Fluturimi hyjnor i Zejnullah Zejnës - Bota Sot
Fluturimi hyjnor i Zejnullah Zejnës

Gjermania

E enjte, 18 tetor 2018

Fluturimi hyjnor i Zejnullah Zejnës

Nga: Sylejman Salihu Më: 3 qershor 2018 Në ora: 23:25
Foto nga akademia perkujtimore

E nderuara familje e dëshmorit Zejnullah Zejna,

Të nderuar familjarë të dëshmorëve të kombit,

Të nderuar e të respektuar të pranishëm!

Zonja dhe zotërinj!

Ka disa vjet që udhëtoj me luftëtarin dhe dëshmorin Zejnullah Zejna. Duket pak e çuditshme, por jemi bërë bashkudhëtarë dhe ju do të më pyetni menjëherë: si është e mundur kjo? Po, është e mundur dhe është ai që më fton kur blerimi mbush luadhet dhe lululëkuqet e kuqe të gjakut çelin me ngjyra të kuqërremta. Ai rri në një istikam që është bërë streha e tij e përjetshme dhe shkrep krisma lirie, duke pritur shkëlqimin dhe bardhësinë diellore, për të na ngrohur me rreze drite, me rreze jete. Dhe kur unë mundohem të shkruaj një fjalë për të, fjala më ngjan sërish e vogël përpara krismës së madhe të pushkës dhe përpara lavdisë së tij.

Ai e shkroi biografinë e tij jo me bojë të zezë, por me bojë të kuqe. Ai endet bashkë me aromën e luleve në lëndinat e bleruara, në llogoret e llangosura me gjak, me thirje lirie, si një kujtim emblematik, si një amalgamë e lirisë, si një drithërimë e atdhedashurisë. Pastaj sikur më thotë: unë jam thirrje lirie, unë jam kujtim i madh i historisë tok me dëshmorët e tjerë, duke ndejtur roje e zgjuar e kësaj toke të djegur me trëndafila të kuq prej gjaku. Që nga lindja ai eci rrugës së gjatë me gropa, me këngë, me forcë dhe me shumë fantazi, duke derdhur ngjyra në pikturën e madhe të lirisë dhe duke kënduar këngën më të moçme epike, atë të Gjergj Elez Alisë që edhe me nëntë plagë në shtat ia jep faturën e borxhit Bajlozit të Zi. 

Zejnullah Zejna u lind në Sojevë të Ferizajt, eci lëndinave, luadheve, kodrinave dhe pllajave të saj me këmbë të zbathura, duke u rritur bashkë me ëndërrën e madhe të shtegëtimit në jetë për kërkim të një ideali të madh: në kërkim të idealit më të lartë, më të shenjtë dhe më të shtrenjtë, atë të lirisë jo individuale, por kolektive, jo fiktive, por reale, jo abstrakte por konkrete. E kush nuk e do lirinë? Porse, për ta pasur atë, duhet edhe të japësh. Nëse për dikë liria ishte qoftë edhe vetëm ngopja e barkut me bukë, për Zejnullah Zejnën dhe shokët e idealit të tij, ajo ishte diçka më shumë: ishte një dritë hyjnore, ishte një rrezatim llamburitës, ishte një ekzaltim paqësor, ishte një drithërimë shpirtërore, ishte dinjitet, ishte krenari dhe më në fund ishte edhe pavdekësi kombëtare.

Si edhe te çdo shqiptar tjetër, tek të cilët shpalosej ideali dhe ëndrra e bukur e lirisë, edhe te Zejnullah Zejna kjo ëndërr i rrinte mbi çepalla në gjumin e thellë të natës sa edhe në agimin e herëshm të ditës, i rrinte edhe në ditën me diell, ku mundohej ta kapte, t’ ia shihte formën, dhe t’ ia ndjente aromën. Por ishte e zorshme sepse idealja e ëndërruar dhe realja e provuar sikur nuk puqeshin mes vete asnjëherë. 

Image

Kur dallgët e mëdha të jetës e përplasin Zejnullah Zejnën në detin e madh plot valë për një kamje më të mirë në Gjermani, paqja shpirtërore për të ishte sërish larg, tepër larg. Sepse ai kishte humbur diçka të madhe, ai kishte humbur atdheun. Shkrimtari i madh gjerman Hajnrih Hajne thoshte dikur se “kur atdheun e humba nga sytë, e gjeta sërish në zemër”. A nuk i ndodhi kështu edhe Zejnullah Zejnës dhe luftëtarëve të tjerë? Ai shpalosi zemrën e tij të madhe dhe e gjeti atdheun e tij përbrenda. Por si e gjeti? E gjeti të lidhur me zinxhirë të rëndë robërie. Zejnua kishte tashmë një zonjë të nderuar në krahun e tij, kishte edhe vëllezërit, por diku në një bregore të Sojevës kishte edhe një nënë, që e priste djalin e saj te porta e madhe dhe pyeste veten: As sot nuk erdhi djali i nënës, as sot nuk erdhi Zejnullah Zejna?

Nëse Zejnua nuk kishte ardhur as atë ditë që të hynte te porta e madhe nga kishte dalë dhe ta mirrte në përqafim nënën dhe motrën e tij, ai tashmë ishte nisur me autobusin e parë nga Bielefeldi me shokët e tij me këngë në gojë se dasma e lirisë po e thërriste. Por adresa e parë për Zejnuan dhe shokët e tij ishin llogoret e luftës se kushtrimi kishte ra me krisma të forta lirie: o sot , o kurrë! Ai hyri me vrap nëpër gjithë ato gropa herë duke rënë e herë duke u ngritur gjithnjë duke dëgjuar një zë të largët, që ishte jehona e thirrjeve të nënave shamizeza, të baballarëve hijerëndë , të nuseve e të fëmijëve nën hanxharin e hasmit: aman a ka kush që na shpëton në këtë jetë? E ai pra, Zejnua dhe gjithë mushti i djalërisë dhe vajzërisë shqiptare, kudo nga gjithë globi ishin nisur për t’ ia hequr lakun nga fyti një populli, të cilit po i kërcënohej shfarosja e madhe.

Ecte Zejnua me shokët e tij lëndinave e monopateve dhe shihte diçka përtej syve të tij, që i shfaqej si vegim dhe që i kishte munguar atij dhe popullit të tij e ajo ishte liria reale. Ndaj pritni edhe pak, sikur thoshte ecja dhe vrapi i tij nëpër ato llogore shkëmbore ku jeta me vdekjen këmbenin rolet e tyre. Nëna dhe motra e prisnin përsëri zgjuar tek porta e madhe në agimin e hershëm dhe në muzgun e vonshëm të birin dhe të vëllain, për t’ ia parë fytyrën djalit të zhuritur në mallin e mërgimit, që vjen vrap, teksa era ia davaritë flokun në ballë, në ballin e të cilit shkruante: Unë vij bashkë me lirinë e Kosovës! Dhe ndodhi pikërisht ashtu. Zejnullah Zejna stacionin e fundit të jetës së tij e bëri në Gorozhup, aty ku kishte një kufi që ndante. Dhe kë ndante ky kufi?

Ndante njerëzit e një gjaku, të një gjuhe, të një zakoni , të një kanuni, të një kodi, të një fisi, që jetuan dhe vdiqën bashkë me këngë në gojë për një Shqipëri etnike, për një Shqipëri reale, për një Shqipëri natyrale. Zejnua u rreshtua si ushtar i atdheut me shumë disiplinë duke ia shtuar edhe një krah, edhe një pushkë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asaj embleme të madhe , që tash ishte bërë dalëzotëse e Kosovës, për t’ ia hequr zjarminë nga balli i nxehtë dhe gjëmën e madhe shekullore.

Me Naimin, Naserin, Xhemilin, Shemsiun, Halitin, Shyqriun dhe me gjithë kolonën e gjatë të luftëtarëve bashkë me këngën në gojë të marshit të UÇK-së “Oj Kosovë, oj djep lirie”, Zejnullahu kapërceu detin dhe shkeli me këmbë të veta Durrësin, Kolshin, Krumën, Kalimashin, Cahanin, Kishëzën, Burrelin, Elshanin, Kukësin për të ndaluar në Gorozhup, aty ku do ta mirrte kumtin e parë dhe të fundit të lirisë së Kosovës. Ndaloi me barrën e madhe në shpinë dhe bashkë me topin e tij tundi dhe shkundi, thërriti dhe ngriti në kushtrimin e madh të lirisë. Topxhiu Zejna e kishte nën komandë topin e tij me urdhërin e një ushtaraku dhe predhat që kishte hedhur gryka e tij, ishin bërë shkëndija dhe drita e lirisë së Kosovës. Aksioni “Shigjeta” kishte finalizuar rrëzimin e gurit të ndarjes, që ishte rrokullisur teposhtë kodrinave dhe bregoreve të atdheut të ndarë dhe kishte ndryshuar pas 100 vitesh statusin dhe hartën e kombit. Me shokët e tij edhe atëherë kur ishte ngritur flamuri i bardhë i armikut, deshi ta shkrepte edhe njëherë gjylen e fundit të lirisë, një zakon i moçëm i luftëtarëve shqiptarë.

Por sado kishte ardhur ora e mirë për Kosovën, një orë tjetër e ligë po priste prapa shpine jetën e Zejnullah Zejnës, që ta mirrte dhe ta dërgonte lart në panteonin hyjnor të dëshmorëve të lirisë. Trupi iu përplas përdhe e krahu i tij i këputur fluturoi lart si flamur lirie për Kosovën. Mbase ishte edhe përshëndetja e fundit me atdheun dhe nënën e tij, që e priste djalin e saj pa gjumë në sy natë e ditë dhe nxirrte nga goja fjalët sikur parathonin kobin dhe lavdinë: as sot nuk erdhi Zejnua i nënës! Kosovës i shkoi kumti i madh sa tragjik aq edhe heroik, sa krenar aq edhe lapidar: ç’ mund të kërkoni më shumë nga ne? Ne ramë, që të ngriteni ju dhe fëmijët të fluturojnë si pëllumba të lirë në qiellin e kaltër të Kosovës. Ai na thotë edhe sot: vetëm mos shkelni mbi gjakun tonë, të tjerat ua bëjmë hallall. Në të kundërtën, mallkimi do të bjerë mbi ju!

Lavdi dëshmorit Zejnullah Zejna! 

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test