Sjaastad: Arsimimi, faktori më i rëndësishëm i suksesit

Kosova

Sjaastad: Arsimimi, faktori më i rëndësishëm i suksesit

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 15:00
Ambasadori i Norvegjisë Per Strand Sjaastad

Ambasada Norvegjeze ka mbledhur sot përfaqësues të bizneseve, të instituteve, partnerë dhe stafin e projektit KosLift në një takim informal për të hapur dhe identifikuar faktorët kyç të suksesit, ku vendin kryesor e zuri arsimimi.

Me këtë rast, Ambasada Norvegjeze, IPKO Foundation dhe RIT Kosova (A.U.K) kanë prezantuar projektin KosLift, me ç’rast u tha se janë bashkuar në një mision të përbashkët, zhvillimin e teknologjisë së komunikimit dhe informimit në Kosovë.

Aty u tha se është mbresëlënëse pjesëmarrja e vajzave në projektin KosLift, prej më shumë se 70 përqind.

Ambasadori i Norvegjisë Per Strand Sjaastad, tha se ICT ka një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, teksa ka theksuar se arsimi është faktori më i rëndësishëm në këtë drejtim.

Sjaastad: Arsimimi, faktori më i rëndësishëm i suksesit

“Do te doja ta quaja familje e zgjeruar dhe arsyeja është se të gjithë jemi në këtë me po të njëjtin mision. Ky mision është promovimi i sektorit të ICT (Teknologjisë së Komunikimit dhe Informimit) në Kosovë. Të gjithë besojmë që ky shtet ka potencial të madh në sektorin e ICT dhe besoj që mund të shndërrohet në një nga sektorët më të rëndësishëm në Kosovë në vitet në vijim. Megjithatë janë disa faktorë kritikë që nevojiten për të arritur këtë. Dhe këta faktorë kritikë janë: arsimimi, arsimimi dhe vetëm arsimimi, siç ka thene Tony Blair 20 vjet më parë. Tregtia dhe hulumtimi janë pjesë e kësaj, si dhe themelimi i ekipeve të gjera brenda Kosovës me ndihmën e partnerëve si Ipko Foundation dhe Ambasada Norvegjeze dhe donatorë të tjerë që duan ta ndihmojnë Kosovën në arritjen e qëllimeve të veta”, tha ai.

Teresa Crawford nga IPKO, prezantoi disa nga të veçantat e këtij projekti, e që sipas saj, janë edhe statistikat, sipas të cilave del se vajzat përbëjnë 70 përqind të aplikantëve.

Crawford: Kemi pranuar 240 aplikantë nga 500 sa kanë aplikuar

“Kemi qenë shume ambiciozë me projektin KosLift sepse çdo vit mbi 5 mijë të rinj nga Universiteti i Prishtinës dhe RIT Kosovo, hyjnë në tregun e punës. Ky është një numër i madh i të rinjve, duke kërkuar punë dhe mundësi. Nuk donim të propozonim një projekt që do të përfshinte vetëm një numër të vogël të të rinjve, sepse e dinim që me këtë numër të madh që diplomojnë çdo vit, për të bërë ndryshim duhet të përfshinim një numër më të madh. Kështu që, kemi caktuar një synim që brenda tre vjetëve  të targetojmë 1 mijë të rinj të cilët do të fitojnë llojet e shkathtësive që ju duhen për të qenë të suksesshëm në punën e tyre dhe për të ndihmuar sektorin e biznesit në Kosovë... Deri më tani kemi pranuar 500 aplikantë, 240 janë pranuar. Jam shumë krenare të tregoj se nga 240 sa janë pranuar, mbi 70 përqind janë femra, një statistikë shokuese”, u shpreh ajo.

Ron Cami, nga RIT Kosovo, tha se si institucion luftojnë për mundësi më të mira për studentët.

Ai tha se RIT Kosovo, është i përkushtuar për arsimimin e të rinjve, ndërsa, i inkurajon ata drejt mendimit kritik.

Cami: Ne u mësojmë të rinjve shkathtësitë bazike dhe nxisim mendimin kritik

“Ne besojmë që truri është një muskul dhe i mësojmë të rinjve shkathtësi bazike, por më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është të menduarit kreativ dhe kritik. Këto janë aftësitë që ua mundësojnë atyre të bëjnë gjëra në të ardhmen të cilat ne s’mund t’i paramendojmë. ICT-ja më shumë se çdo gjë tjetër kërkon të menduarit kreativ dhe inovacion… Por e ardhmja është në aftësinë për të zgjedhur problemet në një mënyrë të re, ndryshe dhe të veçantë duke rikujtuar gjërat që kanë mësuar në të kaluarën por duke i bërë në mënyrën e tyre”, tha ai.

Ndryshe, projekti KosLift pritet që të fillojë në muajin mars. Ndërsa projekti ka për qëllim të mbështesë studentë të Universitetit të Prishtinës dhe RIT Kosovës (A.U.K), si dhe 60 biznese kosovare në sektorët e energjisë, TIK-ut dhe prodhimit në ngritjen e aftësive të nevojshme dhe kapaciteteve për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në sektorin e biznesit në Kosovë dhe rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat