Si përfundoi në polici i dyshuari për vrasjen e djeshme në qendër të Prishtinës, mësoni detajet

Kosova

Si përfundoi në polici i dyshuari për vrasjen e djeshme në qendër të Prishtinës, mësoni detajet

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 11:41
Foto ilustrim

Prishtina u trondit nga një vrasje që ndodhi dje në pikë të ditës. 27-vjeçari, Abid Jashari, mbeti i vrarë nga plumbat që u shkrepën në drejtim të tij, derisa po voziste veturën. I dyshuari kryesor për këtë vrasje, B.Sh., është vetëdorëzuar sot në stacion dhe ka dorëzuar armën e zjarrit. 26-vjeçarit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

I dyshuari kryesor për vrasjen që ndodhi dje në Prishtinë, B.Sh. është vetëdorëzuar në stacion policor. I njëjti ka dorëzuar edhe një armë zjarri (revole) e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë.

"Intensiteti i punës së hetuesve policorë, të cilët që nga momenti kur ka ndodhur rasti kanë bastisur gjashtë lokacione për të lokalizuar/arrestuar të dyshuarin, si dhe thirrjet zyrtare nga ana e tyre, kanë bërë që sot rreth orës 07:00 i dyshuari kryesor për këtë rast: B. Sh., mashkull 26 vjeç, të vetëdorëzohet në stacion policor. I njëjti ka dorëzuar edhe një armë zjarri (revole), e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë", thuhet në njoftimin e Policisë.

Aktualisht hetuesit policorë po kryejnë procedurat e nevojshme policore, ndërkohë që personit të dyshuar, nga ana e prokurorit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ndërkohë, vrasja e Abid Jasharajt është rasti i tretë i vrasjes në Kosovë brenda këtij viti. Vrasja e parë në vitin 2019 ka ndodhur më 1 janar, në një familje nga komuna e Gjilanit.

Dyshohet se burri ka vrarë aksidentalisht gruan e tij, përderisa ishte duke festuar me armë Vitin e Ri.

Policia tha se burri J. J. (1956) pas ndërrimit të moteve kishte dalë para shtëpisë me pushkën e gjuetisë dhe nga pakujdesia ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, tani të ndjerë Z.J. (1956). 

Vrasja e dytë ndodhi javën që e lamë pas, ku mbeti i vrarë Mentor Aliu nga Ferizaj. Dyshohet se motivi i kësaj vrasjeje ishte një hakmarrje e vjetër mes familjes së tij dhe të dorasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat