Maturantët nuk i ndalin kopjimet as sivjet, MASHT kërkon nga Prokuroria të fillojë hetimet

Kosova

Maturantët nuk i ndalin kopjimet as sivjet, MASHT kërkon nga Prokuroria të fillojë hetimet

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 14:42
Foto ilustrim

Maturantët e Kosovës janë duke iu nënshtruar pjesës së parë të testit të maturës dhe sikur edhe herëve tjera, shumica prej tyre përmes kopjimit mundohen që ta kalojnë testin e arritshmërisë. Tash e sa vjet ata i shfrytëzojnë rrjetet sociale për të gjetur përgjigjet e pyetjeve të cilat nuk i dinë.

Gjatë ditës së djeshme (e mërkurë) maturantët e rajonit të Prishtinës përmes grupeve të krijuara në Facebook dhe Viber, kanë arritur t’i shkëmbejnë përgjigjet për pyetjet e ndryshme, e njëjta gjë ka ndodhur edhe sot me maturantët e rajonit të Ferizajt dhe Gjilanit, të cilët lehtësisht kanë komunikuar sot mes vete, duke përcjellur fotografitë e testit tek njëri-tjetri.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin tha se testi i maturës në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit sot ka filluar me kohë por që kanë pasur disa probleme sa i përket marrjes së telefonave të nxënësve.

“Sot ka filluar me kohë testi i maturës, nuk raportohet për ndonjë vonesë. Disa shkolla kanë refuzuar që të hyjnë pa telefon, por pas instruksioneve tona që të mos fillojë fare testi, i kanë larguar pastaj telefonat. Mund të konfirmoj se ka më pak telefona, kanë vazhduar postimet por që janë shumë më të vogla se dje”, është shprehur ai.

Hysenaj kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të nis hetimet ndaj administratorëve të këtyre grupeve të krijuara në rrjetet sociale, duke shtuar  se tashmë Prokuroria posedon mjaftueshëm informata.

Kryetari i Komisionit deklaroi se pasi të përfundojë testi i maturës, do t’i marrin të gjitha shënimet dhe të gjithë nxënësit që do të identifikohen dhe administruesit të cilët kanë qenë në ato klasë do t’i marrin dënimet e merituara.

Kurse edhe pse ishte paralajmëruar nga MASHT-i, se në qendrat e testimit do të vendosen zhurmues të valëve, në mënyrë që të parandalohet që testi të shpërndahet në rrjetet sociale, një gjë e tillë nuk ka mundur të realizohet.

Provimit shtetëror të maturës do t’i nënshtrohen mbi 28 mijë nxënës nga e gjithë Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat