Haradinaj: Të mos varemi nga askush për ujin e pijes - Bota Sot
Haradinaj: Të mos varemi nga askush për ujin e pijes

Gjakova

Haradinaj: Të mos varemi nga askush për ujin e pijes

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 15:04
Ramush Haradinaj, gjatë inaugurimit të fazës së dytë të Impiantit të Ujit për Pije në Komunën e Gjakovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë inaugurimit të fazës së dytë të Impiantit të Ujit për Pije në Komunën e Gjakovës, deklaroi se ‘në këtë vend luftërat nuk do të ndodhin për naftë, por lufta për jetën cilësore do të jetë lufta për ujin’.

Duke falënderuar qeverinë gjermane dhe atë zvicerane për kujdesin e madh dhe përkrahjen për këtë investim në ujë të pijshëm, Haradinaj tha se është me rëndësi për vendin që të krijojë alternativa të ujëmbledhësve në vend, pasi Kosova është burim i ujit.

“Ndoshta nuk është e tepërt të them se në këtë vend luftërat nuk do të ndodhin për naftë, por mendoj që lufta për jetën cilësore do të jetë lufta për ujin. Ata popuj, vende që dinë ta respektojnë ujin, ta trajtojnë si duhet, ta ruajnë dhe të sigurohen që të kenë gjithmonë ujë, janë popujt më të mençur. Ne në Kosovë kemi bërë shumë edhe mundemi të  mburremi se po e fitojmë luftën për rrugë të mira, por beteja mbetet trajtimi i ujit”, tha Haradinaj.

Ai inkurajoi të gjithë që ta fitojnë betejën për ujin e pijes dhe kërkoi ndihmën e miqve gjermanë dhe zviceranë që përmes granteve të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit për trajtimin e ujërave të zeza dhe trajtimin e shtretërve të lumenjve.

“Këto janë investimet më strategjike që duhet t’i bëjmë  dhe të krijojmë rezerva të ujit dhe me qenë bankë e vetvetes që të mos varemi nga askush për ujin e pijes.  Por jo vetëm kaq, uji është i nevojshëm edhe për të gjitha segmentet e ekonomisë”, deklaroi Kryeministri Haradinaj,

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, falënderoi për përkrahjen e pa rezervë që po i jep Qeveria e Kosovës dhe tha se nga këto investime po përfiton shumë Komuna e Gjakovës, por edhe Kosova.

Ismet Ahmeti, kryeshef ekzekutiv i “KRU Gjakova”, theksoi se me ndërtimin e kësaj fabrike do të rritet kapaciteti nga 500 litra në 1000 litra në sekondë dhe kjo ëndërr po bëhet realitet falë Qeverisë së Kosovës, Komunës së Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit, si dhe konsumatorëve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, tha se uji është sfida më e madhe që kanë shoqëritë tona.

“Ne jemi vende të pasura me ujë, por kemi vuajtur nga investimet dhe menaxhimi”, tha ministri Gjiknuri, duke shtuar se sfidat ekzistojnë, por nga kjo që shihet sot, nga gjërat e bëra mirë, mësohet shumë dhe përfitojnë të gjithë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test