Blakaj për fotografinë e kontestuar: Pasojat e asaj që ndodhi sot do të vërehen në të ardhmen

Kosova

Blakaj për fotografinë e kontestuar: Pasojat e asaj që ndodhi sot do të vërehen në të ardhmen

Më: 17 maj 2019 Në ora: 00:30
Bekim Blakaj

Bekim Blakaj, Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, ka vlerësuar se publikimi i fotografisë që pretendohet se tregon serbët duke përdhunuar një grua gjatë luftës në Kosovë, do të ketë pasoja.

Ai ka shprehur keqardhje që një foto e tillë u publikua, origjinaliteti i se cilës është vënë në dyshim.

“Është për keqardhje që në hollin e Kuvendit të Kosovës të tregohen foto të tilla, e që për fat të keq dolën që nuk janë shkrepur fare në Kosovë. Institucionet edhe në mungesë të një qasje të duhur po shërbehen me prova të tilla që nuk mund të merren seriozisht”.

“Pasojat e asaj që ndodhi sot, natyrisht do të vërehen edhe në të ardhmen”.

Blakaj theksoi se çdo nismë duhet të jetë sistematike dhe të jetë e dokumentuar në mënyrën e duhur.

“Mendoj që është e papranueshme që me një foto të tillë të shtyhet një kauzë ose një nismë që nuk ka qenë e menduar më së miri. Nismat e pamenduara nuk mund të kenë përkrahje me foto të tilla, incizime, imazhe të ndryshme edhe po të ishin të vërteta”.

“Zonja Brovina, me gjithë respektin, e tha që ka vite që e posedon këtë foto. Pse nuk e ka deponuar asnjëherë?  Në bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit,  çdo person që ka informacione për një vepër penale e ka të obligueshme të bëjë kallëzim penal”.

“Deputetët duhet të jenë pak më shumë etikë, të kenë një moral, të mos nxjerrin konkluzione të tilla pa u konsultuar me ekipe të ekspertëve. Kjo është dashur të bëhej. Në rend të parë është dashur ta raportojë në prokurorinë speciale”. Bekim Blakaj tha se një fotografi e tillë, edhe po të mos i kontestohej origjinaliteti, nuk do të duhej të publikohej në media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat