Përdhunimet gjatë luftës në Kosovë, “Politico”: Asnjë nuk u dënua - Bota Sot
Përdhunimet gjatë luftës në Kosovë, “Politico”: Asnjë nuk u dënua

Kosova

Përdhunimet gjatë luftës në Kosovë, “Politico”: Asnjë nuk u dënua

Më: 26 mars 2019 Në ora: 14:33
Ilustrim

Në shkrimin e Valerie Plesch të titulluar “Trashëgimia e errët: Plagët e dhunës seksuale nga lufta e Kosovës”, thuhet se serbët e përdorën përdhunimin si mjet lufte për të shkatërruar nderin dhe identitetin e shqiptarëve.

“Politico” thotë se janë përdhunuar gra, por edhe meshkuj, ndërsa shumë pak prej tyre flasin, kjo për arsye se shoqëria kosovare mbetet konservatore. Sipas tyre, disa gra nuk iu kanë treguar historinë e tyre as bashkëshortëve, ndërsa ka raste kur ato janë përzënë nga shtëpitë prej familjarëve.

“Deri më sot, asnjë nuk është burgosur për përdhunim të kryer gjatë luftës”, shkruan “Politico”.

Ata sjellin rastin e Vasfije Krasniqi Goodman, gruaja e parë që foli hapur për përdhunimin që iu bë gjatë luftës.

Gjithashtu, “Politico” solli rrëfimin e Sanije Salihut, bija e së cilës Vjollca ishte përdhunuar dhe torturuar kur ishte kidnapuar një natë në Gjakovë dhe për të e kishin kuptuar pas disa javësh se ishte në spital në Beograd. Më vonë, Vjollca ndërroi jetë nga plagët e marra.

Po ashtu, ishte përshkruar edhe rasti i “Lulit”, një mashkulli i cili ishte përdhunuar. Ai ishte përdhunuar kur ishte 21-vjeç. Pas atij akti, kur ai ishte kthye në shtëpi i gjakosur i tregoi babait të tij se çfarë kishte ndodhur. I ati i kishte thënë se nuk duhej t’i tregonte askujt sepse do të humbnin nderin e familjes dhe do të duhej të largoheshin.

Pasi ishte martuar, ai i kishte treguar bashkëshortes dhe ajo ia kishte mbathur menjëherë të nesërmen. Tashmë, “Luli” është martuar sërish, por kësaj radhe ka vendosur të mos i tregojë gruas së dytë.

“Politico” raporton për punën e organizatave që veprojnë në Kosovë dhe merren me rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale, ndërsa thotë se së fundmi qeveria njeh statusin e tyre dhe i shpërblen me një pagë mujore prej 230 eurosh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...