Fillon ndërtimi i shtëpive për gjashtë familje në Gjakovë

Gjakova

Fillon ndërtimi i shtëpive për gjashtë familje në Gjakovë

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 16:37
Fillon ndërtimi i shtëpive për gjashtë familje në Gjakovë

Për 18 vite jetuan në barakat e Erenikut, në kushte shumë të vështira jetësore, por që këto gjashtë familje deri në tetor pritet të bëhen me shtëpi të tyre falë donacionit holandez, Fondacionit “New day impact”.

Sot është vënë gurthemeli i ndërtimit të këtyre gjashtë shtëpive për familjet e rasteve sociale në Komunën e Gjakovës.

Nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Armend Vokshi, tha se është i lumtur që këto gjashtë familje do ta presin dimrin në shtëpi, të cilat do të jenë sipas standardeve bashkëkohore.

Vokshi: Kemi punuar që t’i mbledhim fondet e mjaftueshme

“Në fakt sot është gurthemeli i fillimit të ndërtimit të gjashtë shtëpive për familjet e rasteve sociale, të cilat tash e 18 vite kanë jetuar në barakat e Erenikut siç i kemi quajtur në komunën e Gjakovës, në ambiente dhe në kushte shumë të vështira jetësore. Duke falënderuar edhe fondacionin “New day impact”, e cila është nga Holanda në bashkëpunim edhe me komunën e Gjakovës tash e dy vite jemi duke punuar dhe kemi punuar që t’i mbledhim fondet e mjaftueshme që komuna në këtë rast të ndajë një parcelë për këto raste sociale. Ndërsa, fondacioni “Neë day impact” të bëjë ndërtimin e shtëpive sipas ligjit për financimin e programeve të veçanta për këto familje që lumturia apo kënaqësia më e madhe është që këtë dimër këto familje do ta presin me shtëpi të cilat janë me standarde bashkëkohore”, tha ai.

Ndërtimi i shtëpive do të bëhet nga donacioni holandez, përkatësisht Fondacioni “New Day Impact”, me bashkë participimin e Komunës së Gjakovës, e cila ka dhënë në shfrytëzim për 99 vite pronën komunale.

Përfaqësuesi i fondacionit holandez “New day impact”, Poul Matla pasi falënderoi komunën e Gjakovës për dhënien e mundësisë së investimit, uroi përfituesit e shtëpive të reja.

Matla: Projektin e kemi filluar para dy vjetësh

“Për ne është nder të jemi këtu, pasi që para dy vjetëve kemi nisur me projektin dhe ne kemi takuar disa familje që jetonin në baraka. Është nder që kemi familjet këtu. Ne kemi nisur projektin duke iu falënderuar Armendit, Mimozës, Jetonit, i cili na ka ndihmuar shumë këtu për të ndodhur kjo dhe gjëja më e lumtur për ne është se familjet mund të rrinë këtu, se në dimër do të kenë strehë”, ka thënë Matla.  

Ndërsa, Pastor Jeton Sokoli nga Kisha “Rilindja”, tha se janë të lumtur që ankthi i këtyre familjeve për një dimër të vështirë është duke përfunduar.

Sokoli: Dinjiteti më në fund po iu kthehet këtyre familjeve

“Jemi shumë të lumtur që si kishë kemi pasur mundësinë të jemi me këto familje që 16 vite edhe më në fund jemi falënderues Zotit që po e shohim që ankthi i këtyre familjeve për një dimër të vështirë është duke përfunduar dhe dinjiteti më në fund po iu kthehet këtyre familjeve. Jemi shumë të gëzuar që ato që jemi lutur dhe kemi shpresuar që 18 sot pe shohim  në realitet”, tha Sokoli.

Një nga gjashtë familjet që do të hyjnë në shtëpi të reja është edhe ajo e Gjyke Kuqit, e cila me gjashtë anëtarë për 18 vite kishte jetuar në baraka.

Kuqi: Unë jam e kënaqur

“Unë jam e kënaqur, faleminderit prej shoqatës dhe e përshëndes edhe Mimozën, Armendin, gjithë që kanë ecur për mua, jam e kënaqur zoti i bekoftë”, tha Kuqi.

Ndryshe, sipas planit dinamik ndërtimi i këtyre shtëpive pritet të përfundojë në tetor.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat