Pak shpresë për fermerët e Rahovecit, kryetari thotë se nuk kanë të drejtë të ankohen për dëmet e breshërit

Kosova

Pak shpresë për fermerët e Rahovecit, kryetari thotë se nuk kanë të drejtë të ankohen për dëmet e breshërit

Më: 25 prill 2019 Në ora: 20:54
Arkiv

Po vazhdojnë të zbehen shpresat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet në komunën e Rahovecit.

Në vitin 2018, kur fermerëve e komunës së Rahovecit iu dëmtuan pothuajse të gjitha të mbjellurat nga kushtet klimatike që u përcollen me breshër e vërshime, kryeministri Haradinaj u premtoi atyre kompensim.

Pothuajse një vit pas kësaj ky kompensim nuk ka ndodhur e në mbledhjen e qeverisë u diskutua edhe për mungesë të fondeve.

Media ka kontaktuar edhe me kryetarin e Rahovecit nga radhët e AAK-së, Smajl Latifi i cili e kishte përshëndetur vendimin e kryeministrit Haradinaj për kompensim të këtyre dëmeve, dhe ai ka thënë se nuk është i gatshëm të komentoj.

“Nuk jam i gatshëm të komentoj. I kemi relacionet tona me qeverinë dhe besojmë që do të kompensohen fermerët e dëmtuar”, tha Latifi.

I pyetur nëse ka pasur ankesa në komunën e Rahovecit nga fermerët ai tha se nuk iu takon fermerëve si e drejtë ligjore kompensimi.

“Po s’ka nevojë me dhanë komente më shumë. Ankesa nuk ka sepse fermerëve nuk iu takon kjo e drejtë ligjore, por qeveria ka hyrë në këtë obligim, ka marrë vendim dhe duhet ta zbatojë vendimin”, tha Latifi.

Në mbledhjen e qeverisë gjithashtu është thënë se në disa komuna ka ndodhur kompensimi, por këtë gjë e ka mohuar kryetari i Rahovecit.

“Kompensim në bujqësi nuk ka ndodhur askund. Kompensimi në Suharekë është për infrastrukturë publike dhe amvisëri jo për bujqësi. Në Mamushë ka pasë një kompensim emergjent, ndërsa në Suharekë dhe komuna tjera nuk ka ndodhur implementim i vendimit për kompensim të dëmeve. As në Ferizaj, as Fushë Kosovë, as Rahovec që është dëmtuar më së shumti”, tha Latifi.

Ndërkohë, fermerët e Rahovecit vazhdimisht janë ankuar për mos-implementimin e këtij vendimi të kryeministrit Haradinaj.

Ata gjithashtu kanë treguar se dëmet e shkaktuara nga moti i ligë kanë qenë të papërballueshme për ta dhe i kanë kthyer me vite mbrapa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat