Dy të arrestuar për vrasjet në Suharekë - Bota Sot
Dy të arrestuar për vrasjet në Suharekë

Kosova

Dy të arrestuar për vrasjet në Suharekë

Më: 17 mars 2019 Në ora: 17:06
PK

Mëngjesi i ditës së sotme e gjeti në një situatë të pazakontë Suharekën, për shkak të dy vrasjeve që ndodhën këtë të diel. Fillimisht u raportua për një vrasje në një lokal të lojërave të fatit në këtë qytet, ndërsa brenda pak orësh u raportua edhe për një vrasje në Studenqan.

Në vrasjen që ndodhi në kazinonë në rrugën e Reshtanit, ka mbetur i vrarë Jetmir Alijaj, punëtor në këtë lokal, ndërsa dëshmitarët thonë të mos kenë dëgjuar të shtëna.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar një polic me gradën e rreshterit.

Pas vrasjeve në Suharekë, është mbajtur një konferencë për media nga Policia e Kosovës, ku drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka treguar për hapat që ka ndërmarrë policia dhe deri ku kanë shkuar hetimet për këto dy raste.

Krasniqi tha se dorasit i është konfiskuar arma e zjarrit dhe pajisjet tjera, ndërsa me urdhër të prokurorit rreshteri i policisë është arrestuar për 48 orë.

Krasniqi: Një rreshter i policisë është i dyshuar për vrasjen në kazino

“Në bazë të provave materiale të gjetura në vendin e ngjarjes, në koordinim me prokurorin e shtetit, me informacionet e para, e kemi kuptuar se viktima është me inicialet J.A, nga fshati Mushtisht i Suharekës, rreth 30-vjeçar, i cili është i vrarë me armë të zjarrit. Dhe, në konsultim me prokurorin dhe njësitet e hetuesisë kemi arritur t’i mbledhim menjëherë disa prova materiale dhe kemi ardhur në përfundim se personi i mundshëm i dyshimtë për momentin është një pjesëtar i Policisë së Kosovës, rreshter në stacionin policor ‘veri’ në Prizren, i cili është në transfer nga hetimet e IPK për shkak të një hetimi të mëhershëm. Është bërë bastisja e një banese në Suharekë ku ai jeton dhe pastaj edhe në shtëpitë përcjellëse në vendlindjen e tij”, tha ai.

Ndërsa në rastin në Studenqan, vrasja ka ndodhur mes vëllezërve, ndërsa bëhet e ditur se arsyet ishin për çështje pronësore, ku ka mbetur i vdekur 54-vjeçari I.B, ndërsa dorasi është arrestuar.

Krasniqi: Vrasja e dytë ka të bëjë me çështje pronësore

“Atje e kemi kuptuar se bëhet fjalë për të shtëna me armë zjarri, me një person të vdekur dhe një viktimë e gjinisë femërore, e cila rastësisht është plagosur për shkak të të shtënave të pakontrolluara nga i dyshuari që ka bërë vrasjen në atë vend. Bëhet fjalë për vëllezër, pas një konflikti që dyshimet e para mund të jenë për çështje pronësore. Viktima ka qenë i arrestuar më herët, për një vrasje tjetër, ku ka mbajtur diku 14 vjet burg”, u shpreh ai.

KosovaPress ka qëndruar në Suharekë, në të dy vendet ku kishin ndodhur vrasjet e sotme, ku ka marrë informacione nga dëshmitarë okularë.

Rr. B., e cila punon në afërsi të objektit të lojërave të fatit ku u vra sot 35-vjeçari, Jetmir Aliaj, ka thënë se sot nuk kishin vërejtur se diçka e pazakontë kishte ndodhur aty parim.  

Sipas asaj që thotë ajo, vrasja mund të ketë ndodhur në orët e para të ditës së sotme, para orës 7 dhe se i ndjeri ishte punëtor i kazinosë ku edhe u vra.

B: Lokalin e kemi hap në ora 7, nuk ka pasur krisma

"Kemi qenë duke punuar prej mëngjesit, prej orës 7. Nuk ka pasur as krisma, as kurrgjë, vetëm kur e kemi parë policinë në ora 10. I ndjeri ka qenë prej fshatit Mushtisht. Nuk ka pasur kurrfarë të dyshuari, tjetër gjë nuk kemi parë", tha ajo.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këtë vit, janë tri raste më pak të vrasjeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të tyre, në janar 2018 deri në muajin mars kanë qenë 9 raste të vrasjeve, ndërsa në vitin 2019 kanë qenë 6 raste.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...