Zyrtare: Më 14 janar fillon greva e përgjithshme në arsim

Kosova

Zyrtare: Më 14 janar fillon greva e përgjithshme në arsim

Më: 10 janar 2019 Në ora: 17:20
SBASHK

Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, të të gjitha niveleve do të jenë në grevë nga 14 janari dhe deri në realizimin e kërkesës së tyre.

Kështu kanë bërë të ditur përfaqësues të SBASHK-ut në mbledhjen e jashtëzakonshme. Ata kanë thënë se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritet 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se situata në arsim është e tensionuar, e sipas tij, vendimi për grevë ka ardhur me kërkesë të përfaqësuesve të arsimit nga të gjitha komunat e komunës.

Jasharaj: Në grevë prej 14 janar

“Situata në arsim është tejet e tensionuar dhe të gjithë kryetarët duke e përcjellë zërin e mësimdhënësve, të gjithë përfaqësuesit e çerdheve, po ashtu dhe të universiteteve,  janë kategorikë, pasi që gjërat nuk kanë lëvizur si duhet, janë kategorikë që arsimi në tërësi të shkojë në grevë më 14 janar dhe këta janë ata që vendosin”,  ka thënë Jashari.

Jasharaj ka thënë se po i lëndon fakti që qeveria po i konisderon legjitime kërkesat e tyre, e në anën tjetër nuk po ua plotëson.

Jasharaj: Rritjet e koeficientit në arsim ishin kozmetike

“Me zërin tuaj kemi kërkuar që të ndryshojnë koeficientët në atë mënyrë që sistemi arsimor i tëri, nga çerdhet e deri në universitet të kenë vend meritor në këtë projektligj. Ne nuk kërkuam as më shumë dhe as më pak nga të tjerët, por ndodhi ajo që nuk është dashur të ndodhë, gjersa në sektorët tjerë kishte vazhdimisht korrigjim të koeficientëve, në sektorin e arsimit këto korrigjime ishin tepër kozmetike”, ka thënë Jasharaj

Mbledhjes i është bashkuar edhe ministri i Arsimit, Shqyqiri Bytyqi, i cili u tha sindikalistëve se greva nuk është zgjidhje, e sipas tij, vetëm sa do ta dëmtojë procesin mësimor. Kreu i arsimit ka thënë se pasojat e kësaj greve do t’i bartin të rinjtë.

Bytyqi: Greva i dëmton më së shumti fëmijët

“Mos të bëhemi pengesë e zhvillimit të procesit mësimor, sepse konsideroj që pengesa e procesit mësimor do t’i dëmtonte më së shumti fëmijët tanë, të juajt, të të gjithë neve, dhe pastaj është vështirë që këtë dëmë që mund ta shkaktojmë ta kopensojmë, se diçka që kompensohet lehtë, nuk e kemi problem, por të tentojmë diçka në këtë formë, konsideroj se çdo dëmtim që sot mund t’ia shkaktojmë fëmijëve tanë, do ta kemi shumë vështirë ta kompensojmë”, ka thënë Bytyqi.

Pikërisht të hënën, kur pritet të fillojë greva, Bytyqi ka ftuar sindikatat në takim me Komisionin Parlamentar për Arsim, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Megjithatë, ministri Bytyqi e konsideron të lartë kërkesën për rritje të 30 përqind të koeficientit për paga.

Bytyqi: Kërkesa për rritje është e lartë

“Gjithsesi, unë mendoj se ndoshta kërkesa që është sot aktuale në tavolinë, rritja 30 përqind e koeficientit është një rritje jashtëzakonisht e madhe, sepse do të ketë një ndikim që ndoshta mund të jetë i papërballueshëm dhe në këtë aspekt ne mendojmë që duhet ta diskutojmë, cilat do të jenë mënyrat që do t’i qasemi që të bëjmë zgjidhje”, ka thënë Bytyqi.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Fadil Halimi nga sindikata komunale e Podujevës por edhe sindikalistë të tjerë, kanë kërkuar që kërkesës për rritje të koeficientit, t’i bashkëngjitet edhe kërkesa për dorëheqjen e ministrit të arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Mirëpo, kryetari Jasharaj ka thënë se njëherë e kanë primare kërkesën për rritje të koeficientit.

Lidhur me grevën, SBASHK ka lëshuar edhe një vendim, përmes së cilit kanë bërë thirrje që gjatë periudhës sa janë në grevë, të ndërpritet çdo aktivitet që lidhet me mësim.

Njëherësh, ata kanë bërë të ditur se greva do të mbahet çdo ditë nga ora 09:00 deri në 12:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat