Klinika Ortopedisë prioritet i investimeve në SHSKUK - Bota Sot
Klinika Ortopedisë prioritet i investimeve në SHSKUK

Kosova

Klinika Ortopedisë prioritet i investimeve në SHSKUK

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 15:08
Ilustrim

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, në kuadër të prioriteteve, përveç Klinikës së Kardiologjisë Invazive dhe Oftalmologjisë, e ka vendosur edhe Klinikën e Ortopedisë, duke ndarë mjete për ofrimin shërbimeve mjekësore, të cilat kanë munguar vitet e shkuara dhe pacientët është dashur të kërkojnë shërim jashtë vendit.

Nga buxheti i SHSKUK-së për vitin 2019 për këto klinika janë dhënë më shumë se 2 milionë euro, mjete këto të cilat sipas drejtorit të Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, do të destinohen në pajisje mjekësore dhe material shpenzues, që nuk janë të përfshira në listën esenciale.

Në mungesë të buxhetit, Tolaj thotë se më herët ka qenë e pamundur të përmbushen kërkesat e pacientëve dhe kështu, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, ata është dashur të dërgohen për trajtim jashtë Kosovës, me shpenzime shumë më të mëdha, duke rënduar buxhetin e shtetit.

“Sipas një përllogaritje, me 600 mijë euro ne do të mund t’i realizojmë dhe t’i përmbushim të gjitha kërkesat për pacientët, të cilët do të trajtohen brenda vitit 2019 për lloje të patologjive të ndryshme”, tha ai.

Me funksionalizimin e sallës së katërt që pritet të ndodhë shumë shpejt, Tolaj thotë se lista e pritjes për proteza dhe ligamente do të zvogëlohet dukshëm.

Me sallën e re dhe mjetet e ndara, ai beson se do të ketë numër më të madh të shërbimeve, mes tyre edhe disa operacione specifike në kirurgjinë spinale, të pakryera më herët.

“Materialin tjetër, të cilin e kemi planifikuar që të përdoret, është ai për kirurgji spinale, edhe pse setin për ndërhyrje primare në boshtin kurrizor e kemi. Sikurse për nyjat tjera të gjurit, kërdhokullës, krahut edhe në pjesën e kurrizit, me ardhjen e materialit, kemi mundësi të kryejmë disa operacione specifike”, tha Tolaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...