INPO: Komuna e Gjakovës kundërligjshëm zgjatë procesin e vlerësimit të tenderit, për pasojë aktiviteti i prokurimit duhet të anulohet

Gjakova

INPO: Komuna e Gjakovës kundërligjshëm zgjatë procesin e vlerësimit të tenderit, për pasojë aktiviteti i prokurimit duhet të anulohet

Më: 12 prill 2022 Në ora: 14:57
Komuna e Gjakovës

INPO reagon kundër shkeljeve ligjore dhe procedurale në tenderin me titull “Pajimet dhe sinjalizimi trafikut rrugor” të udhëhequr nga Komuna e Gjakovës dhe kërkon që ky tender të anulohet dhe të sigurohet integritet dhe sundim i ligjit në prokurimet publike të Komunës së Gjakovës.

Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, INPO është duke e monitoruar edhe aktivitetin e prokurimit të iniciuar nga Komuna e Gjakovës me titull “Pajimet dhe sinjalizimi trafikut rrugor”, me numër të prokurimit 632-21-8848-1-1-1 dhe vlerë të parashikuar 200,000 euro.

Më 9 nëntor 2021, Komuna e Gjakovës ka publikuar njoftimin për kontratë. INPO ka gjetur se komuna ka vepruar në kundërshtim me ligjin gjatë vendosjes së afateve për pranimin e tenderëve, ku këtë afat e ka shkurtuar nga katërdhjetë (40) ditë sa është minimumi i lejuar me ligj, në njëzet e një (21) ditë, duke përdoruar “urgjencën” si arsyetim. Sipas komunës, shkurtimi i afateve për pranim të tenderëve është bërë: “Duke u bazuar në rëndësinë që kontrata e sinjalizimit ka për mirëmbajtje të rrugëve po ashtu duke u bazuar në pozicione të kësaj kontrate të cilat ndërlidhen me projekte që tash më kemi nisur siç janë shtyllat lëvizëse anti-park, ekranet për informim të trafikut ndriçimi i vendkalimeve për këmbësorë.” Sipas ligjit ky arsyetim nuk është i pranueshëm, rrjedhimisht me këto veprime komuna ka kufizuar në mënyrë të kundërligjshme afatet për tenderim për operatorët ekonomik.

Më 2 dhjetor 2021 është publikuar procesverbali i hapjes publike, ndërsa më 7 dhjetor janë emëruar anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave. Për këtë aktivitet kanë aplikuar katër (4) operatorë ekonomik. Më 10 janar 2022, komisioni kishte kërkuar sqarime shtesë prej të gjithë OE-ve. Të gjithë kishin ofruar sqarime, përveç OE-së “N.Sh.T. VIKTORY COM” i cili më 17 janar kishte kërkuar nga komuna shtyrjen e afatit për dhënie të sqarimeve edhe për një javë tjetër, me pretekstin se “kompanitë me të cilat bashkëpunon ky OE janë ndërkombëtare dhe gjenden në pushim dhe për rrjedhojë nuk mund të jep sqarimet e kërkuara derisa ata të kthehen në punë.”

Më 18 janar, Komuna e Gjakovës i drejtohet Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP)  me kërkesë për interpretim të nenit 72 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), respektivisht ka kërkuar interpretim se a i lejohet që t’i ofroj afat shtesë  OE-së në fjalë sipas kërkesës së tij.

Ndërkaq, KRPP më 27 janar jep këtë përgjigje për Komunën e Gjakovës: “Dispozitat e LPP-së dhe legjislacionit sekondar, nuk e parashohin një çështje të tillë (vazhdimin e afatit në lidhje me sqarimet shtesë), megjithatë KRPP konsideron se nëse autoriteti kontraktues e vlerëson kërkesën e operatorit ekonomik si të arsyeshme, atëherë mund ta aprovoj kërkesën e operatorit.”

INPO shpreh indinjatë të thellë rreth papërgjegjshmërisë  dhe verbërisë së KRPP-së ndaj Komunës së Gjakovës, e cila përveç se nuk ofron përgjigje dhe interpretime të qarta dhe të drejta të ligjit të cilat do t’i shërbenin të gjitha autoriteteve kontraktuese, ajo poashtu nuk i tërheqë vërejtjen komunës rreth tejkalimit të afateve ligjore për vlerësimin dhe ekzaminimin e tenderëve. Tejkalimi i afateve ligjore për vlerësimin e tenderëve përbën shkelje të LPP-së. Këtë e ka konfirmuar edhe KRPP-ja përmes një përgjigje/interpretimi të nenit 41.2 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik (RrUOPP), të kërkuar nga INPO më 30 mars 2022.

Më 14 shkurt, konkretisht pas shtatëdhjetë e pesë (75) ditëve nga hapja e tenderëve, Komuna e Gjakovës, i kërkon përsëri sqarimet e njëjta OE-së N.Sh.T. VIKTORY COM. Pas kërkesës së dytë, OE i jep sqarimet më 18 shkurt.

INPO më 21 shkurt në Komunën e Gjakovës ka parashtruar kërkesë për qasje në dokumente publike. Ndërkaq, komuna më 1 mars, ka kërkuar afat shtesë për dhënien e qasjes në dokumente publike, ndërsa më 8 mars na ka njoftuar se refuzohet qasja me arsyetimin se “Ende nuk ka përfunduar në tërësi procesi i tenderues për lëndën e kërkuar. Materialet e kërkuara mund t’i keni në dispozicion në momentin që përmbyllet në tërësi procesi tenderues dhe shpallet fituesi i këtij tenderi”. INPO më 9 mars ka parashtruar ankesë në drejtim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për refuzim të kërkesës për qasje në dokumente publike, ndërsa më 15 mars komuna ka ofruar qasje në dokumente..

Tutje, INPO njofton opinioni publik se përkundër se kanë kaluar njëqind e tridhjetë e një (131) ditë që nga data e hapjes së tenderëve, Komuna e Gjakovës, ende nuk ka bërë vlerësimin e tenderëve, përkatësisht nuk ka rekomanduar ndonjë OE për kontratë. Këto mosveprime të Komunës së Gjakovës, përveç që përbëjnë shkeljeve të dispozitave të LPP-së dhe rregullave të prokurimit, me arsye ngrisin dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar më qëllim të përfitimit për vete apo për persona të tjerë, keq menaxhim të buxhetit dhe shërbime jo cilësore për qytetarët.

Andaj, INPO i bën thirrje kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe zyrtarit përgjegjës të prokurimit që të sigurojnë sundimin e ligjit dhe integritetin e procedurave të prokurimit, përkatësisht duke u bazuar në nenin 45.5 të RrUOPP, ta anuloj në tërësi këtë aktivitet të prokurimit, në mënyrë që të kthehet ligjshmëria dhe besimi i publikut në këtë tender.

Po ashtu, INPO kërkon nga KRPP-ja që të jetë me e angazhuar dhe të ushtroj me integritet të plotë profesional autorizimet e saja ligjore dhe të siguroj se Ligji për Prokurim Publik respektohet dhe implementohet me rigorozitet nga autoritetet konktraktuese.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat