Mësimi i gjuhës shqipe në Gjermani

Gjermania

Mësimi i gjuhës shqipe në Gjermani

Nga: V Më: 2 tetor 2020 Në ora: 22:12
Gjermani

Disa herë e kam trajtuar këtë temë dhe ende kam etje për ta trajtuar, sepse pothuajse gjendja jo që ka ndryshuar për të mirë, por ajo mund të thuhet se ka ndryshuar për të keq. Sapo kam përfunduar takimet me prindër në këtë fillimviti shkollor dhe doemos tema qendrore ishte: sa vijnë fëmijët shqiptarë nëpër shkollat dhe kurset e gjuhës shqipe? Në të gjitha shkollat ku mbahet mësimi erdhën prindër, me të cilët bashkëbiseduam dhe kërkuam rrugë të reja për të rritur cilësinë e punës, të disiplinës dhe të rregullit shkollor. Por si duket pika më e nxehtë ishte vijueshmëria e nxënësve në shkollë, aty ku mësohet gjuha shqipe. Ndonëse prej vitesh ka një vijueshmëri standarde të nxënësve nëpër kurset e gjuhës shqipe, ajo përsëri do të mund të ishte më e madhe.

Por, ja që nuk është. Ku qëndron faji? Përse shqiptarët ngurrojnë t' i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, aty ku ato janë të mirëorganizuara nga shteti? Përse shqiptarët nuk dinë dhe nuk duan t' i shfrytëzojnë kapacitetet gjermane që ofron shteti për të mirën e tyre dhe të fëmijëve të tyre? E këtë mirëorganizim e bën Landi i Rajnës Veriore (NRW) në Gjermani dhe prinderit shqiptarë nuk dinë ta organizojnë. Asnjë land apo republikë nga 16 sa ka Gjermania, nuk e ka të organizuar më mirë mësimin e gjuhës amtare, përkatësisht mësimin e gjuhës së origjinës. Ky land vërtetë është treguar bujar dhe i gatshëm të pranojë këtë barrë të rëndë dhe ta përballojë me dinjitet dhe profesionalizëm shkollimin e nxënësve që kanë një origjinë tjetër nga ajo gjermane. Shteti paguan mësuesit, shteti hapë shkollat, shteti siguron librat, shteti kontrollon shkollat, por shteti nuk mund t' i bindë dot shqiptarët që të dërgojnë fëmijët në shkolla!

Kur këtë nuk e bën as shteti i Kosovës dhe as shteti i Shqipërisë, as prindërit vetë, si do të duhej që shteti gjerman ta bëjë këtë? E kush do të duhej ta bënte këtë në të vërtetë? Shqiptarët dhe vetëm shqiptarët vetë, askush tjetër! Por shqiptarët nuk kanë kohë dhe as nuk duan të merren me shkollën shqipe, përkatësisht ata nuk kanë kohë të merren me fëmijët e tyre, që t' i dërgojnë në shkollën shqipe. Ose ata mund të merren me ta për kudo tjetër, për çkado tjetër, por jo dhe jo për shkollën shqipe. Ata mund t' ua plotësojnë mijëra dëshira fëmijëve të tyre, por ata nuk duan t' ua plotësojnë detyrën kryesore që fëmijët e tyre duhet të kenë identitet kombëtar. Se ata mund t' i dërgojnë fëmijët në kurse vallëzimi, në kurse këndimi, në kurse të anglishtes, në kurse notimi, në kurse futbolli, por ata nuk mund t' i dërgojnë fëmijët në kursin e gjuhës shqipe! Prindërit në këto mbledhje duke e parë se nëpër qytetet ku banojnë shqiptarët, ka një mori fëmijësh që nuk i frekuentojnë kurset e gjuhës shqipe, donin të bënin diçka. Po si mund ta bëjnë?

-Çka mund të bëjmë? pyeti një zonjë e re, e cila sapo kishte sjellë fëmijën në klasën e parë. Ndjente një gëzim të madh, që vajza po i mësonte një herë në javë edhe gjuhën shqipe, atë letrare, atë standarde, jo gjuhën e shtëpisë, por gjuhën e shkollës. Ç' mund t' i thosha unë?

-Jo, i thashë, vështirë se mund të bëni diçka më shumë, nga ç' dëshiron vetë prindi. Prindi, po deshi, ai mund të bëj për vete dhe për fëmijën e tij. A mund ta detyrosh prindin që ta sjellë fëmijën e tij në shkollë? Jo dhe sërish jo. Se ata e kanë një përgjigje në gojë, tejet të ultë, tejet banale dhe tejet joprofesionale: nuk i duhet gjuha shqipe se jeton në Gjermani, gjuha shqipe ia dëmton gjuhën gjermane, gjuha shqipe ia ngatërron edhe më shumë mësimet!!! Në këto raste prindërit tanë marrin rolin e pedagogut, të mësuesit, të cilin nuk e kane ditur dhe nuk e kanë mësuar kurrë dhe as nuk do ta mësojnë.

Nëpër shkollat gjermane ku mbahen kurset e gjuhës shqipe, lëvizin korridoreve dhe oborreve fëmijë shqiptarë, të cilët nuk janë lajmëruar për gjuhë shqipe, sepse nuk ka dashur as nëna, nuk ka dashur as babai dhe nuk ka dashur as fëmija! Njëherë një prind më tha, derisa unë po mundohesha ta bindja që ta sillte fëmijën në shkollë, se dua ta pyes fëmijën nëse ka dëshirë që të vije në shkollën shqipe? -Mirë, i thashë, pyete! dhe solla koken me vete.Ç'baba i mirë qenka!!! Po përgjigjja doli: JO! Ç' mund të prisja tjetër? Cili fëmijë 6 vjeçar është i vetëdijshëm se duhet të mësojë edhe gjuhën e origjinës, apo gjuhën e nënës! Ai më parë do të parapëlqente që të humbaste pasditën me celular në dorë, me lojëra kompjuterike, apo duke luajtur me top bashkë me shokët, apo edhe me çkado tjetër! Por edhe disa nga ata që i regjistrojnë, si duket bëhen shpejt "pishman". Pse? Shqiptarët kur i regjistrojnë fëmijët në shkollën gjermane, shkolla ua ofron edhe formularin për gjuhë shqipe. Sedra e tyre "e lartë", nuk duron shumë dhe menjëherë marrin lapsin dhe firmosin formularin, me krenari te rrejshme, sepse përpara autoriteteve shkollore duan të jenë edhe gjermanë por edhe shqiptarë të mirë, që e duan edhe atdheun, edhe gjuhën e vendit të tij. Por ç' ndodh pastaj?

Pothuajse asgjë! Prindi nuk i përgjigjet as thirrjes së shkollës dhe as thirrjes së mësuesit. Dhe kur mësuesi është i detyruar të kontaktojë dhe të mësojë shkakun e mosardhjes së fëmijës në shkollë, atëherë fillojnë arsyetimet banale: unë nuk e di kush e ka lajmëruar, gruaja ka hyrë në punë dhe nuk ka kush e sjell fëmijën në shkollë, djali apo vajza nuk duan vetë ta mësojnë gjuhën shqipe, shkolla po na duket larg, orari nuk po na përgjigjet, djali ka sport, vajza ka vallëzim dhe madje vijnë edhe arsyetime të tilla sa nuk kanë turp të thonë: nuk kemi interesa më për gjuhë shqipe se tash jetojmë në Gjermani!!! O tempora , o mores! do të thoshin latinët. Qindramijëra shqiptarë jetojnë në Gjermani dhe dhjetëramijëra fëmijë jetojnë poashtu në Gjermani dhe përqindja e pjesëmarrjes së fëmijëve shqiptarë në Gjermani është qesharake dhe e dhimbshme njëherazi. Pse fëmijët rusë, portugezë, spanjolë, turq, italianë, grekë, arabë, polakë, kurdë mund të vijnë në shkollat e tyre të gjuhës amtare e fëmijët shqiptarë jo? Sigurisht kjo është një temë për trajtim dhe studim psikologjik dhe sociologjik. Nëse vullneti, është një nocion psikologjik, atëherë aty ku ekziston vullneti, edhe arrihet marrëveshja dhe kultivohet edhe dashuria për gjuhën amtare. Në Qytetin e Paqes në Osnabryk, një qytet relativisht i madh, ku jetojnë mijëra shqiptarë, para një viti mësuesi ka shkuar në pension bashkë me shkollën! Ç' do të thotë kjo? Mësuesi iku, iku edhe shkolla, pra shkolla u mbyll! Pse?

Sepse prindërit nuk ishin në nivel të detyrës për ta mbajtur shkollën. E kur nuk ka kërkesë, nuk ka as ofertë! Popujt e tjere i hapin shkollat perdite e ne i mbyllim ato, domethënë ua veme dryrin vete. Pastaj ndonjehere edhe dikush ka fytyrë të thotë: te ne nuk ka shkolle shqipe se do ta çoja fëmijën në shkollë!!!Demagogji me brirë! Megjithatë dikund ekziston ky vullnet, ndaj edhe nuk mungon gatishmëria edhe për sakrifica kohore, edhe hapesinore, edhe materiale, edhe emocionale. Sepse shumë familje i sjellin fëmijët në shkollën e gjuhës shqipe edhe nga distanca 30 kilometërshe larg dhe as përtojnë, as ngurrojnë, as gjëmojnë.Ato familje kanë edukatë, kanë moral dhe mbi te gjitha kanë atdhetarizëm. Sepse atdhe eshtë edhe gjuha, jo vetem toka, jo vetëm deti, jo vetëm shkembinjtë. Përkundrazi ata kanë vullnet dhe dashuri, se po bëjnë diçka të mirë për fëmijët e tyre, për ardhmërinë e tyre dhe për identitetin e tyre. Prindërit të cilët ikin dhe i bëjnë eskivazhe mësimit të gjuhës shqipe janë të shumtë. Madje për ironi, të tillë shqiptarë dinë të jenë edhe "aktorë" të mirë në vende publike.

Ndonëse dembelë tipikë në mësimin e gjuhës amtare , ndonjëherë shtiren edhe se janë "atdhetarë" apo patriotë të zjarrtë që digjen e pervelohen për Kosovë e Shqipëri, dhe që këta në fakt vetëm luajnë rolin e demagogut, të pseudopatriotit dhe të hipokritit. Si? Kur? Përse? Me rastin e festave kombëtare të shteteve tona kombëtare shkollat shqipe organizojnë programe artistike, ndaj edhe pjesëmarrja e bashkatdhetarëve është e madhe. Dhe në këto raste "patriotizmi" i shtirur dhe fallco i këtyre bashkëpatriotëve tanë del në shesh nga jashtësia e tyre se si duken jashtë e jo se si janë përbrenda: vejnë plisa të bardhë mbi kokë, veshin kostume kombëtare, mbajnë dhe valëvisin flamuj kombëtarë dhe rrahin gjoksin se janë shqiptarë!!! Por, jo dhe sërish jo. Një shqiptar me identitet të fortë kombëtar, mund të jetë shqiptar i mirë edhe pa këto gjeste dhe rekuizita kombëtare, të cilat vihen vetëm sa për reklamë dhe vetëm sa për formë pa pasur asnjë përmbajtje. Sepse gjuha shqipe është dhe duhet të jetë krenaria e shqiptarit.Se sa krenarë ndjehen dhe i bën të tillë gjuha amtare dhe mësimi i gjuhës shqipe këta fëmijë, vërehet në fund kur fëmijët japin provimin e gjuhës shqipe në klasën e dhjetë, ku edhe aty përfundon ky lloj mësimi. Kur ia dalin mbanë dhe tregojnë sukses, marrin edhe komplimente nga komisioni. Njeherê me pyesi drejtori gjerman se si kaq bukur e dine gjuhën keta fëmijë. Shkolla, thashë ben punen e vet.

Aty mesohet.Kur femijet kalojnë provimin, atëherë buzëqeshjet në fytyrat e tyre janë të forta dhe nuk duan që të ikin pa u takuar edhe njëherë në shkollë me mësuesin për t' i dhuruar një kartolinë apo një buqetë lulesh, si shenjë dashurie, mirëkuptimi, mirësjellje , se vetë mbarimi me sukses i provimit, atyre u jep të drejtë të ndjehen dhe të jenë shqiptarë edhe moralisht, edhe kulturalisht, edhe kombëtarisht. Dhe sërish është për të ardhur keq që kemi një komunitet i cili nuk përkujdeset sa duhet per ardhmerine e femijeve te vet, sepse dikur ata fëmijë do të flasin si ne prologun e perrallave: "na ishte dikur një gjysh shqiptar, qe kishte ardhur nga nje vend i vogël i Ballkanit!!!!"

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat