Laborantët akuzojnë Doganën për kontroll jocilësor të derivateve

Kosova

Laborantët akuzojnë Doganën për kontroll jocilësor të derivateve

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 22:14
Foto ilustrim

Deri në 100 autocisterna me derivate të naftës vetëm brenda ditës, futen në Kosovë, ndërsa sasia e importit të tyre brenda vitit arrin në 700 milionë litra.

Por, jo e gjithë kjo sasi e karburanteve arrin të verifikohet nga Dogana e Kosovës dhe për këtë shkak cilësia e naftës nuk është e mirë.

Këto shqetësime i ka ngritur njëri prej dy laboratorëve që janë të akredituar dhe autorizuar nga shteti që ta bëjnë një gjë të tillë, raporton ktv.

Zyrtarë të këtyre laboratorëve thonë se laboratori i Doganës nuk servisohet dhe mirëmbahet, për çka edhe nuk është edhe i akredituar.

Laborantët e verifikimit të naftës po kërkojnë që kontrolli i cilësisë së naftës t’u kalojë atyre, kompetencë kjo që u ishte marrë dhe i ishte bartur Doganës.

Thonë se Udhëzimi Administrativ pritet të ndryshohet dhe me këtë rast ata kërkojnë që me këto ndryshime, kompetencat t’u kthehen atyre pasi janë akredituar për ta bërë një gjë të tillë.

Por, në Doganë thonë se shumë herë pas analizave, kanë kthyer mbrapa derivate të ndryshme dhe kjo, sipas tyre, tregon se aty bëhet verifikim i duhur.

Në kohën sa ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kishte hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ për verifikimin e karburanteve, i cili kompetencat për këtë proces, ia kishte bartur Doganës.

“Kohavisioni” ka pyetur edhe Ministrinë e Tregtisë lidhur me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje për televizionin.

Vetë ministri Endrit Shala në fillim të mandatit kishte deklaruar se prioritet i tij do të jetë rregullimi i cilësisë së karburanteve në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat