Ministri Tahiri informon ambasadorët e BE-së për zhvillimet në sundimin e ligjit

Kosova

Ministri Tahiri informon ambasadorët e BE-së për zhvillimet në sundimin e ligjit

Më: 19 mars 2019 Në ora: 15:32
Pamje nga takimi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë një takimi sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, ka diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë dhe reformat e ndërmarra legjislative të këtij sektori.

Ai me këtë rast përmendi ndryshimet e bëra nisur nga Kodi i ri Penal, reformimin e politikës së parandalimit të konfliktit të interesit përmes Ligjit të ri që rregullon këtë fushë, Pakon Kundër Korrupsionit si dhe Pakon e ligjeve të Gjyqësorit.

Sipas ministrit Tahiri, ndryshime thelbësore janë bërë edhe në Draft Kodin e Procedurës Penale, ndërsa aktualisht po punohet në Projektligjin për Deklarim të Pasurisë.

Ai ka përmendur edhe Agjendën e përbashkët “Drejtësia 2020”, e cila synon të adresojë pesë probleme themelore: reduktimin e backlogut; plotësimin e kapaciteteve; koordinimin ndërinstitucional; rritjen e performancës dhe përgjegjësisë së organeve të pavarura të zbatimit të ligjit; si dhe zbatimin efikas të ligjeve.

Ndonëse janë pushtete të ndara, ministri Tahiri ka theksuar se bashkëpunimi me “Drejtësia 2020” është bërë për të rritur dhe për të përmirësuar në përgjithësi sistemin e drejtësisë.

Ai ka potencuar se përveç në këtë agjendë, do të punohet edhe në procesin e rishikimit funksional, për të parë nga afër problemet dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate.

“Krahas “Drejtësia 2020” dhe agjendës legjislative, këtë vit do të punojmë shumë për të përmbyllur me sukses procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, proces i cili ka filluar tash një vit dhe ngërthen në vete procesin koordinues dhe reformues më gjithëpërfshirës në sektorin e sundimit të ligjit” ka thënë ministri Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat