QKUK, hiqet lista e pritjes për scintigrafi

Kosova

QKUK, hiqet lista e pritjes për scintigrafi

Më: 4 mars 2019 Në ora: 12:51
Foto ilustrim

Lista e Pritjes për Scintigrafi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është hequr, pas vendimit për shërbim 24 orësh.

Scintigrafia është një lloj i veçantë i procedurës së mjekësisë nukleare që përdor sasi të vogla të materialit radioaktiv për të diagnostikuar dhe vlerësuar seriozitetin e një sërë sëmundjesh, duke filluar nga ato të skeletit, zemrës, mushkërive, mëlçive etj.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar po angazhohen, në mënyrë që gjatë vitit 2019 të hiqen listat e pritjes edhe për shërbimet tjera që ofrohen në QKUK.

Drejtori i Shërbimit Klinik të Njësisë Nukleare, Fakir Spahiu, thotë se me miratimin kujdestarive pacientët marrin shërbimin brenda një jave.

“Pas miratimit të kujdestarive, në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të SHSKUK-së, kemi marrë vendim që nga 1 dhjetori i vitit 2018, të fillojmë me shërbimin e kujdestarisë dhe për tre muaj e kemi hequr listën e pritjes.  Domethënë listë të pritjes në Shërbimin Klinik të Njësisë Nukleare nuk ka. Shërbimet e të gjitha scintigrafive që kërkohen, ne i kryejmë brenda një jave”, tha Spahiu.

Gjatë muajit janar, pas heqjes së listës së pritjes, në QKUK janë kryer 85 scintigrafi të eshtrave, 12 të veshkave, 5 të mushkërive dhe 80 të gjëndrës tiroide.

Ndryshe, sipas raportit të punës, vetëm gjatë kujdestarive për një muaj janë ofruar 197 shërbime të scintigrafisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat