Së shpejti binjakëzim ndërmjet Gjakovës dhe Ferrares

Gjakova

Së shpejti binjakëzim ndërmjet Gjakovës dhe Ferrares

Më: 18 maj 2025 Në ora: 16:16
Pamje nga takimi

Komuna e Gjakovës ka njoftuar se një delegacion nga kjo komunë, i udhëhequr nga kryesuesja e Kuvendit, Arbënesha Kuqi, realizoi një vizitë zyrtare në qytetin e Ferrares, me iniciativën e Shoqatës “Vatra”, komunitetit shqiptar në qytetin e Ferrares dhe kryetarit të shoqatës Ben Kulli, si dhe me ftesën e kryetarit të qytetit të Ferrares, Alan Fabbri.

Sipas njoftimit, pjesë e delegacionit ishin drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adea Roka Pylla, drejtoresha e Arsimit, Eranda Kumnova Baçi dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ferdinand Kolaj. Ndërkaq delegacioni u prit ngrohtësisht nga Franceska Savini, drejtoreshë në Drejtorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe përfaqësues të drejtorive për arsim, kulturë dhe trashëgimi.

“Ferrara, një nga qytetet më të rëndësishme mesjetare të Italisë, është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 1995. Me mbi 131 mijë banorë dhe shumë ngjashmëri historike e kulturore me Gjakovën, ky qytet përfaqëson një partner të rëndësishëm për bashkëpunim të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera thuhet se gjatë vizitës, delegacioni i Gjakovës prezantoi potencialet kulturore, arsimore dhe ekonomike të qytetit, duke diskutuar njëkohësisht mundësitë konkrete për binjakëzimin e dy komunave. U theksua rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta në fushat e arsimit, rinisë, kulturës dhe zhvillimit ekonomik, duke hapur horizonte të reja për qytetarët e të dyja vendeve.

Po ashtu theksohet se një tjetër hap i rëndësishëm në këtë drejtim është nënshkrimi i Paktit të Miqësisë ndërmjet dy kryetarëve të qyteteve, Ardian Gjini dhe Alan Fabbri, i cili pritet të ndodhë së shpejti, e që do të shënojë fillimin e fazave procedurale drejt finalizimit të marrëveshjes për binjakëzim ndërmjet Gjakovës dhe Ferrares.

"Ky partneritet i ri hap dyer për shkëmbime kulturore, arsimore dhe zhvillim të përbashkët për të dy qytetet tona!", thuhet tutje në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat