Të rënët, bazamenti i shtetit të Kosovës

Gjakova

Të rënët, bazamenti i shtetit të Kosovës

Më: 29 janar 2017 Në ora: 07:59
Manifestimi i organizuar në Rogovë të Hasit

(E plotësuar) - 29 janari është një datë e rëndësisë së veçantë për banorët e Rogovës së Hasit, por edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan për lirinë e vendit. 18 vite më parë, 21 dëshmorë dhe 9 martirë ranë heroikisht për lirinë që e gëzojmë sot.

Pikërisht sot në 18 vjetorin e rënies së tyre, Komuna e Gjakovës së bashku me Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së organizuan manifestim në nder të kontributit që dhanë këta dëshmorë dhe martirë te vendit.

Po në këtë ditë, u bë edhe inaugurimi I Kompleksit Memorial “Varrezat e Dëshmorëve” në Rogovë të Hasit, i cili është investim në vlerë prej 50 mijë euro nga Komuna e Gjakovës.

Për të bërë homazhe këtu, erdhën veteranë të luftës, përfaqësues komunalë, deputetë, dhe familjarë. Ata që morën fjalën nuk lanë pa përmendur mungesën në këtë ditë, të ish komandantit të zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila

Kusari Lila: Gjërat që i bënë serbët iu veshën shqiptarëve

“Të mbajmë amanetin e tyre, të vazhdojmë tutje me më shumë punë. Sot nuk jemi bashkë këtu, na mungojnë disa, na mungon komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Për gjërat të cilat janë bërë vazhdimisht nga okupatori serb, sot iu veshën shqiptarëve. Ky vend duhet të na rikujtojë neve se sa shumë punë kemi për të bërë, ky vend duhet të na rikujtoj që amaneti i tyre nuk është plotësuar tërësisht“, tha ajo.

Deputeti Lah Brahimaj tha se duhet të punohet shumë për dëshmorët dhe shtetin e Kosovës.

Brahimaj: Nuk po bëjmë punë të mira

“Këta dëshmorë do të flenë të qetë kur Kosova është mirë, a po e bëjmë ne punë mirë që këta dëshmor të flenë të qetë, unë besoj që jo” tha ai.

Kurse, nëna e dëshmorit, Zarife Morina kaluan 18 vjet sikur të ishin 18 orë, pasi kujtimi për të rënët nuk harrohet kurrë.

Morina: Serbët morën shpirtra të ri e të vjetër

 “Ka qenë tragjedi nga dysheku, 4 meshkuj me i marrë për këtë tokë, për këtë liri, për këtë popull, sot me gëzuar rinia jonë me ecë përpara se krimineli na ka kap përpara dhe nuk ka pyetur që jemi në vend dhe tokë tonë dhe me të drejtat tona por ai idiot bëri çka deshi, masakroi, morri shpirtra të ri e të vjetër, gra e fëmijë”, tha ajo.

Në fund u recituan poezi kushtuar atyre që dhanë jetën për liri, në datën e 29 janarit.

Më pas ata vazhduan për në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, ku u mbajt një akademi përkujtimore.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj, ka  folur para të pranishmeve në emër të ish kryeministrit të Kosovës, kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj.

Lekaj tha se ish komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka dëshmuar disa herë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, gjë që është vulosur edhe në gjykimin e tij në Hagë.

Lekaj: Ramushi mori vulën e pastërtisë në Hagë

“Ka pasë dëshirë që të jetë në mesin tuaj dhe ti thotë disa fjalë për dëshmorët për heronjtë, luftëtarët që janë vula e shtetit vula e sakrificës, vula e guximit. Padrejtësisht sot Ramushi gjendet i ndaluar në Francë me fletarreste të një regjimi të vitit 2004, ku Ramushi e mori në Hagë vulën e pastërtisë”, tha Lekaj.

Ai shtoi se Haradinaj  po paguan faturën e atyre që bëjnë pazare jo në të mirë të Kosovës, por në emër të atyre që duan  t’i nënshtrohen siç tha ai një regjimi të Millosheviqit.

Lekaj: Ramushi nuk dorëzohet, sepse udhërrëfyes i tij janë dëshmorët që ranë për liri

“Familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë, nga këtu ju themi se Ramushi nuk dorëzohet, sepse udhërrëfyes i tij janë dëshmorët që ranë për liri”, tha Lekaj.

Në emër të organizatave të dala nga lufta, Dervish Tahiri, tha se në këto përkujtime kanë ndjenja të përziera.

Tahiri: Kemi ndjenja të përziera

“Në datat e tilla kur nderojmë dëshmorët e kombit i kemi ndjenjat e përziera në anë tjetër e kemi ndjenjën e krenarisë me ju familjarë që lindët dhe rritet bijtë që ditët t’i dalin zot vendit dhe në anën tjetër e kemi ndjenjën e dhimbjes se sa të nevojshëm do të ishin për të sotmen”, tha ai.

Në fund të kësaj akademie, ishte shoqëria kulturore “Zëri Dardan”, ajo e cila interpretoi një monolog, kushtuar 30 dëshmorëve dhe martive të Rogovës së Hasit. 

Gjakova nderon dëshmorët

Komuna e Gjakovës dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së sot organizojnë aktivitetet në nderim të 27 dëshmorëve dhe 3 martirëve të rënë 18 vite më parë.

Për ndër të dëshmorëve, në Rogovë të Hasit bëhen homazhe te varret e dëshmorëve dhe bëhet përurimi i “Kompleksit Memorial”. Kurse do të mbahet edhe një akademi përkujtimore në Gjakovë për të nderuar të rënit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat