Foto e dhimbshme në okupim apo para 22 vjetësh, kur vajzat e Kastriotit nuk kishin...

Hendboll

Foto e dhimbshme në okupim apo para 22 vjetësh, kur vajzat e Kastriotit nuk kishin...

Nga: Kemajl Goca Më: 2 gusht 2017 Në ora: 18:07
Foto e vitit 1995

Dikur mendonim si të ekzistonim! Mendonim si ta mbanin gjallë sportin! Mendonim si ta gjejmë një skutë për të stërvitur e për t’i rezistuar okupatorit të Serbisë, sepse nuk i lejonte sportistët shqiptarë të luanin as në fusha të improvizuara! Nuk harrohet kurrë periudha e viteve të 90-ta, kur vashat e djemtë tanë dhanë gjithçka për të mbajtur gjallë sportin dhe në çdo sferë tjetër, për ta ndërtuar shtetin e Kosovës.

Për të mos filozofuar shumë, paraqesim një fotografi të para 22 vjetësh, kur klubi i hendbollit Kastrioti nga Ferizaj funksionoi ashtu si mundi pa veshje sportive, kush me xhemperë, kush me jakne, dikush edhe me këmishë e më bluzë, një veshje e çuditshme, për faktin se pak i ngjante një klubi sportiv, por më shumë një shoqërie mëhalle, mirëpo me cilësi më të madhe se sa kemi sot. Kohë e pa kohë, kohë e sakrificës. Klub që luftonte për titullin e Kosovës atëkohë, pa pajisje, madje edhe fanellat shumë herë i kanë fshehur ku kanë mundur mos t’ia zinte milicia kriminale serbe.  Në foto janë: Valbona Zeqa Rexhepi, Hajrie Osmani, Lirije Muhaxheri, Vlora Jashari, Safete Rifati, Jasemine Ahmeti, Arbnora Ahmeti,

Merfide Salihu, Vjollca Sejdiu, Hyrije Salihu, Ganimete Shabani e Ramize Shabani, e disa lojtare tjera. Në foto shihet edhe trajnerja Valbona Zeqa-Rexhepi, e cila konsiderohet si trajnerja më e mirë e pas luftës dhe e cila sa ishte te Kastrioti, mbajti disiplinë dhe saqë edhe miza u ndiente në palestër, me largimin e saj, disa hendbolliste u bënë me shefa se shefat!

Por sot, në liri, plot 18 vjet e pothuajse që dhjetë vjet shtet i njohur ndërkombëtarisht, me palestra e me të gjitha, e kemi prurë hendbollin për të qeshur të gjithë, në krizë të cilësisë. Kastrioti një klub me renome, është në gjendje të mjerueshme, jo vetëm Kastrioti, por të gjitha klubet të femrat. Është koha të zgjohemi e të punojmë, mos të kukasim si gjithmonë, sepse ndaluni pak e shikoni prapa ku ishit në vitet e 90-ta e ku jemi sot! Shikojeni foton e vitit 1995, se sa keq ishim me veshje, por të fortë në aspektin sportiv e kombëtar.  Fundja, një foto e dhimbshme, por nuk u mungonte  buzëqeshja këtyre vashave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat