Vendoset gur themeli për ndërtimin e çerdhes në lagjen Rezinë të Gjakovës

Gjakova

Vendoset gur themeli për ndërtimin e çerdhes në lagjen Rezinë të Gjakovës

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 16:33
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pas ceremonisë së vendosjes së gur themelit për ndërtimin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët në Ponoshec të Gjakovës, po sot, u vendos edhe gur themeli për ndërtimin e çerdhes në lagjen Rezinë të kësaj komune, po ashtu investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë ceremoni, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm, për shkak se të gjitha studimet kanë treguar që suksesi në shkollat fillore është i lidhur drejtpërsëdrejti me suksesin që kanë treguar fëmijët në shkollimin parashkollor, pra çerdhe. 

“Edukimi parashkollor është vendimtar për suksesin e mëtutjeshëm në arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve” u shpreh ai. 

Objekti dykatësh, me gjithsej 1400 metra katror, është i planifikuar për 150 fëmijë. Ai do të këtë shtatë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit për fëmijë, hapësirën për qëllime të ndryshme, kuzhinën, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratës dhe një hapësirë shtesë teknike. 

Sipas kontratës, koha e realizimit të këtij projekti është 24 muaj, ndërkaq vlera e investimit është rreth 759 mijë euro. 

Gjatë ditës, kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar nga ministrja  e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në fund të muajit shtator ishin nënshkruar kontratat për ndërtimin e pesë çerdheve të reja në Prishtinë, Gjilan, Miresh të Gjilanit, Kamenicë dhe Gjakovë, të cilës iu vendos gur themeli sot.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat