Serbia duhet të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë - Bota Sot
Serbia duhet të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë

Intervista

E premte, 19 tetor 2018

Serbia duhet të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 qershor 2018 Në ora: 09:05
Isa Xhemajlaj

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Isa Xhemajlaj, ka thënë se lista me emrat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që kërkohen nga Interpoli, po ndryshon vazhdimisht. Ai në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka konfirmuar se gjendja e sigurisë në vendin tonë është e mirë.

Xhemajlaj ka theksuar se, Kosova së shpejti do të bëhet anëtare e Interpolit, derisa ka treguar se MBP ka marrë hapat e nevojshëm për të zvogëluar rrezikun nga terrorizmi.

“Bota sot”:  Sa janë duke punuar institucionet e Kosovës për anëtarësimin në Interpol?

Isa Xhemajlaj: Janë zhvilluar shumë vizita dhe takime të rëndësishme me shtetet anëtare të Interpolit dhe po presim rezultate në këtë drejtim. Institucionet e Kosovës, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë duke bërë maksimumin për sa i përket antarësimit të Kosovës në Interpol dhe deri tani ne i kemi përmbushur të gjitha kërkesat dhe detyrimet që janë kërkuar nga ne dhe po shpresojmë që së shpejti do të jemi anëtarë të kësaj organizate, pavarësisht pengesave që po bën Serbia në këtë drejtim.

“Bota sot”: Cila është gjendja e sigurisë në vendin tonë aktualisht?

Isa Xhemajlaj: Gjendja e sigurisë në Kosovë mund të themi që është e mirë. Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë, janë duke ofruar nivel të mirë të sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Si po luftohet kundër kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi?

Isa Xhemajlaj: Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë, kanë marrë hapat e nevojshëm për të zvogëluar rrezikun nga terrorizmi. Deri tani institucionet e sigurisë që veprojnë në Republikën e Kosovës janë treguar të kujdesshme ndaj këtij fenomeni. Janë hartuar edhe dy Strategji brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, siç janë: Strategjia Kundër Ekstremizmit dhe Strategjia Kundër Terrorizmit dhe ka një bashkëpunim të ngushtë në mes të akterëve të këtyre strategjive dhe mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë që veprojnë në Kosovë siç është KFOR-i, etj.

“Bota sot”: Si e komentoni arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq, nga institucionet e Kosovës?

Isa Xhemajlaj: Arrestimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq nga Policia e Kosovës ishte një veprim konform ligjit në Kosovë që duhet të zbatohet për çdo person fizik dhe jurik që shkelë rregullat dhe procedurat e një shteti.

“Bota sot”: A është dashur ai të mbahej nga organet tona, për shkak se hyri ilegalisht në territorin e vendit tonë?

Isa Xhemajlaj: Rasti normalisht është dashur të trajtohet konform ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, për kalim ilegal të kufirit të Republikës së Kosovës.

“Bota sot”:  Po, arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, si e komentoni? A e kreu Kosova detyrën e saj?

Isa Xhemajlaj: Sa i përket arrestimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, janë shkelur procedurat për deportimin e tyre.

“Bota sot”: Çka ka ndodhur me listat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që po kërkoheshin nga Interpoli?

Isa Xhemajlaj: Serbia vazhdimisht ka përgatitur lista për pjesëtarët e UÇK-së, lista këto të dorëzuara në Interpol dhe organizata tjera të sigurisë. Kjo listë, vazhdimisht ndryshon edhe pse ne po provojmë të dërgojmë fakte që këto lista në të shumtën e rasteve nuk paraqesin gjendjen reale për personat, të cilët ata i kanë futur në këto lista.

“Bota sot”: A duhet të ndodhë pajtimi me Serbinë pa njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kërkim faljen nga ana serbe për krimet e bëra në Kosovë?

Isa Xhemajlaj: Patjetër që duhet të kishte kërkim falje nga Serbia për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë dhe pastaj duhet të ndodhin njohjet reciproke.

“Bota sot”: Si të formohet ushtria e Kosovës?

Isa Xhemajlaj: Mendoj që kjo çështje duhet të bëhet në koordinim me partitë politike të Kosovës dhe aleatët ndërkombëtarë, por është pozitive se FSK nga aspekti i ngritjes profesionale qëndron mirë.

Tani duhet bashkëpunim më i madh me shtetet anëtare të NATO-së për t’u bërë ushtri dhe për t’i pasur kapacitet e plota mbrojtëse duhet zhvilluar biseda se si do të bëhet dhe kush do i marr përgjegjësitë për mbrojtjen e hapësirës ajrore në rast të kërcënimeve nga jashtë, sepse Republika e Kosovës nuk ka kapacitete për mbrojte të hapësirës ajrore.

“Bota sot”: A do të kandidoni në zgjedhjet e reja komunale sërish për kryetar të Drenasit?

Isa Xhemajlaj: Është ende herët, të shohim si do të zhvillohen ngjarjet politike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test