Gjashtë raste të dhunës në familje u regjistruan të dielën

Kosova

Gjashtë raste të dhunës në familje u regjistruan të dielën

Më: 18 mars 2019 Në ora: 12:33
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në tërë vendin janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje.

Gjatë ditës së djeshme në tërë vendin janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje dhe siç njofton Policia e Kosovës, tre prej tyre kanë ndodhur në komunën e Gjakovës.

Gjatë mëngjesit të ditës së djeshme në Malishevë, Policia ka arrestuar një të dyshuar pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër të kombësisë shqiptare.

Siç bën të ditur Policia, viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Ndërkaq gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe është konfiskuar një AK 47 me 21 fishekë të kalibrit 7.62mm.

“I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurori është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti i dytë është regjistruar në mesditë në qytetin e Gjakovës, ku Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar me probleme psikike, pasi që i njëjti ka kanosur dhe ka sulmuar fizikisht një femër.

“Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bën të ditur Policia.

Po ashtu në po të njëjtën orë, pra në ora 13:00 në qytetin e Gjakovës është regjistruar edhe rasti i tretë i dhunës në familje.

Policia ka bërë të ditur se është arrestuar një i dyshuar, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka demoluar mobilet dhe ka dëbuar me forcë nga shtëpia një femër.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor ndërkaq, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i katërt i dhunës në familje është regjistruar në orët e mbrëmjes në Fushë Kosovë.

Sipas Policisë në ora 20:47, është arrestuar një i dyshuari, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në njoftim.

Edhe në qytetin e Prizrenit është regjistruar një rast i dhunës në familje.

Sipas Policisë, në ora 17:00, është arrestuar një i dyshuar, pasi që i njëjti dyshohet se kishte sulmuar fizikisht dy femra.

“Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor ndërsa i dyshuari, pas intervistimit në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Ndërsa rasti i gjashtë i dhunës në familje është regjistruar gjatë mesditës në fshatin Dobrushë të Istogut.

Policia në ora 12:05 ka arritur që të arrestoj një person i cili dyshohet se kishte sulmuar fizikisht një femër duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat