapësira të cilat të cilat mbështetën nga komuna ose edhe të ofrohet “Start Up” për të rinjtë për së paku një vit por gjithashtu mbështetje për të rinjtë tjerë që në bazë të iniciativave të veta, grupe joformale që të që me i zhvillua aktivitetet e veta por gjithashtu edhe organizata joqeveritare që kanë ide specifike të cilat kishin mundur të bëjnë në komunën e Gjakovës.

Udhëheqësi i Shoqatës së intelektualëve “Jakova”, Ruzhdi Sefa thotë se problemet në Gjakovë janë të shumta dhe nuk kanë të bëjnë me shtrimin e rrugëve por me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Nga udhëheqësia dhe udhëheqja e ardhshme në komunën e Gjakovës presim dhe kërkojmë që të jenë të angazhuar 20 orë por edhe ato katër orë që i kanë menduar për të pushuar dhe fjetur të shohin ëndrra për atë çka i pret nesër, kjo besoj ngërthen në vete vlerësimet se cilën e kemi gjendjen në Gjakovë”, tha ai.

Ai thotë se është brengosës largimi i të rinjve nga Gjakova.

“Edhe sot e kësaj dite diskutohet për ky fshat nuk ka ujë, kjo zonë nuk ka kanalizim, kjo shkollë pikon gjatë dimrit ose nuk ka nxemje e të ngjajshme. Kanë kaluar 21 vjet, kjo periudhë nuk mund quhet trazitore, dihet nocioni tranzicion nuk është ajo më tepër se 3 apo 4 vjet, por 21 vjet edhe më tutje të arsyetohemi me atë se jemi në fazën e tranzicionit dhe thua se në këtë vend çdo gjë ka filluar prej zeros”, tha zoti Sefa.

Profesori Malush Tullumi thotë se udhëheqja e ardhshme e komunës duhet të fillojë reforma të thella ekonomike për të përmirësuar gjendjen e të rinjve.

“Duhet të fillojmë t’i edukojmë ata që të mësohen të krijojnë vende të punës vet, të vetpunësohen së pari dhe nga ana tjetër qeveria duhet të krijojë parakushtet që këta njerëz aktivitetet e tyre t’i zhvillojnë pa telashe, pa pasur frikën nga qeveria, pa pas frikën nga korrupsioni, apo nga cilido person që i vjen nga jashtë sepse qeveria apo shteti ja ka krijuar parakushtet, do ta mbrojë para ligjit, para korrupsionit dhe do ta mbrojë me funksionimin e shtetit ligjor”, tha ai.

Kandidatët e partive politike që luftojnë për pushtetin në këtë komunë thonë se do të punojnë që Gjakovën ta shndërrojnë sërish në një komunë që do të radhitet mes zonave më të zhvilluara në Kosovë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat