Bota shqiptare e vitit 1912 në shtypin austriak

Historia

Bota shqiptare e vitit 1912 në shtypin austriak

Nga: Mentor Tahiri Më: 26 nëntor 2017 Në ora: 07:30
Shkrimi i “Kronen Illustrierte Zeitung”

Shtypi në Perandorinë Austro-Hungareze, veçanërisht ai në gjuhën gjermane, i ka kushtuar vëmendje të posaçme zhvillimeve në botën shqiptare të vitit të trazuar 1912. Me lajme dhe analiza të shkruara janë mbuluar zhvillimet e zhurmshme politike dhe ushtarake. Disa detaje janë megjithatë shumë emblematike. Përveç kësaj, siç edhe ka qenë qysh atëherë traditë, lajmet janë paraqitur edhe përmes fotografive apo edhe skenave të ilustruara.

Gazeta “Kronen Illustrierte Zeitung” me 19 Nëntor 1912, paraqet në ballinë, skenën e brutalitetit serb brenda konsullatës austro-hungareze në Prizrenin tanimë të pushtuar dhe sulmin mbi vetë konsullin Oskar Prochaska.

E përjavshmja “Ainzeiger” në artikullin me titull “Das neue Albanien” (Shqipëria e re) me autor Dr.Eduard Klink, paralajmëron për ndryshimet që do të ndodhin në hartën e Evropës Juglindore . “Ainzeiger” flet për planet e mbretërive ballkanike për të copëtuar tokën shqiptare.

Image

“Harta e Evropës juglindore do të pësojë ndryshime të mëdha gjatë fundit të vitit.  Stuhia që ditëve të fundit po fëshfërinë gjethet e Evropës, me efektet e saj  do të mbetet e paharruar. Pasojat e saj nuk do të jenë krejtësisht të padukshme qoftë edhe menjëherë. Sidoqoftë, është shumë e sigurt se pa zërin e Austrisë dhe Italisë nuk do të bëhet asnjë ndryshim thelbësor në hartën e Ballkanit. Turqia evropiane do të copëtohet shumë. Fituesit do të përfshijnë në mbretëritë e tyre, pjesë të mira të tokës. Mali i zi përpiqet të bashkëngjisë Shkodrën dhe një pjesë të Sanxhakut, Bullgaria Trakinë dhe Maqedoninë, Greqia synon Epirin. Ndërsa Serbia dëshiron t’ia aneksojë vetës një pjesë të Sanxhakut dhe Kosovën.”

Artikulli i shkruar nga Dr.Eduard Klink, i botuar pesë ditë para shpalljes së pavarësisë në Vlorë, flet për një Shqipëri të re dhe kufijtë e saj.

Image

“Sipas propozimeve të Austrisë dhe Italisë, fuqitë evropiane duan të bëjnë një principatë të pavarur. Termi gjeografik Shqipëri ka shumë të ngjarë të përputhet me territorin e Principatës Shqiptare të re, pra të vijojë me Vilajetet e mëparshme turke të Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe Manastirit. Mund të shihet brenda në vijat ndërmjet Malit të zi, Vranjës, Shkupit, Epirit dhe Detit Adriatik. Kompleksi i kësaj toke autonome nuk është më i vogël se kaq. E quajnë vetën shqiptarë, nga turqit quhen Arnautë, nga Grekët Arvanitas, nga Serbët Arbanasi. Pak dihet për sjelljet dhe zakonet e tyre. Vlerësohet se në Shqipërinë e sotme ka 2 Milion shqiptarë. Por përveç tyre, ka shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të origjinës.”

Kurse padyshim kryevepra e njoftimeve nga Shqipëria, paraqitet në faqen ballinë të së përjavshmes “Das Interesante Blatt” të datës 12 Dhjetor, e cila paraqet skenën e daljes së delegatëve të Kuvendit të Vlorës, para masës e cila po priste lajmin mbi shpalljen e pavarësisë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat