Kërkohet implementimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

Kosova

Kërkohet implementimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

Më: 10 prill 2019 Në ora: 11:03
Foto ilustrim

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i është drejtuar me një letër kryeministrit Ramush Haradinaj me rastin e 5-vjetorit të hyrjes në fuqi e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, të cilët sipas tyre nuk është respektuar nga asnjë qeveri, ndërsa kanë frikë se kjo nuk do të mund të ndodhë as në qeverisjen aktuale.

“Me këtë trend të përgatitjeve për implementimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, edhe qeveria e juaj nuk do të arrij ta implementojë. Kësisoj, qytetarët e Kosovës do të mbesin edhe gjatë qeverisë tuaj nën mëshirën e portaleve duke kërkuar ndihmë për trajtimin e sëmundjeve. Arsye kryesore që pse nuk po implementohet ky ligj, mendojmë se ka qenë dhe mbetet mungesa e vullnetit që qeverive të deritanishme, duke përfshirë edhe këtë aktuale”, thuhet në letrën e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë.

Ata kërkojnë nga Haradinaj që shëndetësinë në përgjithësi dhe sigurimet shëndetësore në veçanti, t’i vë në prioritet të programit qeverisës.

“Të gjithë resorët qeveritarë janë të rëndësishëm për jetën e qytetarëve por pa shëndet, të gjitha e humbin kuptimin. Të angazhojë të gjitha dikasteret përkatëse qeveritare për përshpejtimin e përgatitjeve të këtij procesi. Sigurimet shëndetësore janë çështje ndërsektoriale (madje nacionale) dhe si të tilla, një ministri e vetme, vështirë mund t’i shtyjë proceset përpara”, vijon letra.

Shoqata kërkon të ketë një plan të qartë të implementimit të skemës së sigurimeve shëndetësore, me të cilin do të jetë i informuar edhe publiku.

“Këto janë nevoja të domosdoshme që sistemi shëndetësor të marr një kahe të mbarë. Në të kundërtën, një vend që të zhyt në varfëri vetëm se t’i kërkon shërim aty, ai vend bëhet i pajetueshem”, mbyllet letra e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat