Promovim i librit “Në gojën e gjarpnit” nga Tefik Ramadani

Gjermania

Promovim i librit “Në gojën e gjarpnit” nga Tefik Ramadani

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 31 korrik 2022 Në ora: 17:28
Nga e majta: Tefik Ramadani, Lekë Preçi, Vitor Spaçi, Zef Prenga (Foto: Psejo.de)

Me nismën e mësuesit veteran, Lekë Preçi, Qendra Kulturore Shqiptare, me seli në Stutgart, me kryetar Vitor Spaçin, organizoi mbremjen "Dritarja e librit". Mbremja i kushtohej promovimit të librit "Në gojën e gjarpnit", të autorit Tefik Ramadani, ish i burgosur politik në vitet `80-a. Pjesëmarrës ishin anëtarësia e Shoqatës; miq e dashamirë të autorit Ramadani; mësuesit e nderuar të Shkollës shqipe në Gjermani, njëherësh, kolegë të bashkëshortës së autorit të librit, Hatixhe Ramadani, të cilët punuan për dekada me radhë, përkushtueshëm, për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të traditës shqiptare, ndër brezat e Mërgatës sonë. Veteranë të Shoqatës, Shaqir Hyseni, historian, Sherif Hoxha me shokë.

Fillimisht, po japim një përvijim biografik të Qendrës Kulturore Shqiptare, e cila është themeluar në korrik të vitit 2012. Kryesia e Qendrës Kulturore, vjen nga e gjithë gjeografia e Etnikumit shqiptar, e përbërë nga Vitor Spaçi-kryetar, Mimoza Ahmetaj-nënkryetare, Gjylie Lecaj-sekretare, Fiqret Mujeziqi, Bukurije Muji-Ceka, Zef Preka, Dori Camaj, Vilson Spaçi, Vilson Markaj, Gustin Prenkaj, Hasime Krasniqi, Mark Marjakaj-anëtarë, është një ansambël harmonik, me demokraci të brendshme të bollshme dhe vendime kolegjiale.

Programi i Qendrës Kulturore është i qartë dhe në shërbim të komunitetit shqiptar. Aktiviteti i kësaj Qendre, nuk kufizohet vetëm në Stutgart, por, në të gjithë Gjermaninë. Ajo nismoi aktivitetin e saj në korrik të vitit 2012, në bashkëpunim me Klubin futbollistik "Besa", në Feuerbach, në tunrnirin internacional. Pastaj, Qendra bëri organizimin e promovimit të librit domëthënës "Një hap me Rugovën" të autorit Adnan Merovcit, shoqërues besnik i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, në një mjedis simbolik, siç është "Literatur-Haus 2", në Stutgart.

Dhe, që atëherë, Qendra Kulturore Shqiptare ka një veprimtari të begatë, duke qenë pjesë e shënimit të shumë ngjarjeve historike dhe të aktiviteteve të shumëllojshme, gjithnjë, në shërbim të komunitetit shqiptar në Stutgart e më gjerë në Gjermani. 

 Ajo veç mbremjeve argëtuese, organizon mbremje letrare e promovime të librave; feston në mënyrë të organizuar, data historike kombëtare e shtetërore. Mbështetja e Shkollës shqipe në Baden Würtenberg, për ta ruajtur trashëgiminë kombëtare dhe parandaluar asimilimin e brezave të rinj, ka qenë, gjithëherë, në vëmendjen e kësaj Qendre.

Qendra organizon ekspozita dhe bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për emigracionin, si ambasada, konsulatat; shoqatat simotra, me studentët shqiptarë të mërguar; me institucione religjioze, në veçanti, me misionin katolik shqiptar. Qendra ndihmon njerëzit në nevojë dhe urgjenca të ndryshme, me ndihma humanitare.

Motoja e Qendrës Kulturore Shqiptare, me seli në Stutgart: "Të gjithë shqiptarët të bashkuar nën një kulturë". Simboli i Qendrës është një hartë e Etnikumit shqiptar, nën një çadër, për të kontribuar në avancimin e vlerave tona kombëtare.

Në këtë linjë shprehet edhe kryetari i Qendrës, Vitor Spaçi: "Vizioni ynë ka qenë dhe do të jetë që Diaspora shqiptare të mos karakterizohet nga lokalizma apo ideologji, që mund të ndikojnë negativisht në Diasporën tonë, ndaj duam një Diasporë të bashkuar shqiptare".

Rrjedhimisht, kjo hartë e kuqe, simbol i një shoqate, pa kufinj shtetëror, që i bashkon shqiptarët kulturalisht, kudo që janë dhe ngado që vijnë. Qëllimi bazë ka qenë dhe mbetet afirmimi i shqiptarëve dhe i Kosovës, si shteti më i ri në Evropë.

Image
Nga e majta: Nusret Dërguti, Tefik Ramadani, Hatixhe Ramadani, Hamza Halabaku, Lekë Preçi, Çerkin Bytyçi

Një promovim emocionues dhe mbresëlënës

Moderatorja e talentuar, Gjylie Lecaj, njëherësh, sekretare e Qendrës Kulturorre Shqiptare, me seli në Shtutgart, bëri hapjen e Mbremjes "Dritarja e librit", duke ju dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve në sallë. Ajo shpalosi programin e Mbremjes: 1) Promovimin e librit "Në gojën e gjarpnit", me autor Tefik Ramadani-Qarri; 2) Orë letare, me krijime poetike e letrare të anëtarëve të Shoqatës dhe të mysafirëve; 3) Program argëtues muzikor e vallëzues.

Kryetari i Qendrës Kulturore Shqiptare, Vitor Spaçi, përshëndeti mysafirët konsullin, Besnik Miftari, me stafin e tij; autorin e librit, Tefik Ramadani, me bashkëshortën mësuese Hatixhen; Sinan Kryeziun, ish i burgosur politik, bashkëvuajtës me autorin e librit, Ramadanin; kryetarin e Shoqatës "Pavarësia", Xhevdet Syla, kryetarin e Misionit Katolik Shqiptar, Lon Karrica, përfaqësuesit e Shoqatave tjera; mësuesit veteranë: Idriz Zeqiraj, Lekë Preçi, Hamza Halabaku, Çerkin Bytyçi, Nusret Dërguti; shefin e lokalit sportiv, Kadri Imishti, i cili përgaditi sallën dhe aktivizoi shërbimin e restorantit; anëtarësinë e Qendrës tonë, si dhe të gjithë të tjerët, të cilët na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre, në këtë mbremje kulturore. Në mes tjerash, ai foli, shkurtimisht e modestisht, edhe për veprimtarinë 10-vjeçare të kësaj Qendre. Një fjalë rasti mbajti edhe anëtari i Kryesisë të Qendrës, Zef Prenga.

Mësuesi veteran i Shkollës shqipe në Baden Würtemberg, Lekë Preçi, foli për librin "Në gojën e gjarpnit", të autorit Tefik Ramadani. Po sjellim disa fragmente nga reçensioni, i realizuar mrekullisht mirë, për librin në fjalë:

 "Shokë e miq të nderuar, dashamirë të fjalës së shkruar,

Vështrimin tim për librin "Në gojën e gjarpnit", të autorit Tefik Ramadani-Qarri, po e filloj me konstatimin se Tefikun e njoh prej 30 vitësh, të angazhuar për organizimin sa ma të mirë të mërgimtarëve, në çdo aspekt, arsimor e politik etj. E kam kuptuar dhe kam pasë përshtypje të një njeriu të mirë, që e karakterizojnë shumë tipare dhe vyrtyte të shkëlqyeshme njerëzore. Por, kur vjet ma dha librin e jetëshkrimit të vet dhe e lexova me kujdes, atëhere Tefikun e njoha në bërthamë, në shpirt, në zemër.

Por, sot nuk jemi tubuar këtu, për të folë për Tefik Ramadanin, por për librin e tij, me një titull mjaft simbolik “Në gojën e gjarpnit”. 

Libri ka 332 faqe, me shumë shënime faktografike, fotografi, dokumente të ndryshme, të cilat, pa asnjë dyshim, i faktojnë me besnikëri pohimet dhe shkrimet e autorit.

Autori, që në faqën e parë të librit, na tregon se kujt i dedikohët ky libër ! Pra, u dedikohet të gjithë atyre njerëzve që kanë dëshirë ta kuptojnë historinë e re të Kosovës. Mendoj se autori që në fillim tregon një sinqeritet dhe vërtetësi, të cilat vërtetohën gjatë krejt leximit , deri në fund. Tefiku na jep një vullnet profetik kur thotë: Pavarësisht se kush je ti, pavarësisht se nga vjen, pavarësisht se sa të kqija janë “letrat” që ki në dorë, pavarësisht se je i shtrirë për toke, kurrë mos u dorëzo”. Një filozofi tereziane dhe rugoviane për jetën. Një stoicizëm qysh nga kohërat antike pellazgo- ilire. Pra një durim dhe qëndrushmëri në jetë.

Prej nga vjen ky përcaktim i Tefikut, për veprimtari kombëtare dhe patriotike? Unë mendoj se pikërisht nga edukata familjare e konkretisht nga gjyshi Qazim Ramë Qarri, i cili luftoi në mbrojtjen e kufijve të shqiptarisë dhe kundër pushtetit okupues serb, pra, në vijën e Ballit Kombëtar. Pushkatohet në vitin 1945 bashkë me 19 patriotë tjerë nga Qarri, fshat në Medvegje të Kosovës Lindore dhe sot e kësaj dite nuk u dihen varret e tyre. Edhe nga baba Ramush Qazim Qarri, i cili që në rininë e vet angazhohet dhe vepron në vijën e shqiptarisë dhe për kombin e vet. Për këtë arrestohet nga OZN-a në vitin 1950. Pra, një vijimësi dhe traditë familjare për lirinë e vendit.

Tefiku, pas shkollës fillore vazhdon shkollën e mesme të Mjeksisë në Prishtinë dhe një vit punon në Spitalin e Gjilanit si laborant . Kontaktet me Prishtinën dhe me literaturën, që qarkullonte dhe lexohëshin ilegalisht në atë kohë, e frymzojnë dhe e vetëdijsojnë djalin e ri, se duhet të punohet dhe të veprohet kundër padrejtësive në aspektin shoqëror dhe politik. Pas një viti punë, regjistroht në Shkollën e Lartë të mjeksisë në Sarajevë, të cilën e kryen me sukses dhe në afat. Aty takon një njeri, për të cilin Tefiku ka mendim të mirë. Ai u ndihmonte studentëve shqiptarë. Ishte Hil Përlleshi, vëllau i trimit të Dukagjinit nga Paskalica e Klinës, Ndue Përlleshi. Ballistit ma të njohur në Dukagjin, bashkëluftëtar i Ukë e Shaban Sadikut, Profesor Ymer Berishës, Marie Shllakut. Kundërshtarit të madh të vëllaznim- bashkimit sllav dhe komunizmit ideologjik.

Pas këtyre studimeve, Tefiku kthehët në Prishtinë, si Profesor në Shkollën e mesme të Mjeksisë. Kjo periudhë ishte e suksesëshme, sepse bjen në kontakt me shumë miq dhe veprimtarë të ndryshëm, të ilegalës. Tashmë, i formuar dhe i vetëdijshëm për padrejtësitë nacionale dhe shoqërore. Tefiku u motivua  nga ngjarjet edhe demonstratat e vitit 1968, për të cilat flitej gjithandej. Filloi ta pyeste vetën se pse është e ndaluar “Lahuta e Malsisë” ? Pse kjo padrejtësi në aspektin nacional, ekonomik, politik, etj ? Pra dalë nga dalë e gjente fushën dhe rrugën e veprimit. 

Por, vlera që duhet të theksohet është në atë, siç thotë edhe Xhafer Leci, në një shkrim, se Tefiku ishte ndryshe nga të tjerët. Si ndryshe ? Ndryshe për nga bindjet politike dhe distancim i qartë nga ideologjia komuniste, që dominonte në atë kohë, po thuaj se „an blloc“. Tefiku është shumë modest dhe pranon edhe vet, në faqen 77 të librit, kur thotë : „Unë kisha mendimet e mia, edhe pse, realisht, shikuar nga origjina, isha një idealist me bindje properëndimore, por pa ndonjë përvojë politike“. 

Për këtë pat edhe debat me shokët e grupit, për ndonjë temë të caktuar, të cilëve u tha haptas se “kjo mua nuk më pëlqeu dhe se tani s`ka nevojë të insistohet në platformë ideopolitike marksiste”. Dhe për të vazhduar më qartë dhe bindshëm se :”Unë jam i gatshëm të bëjë diçka dhe të jap kontributin tim modest, për zgjidhjen e çështjes kombëtare, por jo të luftoj për një ideologji politike, me të cilën unë nuk jam i mishëruar dhe e cila nuk më pëlqen e as nuk më frymëzon “.

Një rast i rrallë për atë kohë dhe me shumë guxim, sepse kjo ideologji, në atë kohë, ishte bërë virus. Mendoj se ky përcaktim dhe qëndrim i Tefik Ramadanit, është një vizion shumë largpamës, sepse koha e vërtetoj se kjo ideologji paska qenë utopi, mashtrim, pallavër. Po them i guximshëm, sepse qarqe të caktuara, këta veprimtarë, me këso qëndrime, i etiketonin dhe i paraqitnin si tradhtarë, armiq. Armiq të kujt?! Pra, koha e vërtetoi se këta veprimtarë paskan qenë të rreshtuar në anën e drejt të historisë, të cilët vepruan për kombëtarizëm e shqiptarizëm, e jo për ideologji marksiste-leniniste. Tefikun shpeshherë, nuk e kuptuan as shokët e burgut, disa. Por, Tefiku ndejti i drejtë, nuk u kërrus, nuk ra në kazanin e turpit. Morali i tij qëndroj i fortë. Kjo vërtetohet kur shkruan vet autori : “ Unë ta spiunoja Ukshin Hotin, e çka më duhej jeta pastaj ?!

Në faqen 183 të këtij libri, autori shkruan : “ Unë ruhësha që publikisht mos ti shprehja pikëpamjet e mia, sepse kisha frikë se nuk do të kuptohësha drejt “. Çka tregon kjo? Unë vlerësoj se ky mendim dhe qëndrim i Tefikut e tejkalon atë kohë, është shumë ma shumë përpara, se botkuptimi i përgjithëshëm i pjesës më të madhe të rinisë shqiptare, e posaçërisht asaj të Kosovës, rreth indoktrinimit me ideologji marksiste-leniniste të diktatorit Enver Hoxha. Apo siç thotë vet autori, "fjala demokraci, nuk gjente vend mes nesh"!

Tefiku e përdorë një thënje të të madhit Metush Krasniqi, kur thoshte: “Edhe pse unë me marksizmin, sistemin komunis, nuk mund të pajtohem, sepse është ideologji dhe sistem dogmatik, diktatorial dhe atje ku sundon pushteti komunist, të drejtat dhe liritë e njeriut shtypen në mënyrë të pamëshirshme, megjithatë, të rinjtë që janë mishëruar me këtë ideologji, por edhe ata të LKJ-së e që luftojnë për çështjen kombëtare, unë i kam vëllazën “.

Përdorimi i këtij mendimi nga Metush Krasniqi, unë mendoj se paraqet anën humane dhe njerëzore të Tefik Ramadanit. Edhe pse gjatë kësaj periudhe ka pasë edhe keqkuptime, prapseprap Tefiku e ka kulturën e faljës dhe të pajtimit. Kjo është për rrespekt.

Nëse duam që ta dallojmë një përsonazh kryesor, atëhere për mua kryeheroina është Hatixhe Ramadani. Një grua dhe një nënë, e cila të gjitha vështirësitë e kësaj periudhe, i barti në shpirt dhe në shpinën e vet, që kurrë nuk u dorëzua, por ia doli me sukses. Rrespekt e nderuara zonja Hatixhe. 

Libri ka 332 faqe, i shkruar me një gjuhë të rrjedhëshme, me fjali të ndërtuara në mënyrë të shkëlqyeshme, në aspektin sintaktik dhe morfologjik, që shprehin mendimet në mënyrë logjike dhe lehtë të kuptueshme, gjë që nuk është tek të gjitha librat", - përmbylli reçensionin e tij, veterani i përkushtuar i arsimit, Lekë Preçi.

Moderatorja aktiviste dhe simpatike, Gjylie Lecaj, fton në foltore autorin e librit "Në gojën e gjarpnit", Tefik Ramadanin, i cili përshëndeti dhe falenderoi Qendrën Kulturore Shqiptare dhe kryetarin e saj, Vitor Spaçin, me bashkëpunëtorët e tij, për organizimin e shkëlqyer të mbremjes "Dritarja e librit", me ç`rast u bë edhe promovimi i librit tim. Një falenderim të veçantë meriton edhe miku im, mësuesi veteran, Lekë Preçi, për sugjërimin e bërë Kryesisë së Qendrës Kulturore, për organizimin promovues të librit tim. Felenderoj, në emrin tim dhe të familjes time, anëtarësinë fisnike të Shoqatës tuaj; miqtë dhe dashamirët; si dhe të gjithë të pranishmit në këtë mbremje të shënuar. Përjetësisht mirënjohës!

Veprimtari i shumanshëm, Tefik Ramadani, me nismë aktivitetin ilegal, në shërbim të çështjes kombëtare, për rrjedhojë, i burgosur politik, në Kosovë; kontributin në arsim; vijimësinë e aktiviteteve edhe në Mërgatë: si angazhimin në mjekësi; drjetues i komisionit në begatimin e Fondit shtetëror, të shprehur në 3 %-shin obligativ; zgjedhja këshilltar për emigracionin, në qytetin e Mannheimit, për disa mandate radhazi; kontribues i vullnetshëm, për mbarëvajtjen e Shkollës shqipe në Landin e Baden Würtenbergut; debatues i zëshëm në takimet politike, me politikanë gjermanë dhe të huaj, për çështjen e Kosovës, në vitet `90-a dhe më pas.

Autori i librit shpalosi disa përjetime të jetës ilegale, të hetimit, dënimit dhe vuajtjes së burgut. Përmes emocioneve, deri në lot, lexoi një fragment nga libri, për bashkëvuajtjen në qeli, birucë, me Profesor Ukshin Hotin, përkatësisht:

Njohja me Ukshin Hotin

Në fundjavën e parë të qershorit 1984, dikur natën vonë u hap dera. Brenda hyri një burrë i gjatë dhe paksa i zeshkët. Kishte qenë ky Profesor Ukshin Hoti. Tani u bëmë tre të burgosur politikë. Me ardhjen e Ukshin Hotit shumëçka ndryshoi, sepse ardhja e tij  e theu atë zymtësinë, që na kishte kapluar ne dhe ditët sikur mu lehtësuan paksa. Baca Ukë na tregoi për të gjitha ato që kishte përjetuar në burg, ku më se keqi  e kishte pasur në CZ-në e Beogradit. Për 70 ditë e kishin mbajtur në një kafaz të qelqtë, duke e "bombarduar" nga të gjitha anët me drita të forta elektrike. E kishin nxjerrë prej aty, kur ju kishte rrezikuar jeta.

 

Prof. Ukshin Hoti ishte njohës i thellë i problemeve dhe marrëdhënieve shoqërore-politike dhe ekonomike përgjithësisht. Unë dhe Beqiri shpesh e ngacmonim me qëllim, duke i thënë se është shumë e vështirë ta realizojmë kërkesën tonë, për të cilën po rrimë në burg!? Ai na kthente, sikur prej topit, se sikur të isha i bindur se Kosova s`do ta fitonte statusin e Republikës, tash do e vraja vetën. Por, s`kam asnjë dyshim, se një ditë Kosova patjetër do e fitojë lirinë. Megjithëse kjo s`do të jetë aspak e lehtë dhe s`do të vijë shpejt.   

Së pari, duhet të krijohen rrethanat për të, e ato do të krijohen vetëm atëherë kur pushteti serb do ta suspendojë gjysmë-autonominë që e kemi. Kjo autonomia e Kosovës thoshte, është "si bari i pranverës", edhe era më e lehtë që frynë e rrëzon përtokë. Dhe të jeni të bindur, thoshte, se s`do të kalojnë as pesë vite, dhe Serbia do t`i suspendojë të gjitha organet e Kosovës. (Vini re, këto i thoshte në qershorin e vitit 1984!) Dhe mirë do të bëjë, se vetëm kështu, një pjesë të shqiptarëve do t`u hiqet "mjegulla nga koka dhe perdja nga sytë".

Një pjesë e shqiptarëve, sidomos ata që janë sistemuar në strukturat e pushtetit, mendojnë se Kosova ka organet e veta dhe ato s`mundet t`ia merr askush. Vetëm kur të biem ne në "zëro", do ta shohin se ku jemi, dhe nga duhet të shkojmë.

Vërtet, kishte pasur të drejtë baca Ukë. Vetëm në këtë mënyrë krijoheshin kushtet për bashkimin e shqiptarëve. Dhe vetëm bashkimi rreth një ideali na garantonte sukses, pra, bashkimi për realizimin e Republikës së Kosovës". 

Përshkrimi i bashkëvuajtjes dyzetë ditore me Profesor Ukshin Hotin, ishte emocionues. Qëndrimi rrezatues e torturues, në kafazin e qelqtë, e kishte dëmtuar Hotin dhe ishte operuar në organet gjenitale. Plaga kullonte gjak dhe kishte nevojë për pastrim, kurrim e fashim të çdoditshëm. Kur komanda e burgut mësoi se Tefiku kishte profesion mjekësinë, përkujdesjen për plagën e Hotit e bënte ai. Kjo sikur e lehtësoi Profesor Hotin.

Familja Ramadani, bashkëshortët, Hatixhe e Tefik Ramadani, fëmijtë Arta, Vjosa dhe Visari - të gjithë fakultetlinj, por në profesione të ndryshme, përbëjnë një "celulë" familjare intelektualësh, me një harmoni dhe respekt të ndërsjelltë. Arta gazetare e ZDF-it prestigjioz  gjerman, e cila qysh në fillimet e karriers të saj, udhëhoqi emisionin për rininë, me preferencë për marrëdhëniet brenda rinisë ballkanike, duke pasur parasysh historinë dhe ngatërresat ballkanike, për të cilat kronikania angleze, Edit Durchan, parashikon vazhdimin e tyre, qysh në vitin 1920.

Për trajtimin me një profesionalizëm unik, për moshën, Arta Ramadani u avancua në përgjegjësi. Botoi librin e parë, pikërisht, me tematikë ballkanike, për të cilin Shtepia Botuese organizoi një promovim të bujshëm, me vlerësimin më të lartë. Arta është në përfundim e sipër të libri të dytë, por ende nuk e ka bërë publike tematikën që do ta trajtojë. Dhe, për traditën e përcjellur në breza, ka një thënie sintezë: "Më bëj baba të të ngjajë".

"Ora letrare" - traditë e Qendrës Kulturore

Mbremja "Dritarja e librit", u  begatua me "Orën letrare", traditë kjo që e praktikon, gjithëherë, Qendra Kulturore Shqiptare, me seli në Shtutgart. Kjo është vlerë e shtuar e kësaj Shoqate, kur gra e burra, djemë e vajza, me pretendime lëndore krijuese, shpalosin talentin e tyre, duke recituar dhe lexuar krijimet e tyre artistike.

Anëtarët e Shoqatës dhe mysafirët e "Orës letrare" deklamuan krijimet e tyre: Mimoza Ahmetaj, Fiqret Mujeziqi, Shqipe Pacolli-Muhadri, Zef Prenga, Loreta Schilloch, Hamza Halabaku, Çerkin Bytyçi.

Një mysafir i veçantë i kësaj mbremje, ishte Konsulli simpatik, Besnik Miftari. Ai është i kudondodhur në veprimtaritë kulturore, historike dhe organizime të tjera të Mërgatës shqiptare, të paktën, në Republikën e Baden Würtenbergut, në Gjermani. Ai ka pasion poezinë. Andaj, u prezantua me krijimin e bukur poetik "E dashur Nënë", i cili u pëlqye shumë nga të pranishmit.

Më rastin e10-vjetorit të themelimit të Qendrës Kulturore, është në përgaditje e sipër të një Antologjie me krijime letrare, ku do të përfshihen 100 autorë, krijues, me një volum prej 300 faqesh.

Mbremja u përmbyll me një program të larmishëm muzikor, me këngë e valle nga të gjitha trevat e Etnikumit shqiptar, me performancën muzikore profesionale të Alfred Mersinit dhe Haki Azizit.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat