Fermerët nga sot mund t’i sigurojnë kulturat bujqësore

Kosova

Fermerët nga sot mund t’i sigurojnë kulturat bujqësore

Më: 11 prill 2019 Në ora: 13:13
Foto nga takimi

Nga sot fermerët e bujqësisë do të kenë mundësinë që t’i sigurojnë kulturat bujqësore përmes sistemit kombëtar për sigurime nga rreziqet e shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Fillimisht janë licencuar që të sigurohen gjashtë produkte të prodhimtarisë.

Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare anëtare e grupit të Bankës Botërore, sot prezantuan për herë të parë në Kosovë produktet e sigurimit bujqësor për mbrojtjen e fermerëve nga rreziqet e shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Ziviq, e cila mori pjesë në lansimin e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë, Projekti ECA Agri-Financa, tha se gjatë viteve të kaluara fermerët kosovarë në bujqësi kanë pësuar humbje të mëdha në produktet bujqësore për shkak të kushteve klimatike, por sot e tutje fermerët mund t’i sigurojnë kulturat e tyre bujqësore.

Ziviq tha se Ministria e Bujqësisë do t’i subvencionojë fermerët për një policë sigurimi me 50 përqind.

Ajo tha se sigurimi i bujqësisë gjithashtu fermerëve u ofron vazhdimësi të veprimtarisë, gjë që çon në të hyra më të qëndrueshme për fermerët dhe ndihmon në ngritjen e eksportit, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e huamarrësve për këtë sektor.  

Ziviq: Ministria e Bujqësisë do të subvencionoj deri 50 përqind të shpenzimeve

“Sot e tutje fermerët tanë do të mund t’i mbrojnë të lashtat e tyre, produktet e tyre dhe ajo që është më rëndësishmja të ardhurat e tyre me të cilat sigurojnë jetesën për familjet e  tyre. Veç kësaj kemi krijuar një sistem dhe Ministria e Bujqësisë ka vendosur që të subvencionoj deri 50 përqind të shpenzimeve, plus për çdo policë që fermerët ose bujqit do ta blejnë”, tha Ziviq

Image

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, tha se Austria në mënyrë strategjike është e fokusuar në fushën e sigurimeve në bujqësi. Pfandler theksoi se Kosova ka një sipërfaqe bujqësore mjaft me rëndësi për këtë sektor, por që humbjet në këtë sektor janë të mëdha për shkak të fatkeqësive natyrore. 

Sipas tij, bujqësia kosovare nuk është imune nga ngricat pranverore, të cilat rezultojnë me 18 përqind humbje nga të gjitha kulturat bujqësore në vlerë përafërsisht 30.5 milionë euro për vit.

Pfandler: Kosova ka tokë bujqësore e cila nuk punohet sa duhet

“Kosova ka një historik të pasur, të begat bujqësor, tokë pune e cila nuk punohet sa duhet dhe ekonomia pengohet nga mungesa e investimeve. Përkundër potencialit për hortikulturë, edhe më tutje Kosova shumë mbrapa niveleve evropiane. Skema e sigurimeve në sektorin bujqësor është një prej atyre pjesëve që e ploëtson mozaikun për zhvillimin e sektorit bujqësor në këtë vend në mënyrë që të ketë ngritja të prodhimtarisë bujqësore në vend”, tha Pfandler.

Image

Ndërsa, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz i pranishëm në këtë ngjarje, tha se investimet në bujqësi ndikojnë në rritjen e eksporteve dhe paralajmëroi se disa investitorë hungarez janë në negociata për të hapur fabrika në Kosovë.  

Markusz: Investitorë hungarezë janë në negociata për të investuar në Kosovë

“Rivitalizimi i kësaj fushe të industrisë do të jetë shumë i dobishëm për Kosovën për rritjen e shkallës së eksporteve drejt tregjeve evropiane. Gjithashtu ky sektor ofron edhe vende të reja pune. Mund të them se ka kompani hungareze që janë në negociata për të hapur fabrika në Kosovë për prodhimin e makinave bujqësore”, tha Markusz. 

Dardan Velija nga Bordi i Shoqatës së Prodhuesve Komercial të Frutave,  tha se fermerët në sektorin e bujqësisë nuk kanë qasje në financa për realizmin e projekteve. Sipas tij, fermerët duhet të ndihmon në financimin e  projekteve gjatë procesit të investimeve, dhe jo pas realizmit të projektit. 

Veliaj: Korrupsioni problem në bujqësi

“Financimi në proces të investimit dhe jo pas investimit. Vonesa e pagesave të subvencioneve ka qenë sfidë e vazhdueshme dhe natyrisht korrupsioni, që e prek edhe këtë sektor, ikur çdo sektor tjetër”, tha Velija.

Në këtë ngjarje sot është nënshkruar polisa e parë e sigurimit me një fermer kosovar.

Sami Mazreku drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve në Kosovë duke vlerësuar lartë këtë të arritur, tha se që nga sot fermerët kosovarë kanë mundësi t’i sigurojnë kulturat bujqësore.

Mazreku: Sigurimet bujqësore do të sjellin përfitime për mirëqenien e përgjithshme

“Duke marrë parasysh rëndësinë e sektorit bujqësor në Kosovë, krijimi i sistemit të sigurimeve bujqësore do të sjellë shumë përfitime për palët e interesit dhe për mirëqenien e përgjithshme të vendit. Si dhe mbrojtja e të ardhurave të fermerëve nga rreziqet e dështimit të kulturave dhe mbrojta e konsumatorëve nga mungesa e ushqimeve ushqimore”, tha Mazreku.

Ndërsa, Leah Soroka menaxhere e programit IFC projekti për financimin e bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, tha se Kosova sot me këtë projekt po e përmbushë një kërkesë të BE-së për sigurimin e produkteve të bujqësisë. 

Soroka tha se sigurimi i bujqësisë është një komponentë thelbësore për ta bërë sektorin e bujqësisë më konkurrues, për ta forcuar mjedisin e përshtatshëm dhe për t’i rritur aftësitë teknike në mënyrë që të ndihmohet në uljen e rrezikut. Sistemi i ri i sigurimit të bujqësisë do të ndihmojë në rritjen e besimit për sa i përket huadhënies për bujqësi, dhe kjo do të ndihmojë pastaj në rritjen e produktivitetit dhe profitabilitetit në Kosovë.

Zëvendësguvernatori i BQK Lulëzim Ismajli, tha sektori i bujqësisë konsiderohet mjaft me rëndësi edhe për zhvillimin ekonomik, por që është sektori më pak i kredituar në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat