Organizata “Ta pastrojmë Kosovën” jashtëligjshëm përfitoi 815 mijë euro

Kosova

Organizata “Ta pastrojmë Kosovën” jashtëligjshëm përfitoi 815 mijë euro

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 15:49
Pamje nga takimi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë kritikuar dhënien e 815 mijë euro organizatën e joqeveritare “Lets Do It Kosova”, pa procedura dhe standard të kërkuara.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2018, janë evidentuar disa parregullsi, ndër to është evidentuar projekti “Ta pastrojmë Kosovën”, punësime me marrëveshje për shërbime të veçanta, buxheti për grante dhe subvencione.

Kryesuesi i Komisionit, Driton Selmanaj, tha se deri në fund të vitit 2018 për organizatën “Lets Do It Kosova”, janë ndarë rreth 800 mijë euro dhe janë anashkaluar procedurat për financimin e OJQ-ve.

Selmanaj po ashtu tha se edhe më shqetësues është se për këtë organizatë parashihet po i njëjti veprim edhe në vitin 2019, me shumë të përafërt 800 mijë euro, që i bie se kjo organizatë do të përfitojë 1 milionë e 600 mijë euro.

Selmanaj: Janë anashkaluar procedurat për subvencionimin e OJQ-ve

“Ajo çka është me rëndësi është që për realizimin e këtij projekti janë anashkaluar procedurat për subvencionimin e OJQ-ve dhe sipas të gjeturave nga Zyra Kombëtare, parregullsitë për këtë projekt janë si në vijim: nuk ka kontratë në mes Zyrës së Kryeministrit dhe përfituesit të subvencionit OJQ-së “Ta pastrojmë Kosovën”, e cila në fakt do të përcaktonte përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve në realizmin e këtij projekti”, tha Selmanaj.

Ndër të tjera, Selmanaj tha se sipas raportit të ZKA-së, 32 mijë euro, janë ndarë për rivarrimin e heronjve pa kontrata. Ai tha se shqetësim mbetet se subvencionet dhe transferet me këtë legjislaturë janë rritur për mbi 3 milionë euro.

Sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Fitim Krasniqi tha se projekti “Ta pastrojmë Kosovën”, ka ndodhur në mënyrë të shpejtë për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe vendimi është marrë në mbledhje të Qeverisë.

Krasniqi tha se Zyra e Kryeministrit nuk është marrë me asnjë procedurë për bartjen e 815 mijë euro, sepse këtë e ka bërë Ministria e Ambientit dhe koordinator ka qenë ministri Fatmir Matoshi.

Krasniqi: Për kundër vullnetit tim, 815 mijë euro janë derdhur në Zyrën e Kryeministrit

“Sipas proces verbalit të mbledhjes së 62 të qeverisë ministri(Fatmir Matoshi), ka kërkuar që projekti në vlerë prej 850 mijë euro në bazë të kërkesës të kësaj organizatë të realizohet përmes kësaj organizatë për shkak të procedurave të stërzgjatura. Ky vendim ka kaluar me miratim të përgjithshëm pa asnjë votë kundër… Edhe për kundër vullnetit tim që këto mjete mos të derdhen në kuadër të zyrës së Kryeministrit pasi ne nuk kemi ndonjë kërkesë që është bërë nga ana e Zyrës së Kryeministrit ne kemi kërkuar edhe sqarime nga Ministria e Financave pse këto mjete duhet të derdhen në Zyrën e Kryeministrit”, deklaroi Krasniqi.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti tha se ky projekt është bërë pa asnjë procedurë dhe kjo është shqetësuese. Ai shtoi se duhet të ketë përgjegjësi për këtë shumë mjaft të larët rreth 1 milion euro.

Hoti: Përgjegjësia drejtpërdrejt e kryeministrit për ndarjen e mjeteve ‘Ta pastrojmë Kosovën’

“Vendimi është i drejtpërdrejt i Qeverisë për ndarjen e 815 mijë eurove jashtë procedurave, kjo duhet me na shqetësuar dhe ne duhet të shohim përgjegjësinë politike tek kryeministri dhe qeveria. Nuk kanë faj këta zyrtarë këtu, e kuptoj pozicionin e tyre”, deklaroi Hoti.

Edhe deputeti Mergim Lushtaku ka pasur vërejtje për procedurat e këtij projekti i cili vlerësoi se nuk është praktikë e mirë të përfitojë një organizatë kaq shumë mjete siç është ‘Let’s Do it Kosova’.

Lushtaku: Ndaraja e 815 mijë eurove praktikë jo e mirë

“Jo të mbështet vetëm një OJQ e caktuar, sigurisht që ky është vendim i Qeverisë, nuk ka ndonjë planifikim në baza të buxhetit të Kosovës, kjo nuk është praktikë e mirë që kjo të ndodhë”, deklaroi Lushtaku.

Ndryshe, drejtor i OJQ “Ta pastrojmë Kosovën (Let’s Do it Kosova)” është Luan Hasanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat