‘S’ka zhvillim të shoqërisë demokratike pa fuqizim të administratës publike’

Kosova

‘S’ka zhvillim të shoqërisë demokratike pa fuqizim të administratës publike’

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 16:26
‘S’ka zhvillim të shoqërisë demokratike pa fuqizim të administratës publike’

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova ka shprehur sot shqetësimet e saj lidhur me emërimet e personave të ndryshëm në krye te agjencive për çështje pronësore.

Gjatë diskutimit ‘Etika në Administratën Publike”, të organizatës FOL, Apostolova tha se reforma e administratës publike është e dhimbshme, por e nevojshme.

"Kemi komunikuar me zyrën e kryeministrit, sepse nga aty kanë dalë disa vendime ad-hoc që kanë sjellë shqetësime për ne. Vendimi që janë rritur pagat për këshilltarët e ministrave dhe pjesën tjetër, dhe ky vendim ishte befasi dhe u bë në momentin kur ne kemi arritur. Ky vendim ka destabilizuar stabilitetin financiar të buxhetit... Disa emërime të caktuara ne i kemi parë me shqetësim, e dini për çka e kam fjalën, shefat e agjencive që kanë të bëjnë me pronat dhe me serbët, këta njerëz duhet të jenë me kredibilitet", tha ajo.

Apostolova tha nuk mund të ketë zhvillim të shoqërisë demokratike pa fuqizim të administratës publike.

“Për të ndarë pushtetet, ne duhet të dimë si është e krijuar administrata publike. Në Kosovë, nuk kishim një ligj të posaçëm për ngritjen e zyrtarëve shtetërorë dhe për pagat... Ekziston një sfidë e madhe, sepse duhet një bashkëpunim i kryeministrit me ministritë e MAP, ministrin e Financave se si t'i qasemi kësaj reforme. Kjo është një reformë e dhimbshme", u shpreh ajo.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se Kosova duhet të përgatitet me një reformë administrative, si në vendet evropiane. Ai u shpreh se etika në administratën publike është shtyllë qendrore e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020, si dhe prioritet kryesore në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, teksa bëri të ditura të gjeturat e raportit për masat disiplinore në shërbimin civil gjatë vitit 2018.

"Është e rëndësishme të theksohet se vetëm shtatë institucione nuk i janë përgjigjur kërkesës së MAP-it, për informata, ndërsa 85 institucione të tjera kanë deklaruar se nuk kanë pasur raste të marrjes së masave disiplinore ndaj nëpunësve civil gjatë vitit 2018. Nga të dhënat e grumbulluara nga MAP, gjatë vitit 2018, duke përfshirë nivelin lokal dhe qendror, gjithsej ka pasur 82 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit antikorrupsion. Nga 82 raste, 64 raste ishin shkelje të rënda, ndërsa 18 raste ishin shkelje të lehta", tha ai.

Lidhur me nivelin qendror, ai tha se gjatë vitit 2018, janë 43 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit antikorrupsion.

Yagcilar bëri të ditur se në 33 raste janë përfshirë shkelje të rënda, ndërsa 10 raste shkelje të lehta. Sa i përket nivelit komunal gjatë vitit 2018, ai tha se ka pasur 39 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit antikorrupsion.

"Në 31 raste janë përfshirë shkelje të rënda, ndërsa 8 raste kanë pasur shkelje të lehta. Vendim për ndërprerjen e punësimit si rezultat i shkeljeve të kryera, është marrë kundër 5 nëpunësve civilë", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat