Të dënuarit me 30 vite burg për vrasje kërkojnë sërish rigjykim - Bota Sot
Të dënuarit me 30 vite burg për vrasje kërkojnë sërish rigjykim

Kosova

Të dënuarit me 30 vite burg për vrasje kërkojnë sërish rigjykim

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 16:48
Të akuzuarit Tasim dhe Nasip Zhuniqi po kërkojnë që rasti të kthehet sërish në rigjykim në shkallë të parë.

Të dënuar me mbi 30 vjet burgim, pasi që ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Nuredin Kastratit, të akuzuarit Tasim dhe Nasip Zhuniqi po kërkojnë që rasti të kthehet sërish në rigjykim në shkallë të parë.

Një kërkesë të tillë, dy të akuzuarit ia paraqitën të premten, Gjykatës së Apelit, përmes mbrojtësve të tyre, Myrvete Çollaku dhe Kosovare Kelmendi.

E si mundësi tjetër, avokatet e të akuzuarve i kanë propozuar Apelit që të ndryshon aktgjykimin e Themelores dhe të mbrojturve të tyre t’u shqiptohen dënime më të buta, se sa u kishte shqiptuar gjykata e shkallës së parë.

Ndryshimin e aktgjykimit të Themelores, por me propozim që të akuzuarve tu rriten dënimet, po kërkon nga Apeli edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Miftar Çelaj.

Këto ankesa të palëve u shqyrtuan të premten nga një kolegj i Gjykatës së Apelit në përbërje nga gjykatësit, Xhevdet Abazi, Abdullah Ahmeti dhe Kreshnik Radoniqi.

Tasim dhe Nasip Zhuniqi akuzohen se në vitin 2016, në magjistralen Prizren – Gjakovë, e kishin privuar nga jeta, Nuredin Kastratin.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 18 qershor 2019, i kishte shpallur fajtorë për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Tasim dhe Nasip Zhuniqi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Nikollë Komani, Tasim Zhuniqi ishte dënuar me 18 vjet burgim unik, ndërsa i akuzuari tjetër Nasip Zhuniqi ishte dënuar me 16 vjet burgim unik.

Lidhur me këtë vrasje, Gjykata Themelore në Gjakovë, edhe në mars të vitit 2018, i kishte shpallur fajtorë, Tasim dhe Nasip Zhuniqin ashtu që Tasim Zhuniqi ishte dënuar më 16 vjet burgim unik, kurse Nasip Zhuniqi ishte dënuar me një vit më pak, përkatësisht, me 15 vjet burgim unik.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më pas, e kishte kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje, me arsyetimin se shkalla e pare kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

E të pakënaqur edhe pas rritjes së dënimeve ndaj të akuzuarve në rigjykim, pala e dëmtuar përmes avokatit Miftar Çelaj është ankuar në Apel, nga e cila po kërkon që këto dënime të rriten edhe më shumë.

Sipas ankesës së ushtruar në gjykatën e shkallën e së dytë, pala e dëmtuar po pretendon se nuk janë marr parasysh disa rrethana rënduese me rastin e shpalljes së dënimeve ndaj të akuzuarve, rrethana këto, që sipas të dëmtuarve do të bënin që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të larta.

Këto rrethana, që janë theksuar në ankesën e palës së dëmtuar, janë mënyra e kryerjes së veprës penale, fakti që të akuzuarit i ishin vënë pas me veturë tashmë të ndjerit Kastrati si dhe në këtë proces kishin shkaktuar aksident, duke rrezikuar edhe pjesëmarrësit tjerë, pastaj, rrethanë tjetër që është përmendur është fakti që sipas të dëmtuarve, motivi ka qenë shumë i ulët pasi është bërë fjalë për hakmarrje.

Të gjitha këto rrethana, sipas avokatit Çelaj, do duhej të bënin që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime që janë në proporcion me veprën penale.

Ankesën e palës së dëmtuar e ka përkrahur edhe Prokuroria e Apelit, e cila përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që t’ua rrit dënimet të akuzuarve, kurse të refuzojë ankesat e mbrojtësve të tyre.

Në anën tjetër, avokatet e të akuzuarve, po kërkojnë që ky aktgjykim i Themelores të anulohet ose çështja të kthehet edhe njëherë në rigjykim, apo që klientët e tyre të shpallen fajtorë për vepra më të buta dhe rrjedhimisht edhe dënimet tu zbriten.

Myrvete Çollaku, avokate mbrojtëse e të akuzuarit Tasim Zhuniqi, tha se i mbrojturi i saj duhet të dënohet për veprën penale të vrasjes, e jo të vrasjes së rëndë dhe për këtë vepër, sipas saj, pastaj t’i shqiptohet një dënim më i butë.

“Kërkesë e imja e vetme është që të kryhet detyra ligjore pasi që gjatë vendosjes së aktgjykimit shkalla e parë nuk e ka kryer atë detyrë”, tha avokatja në fjalën e saj.

Madje, kjo e fundit tha se një pjesë të konsiderueshme të fajit për rastin e ndodhur e ka edhe vet i ndjeri, Nuredin Kastrati.

“I ndjeri, ndjesë pastë, ia ka bo 80 % të hyzmetit vrasjes”, tha Collaku.

E lirimin nga akuza për vrasje dhe shpallje fajtor eventualisht për veprën penale të shkaktimit të rrezikimit të përgjithshëm, i propozoi Apelit, mbrojtësja e Nasip Zhuniqit, avokatja Kosovare Kelmendi.

“Merrni kqyrni udhëzimet që Apeli i ka dhënë në vendim, Apeli e ka udhëzuar shkallën e parë se në veprimet e të akuzuarit nuk bëhet fjalë për vrasje në bashkëkryerje, por ka elemente të veprave penale për secilin veç e veç. Në veprimet e Nasip Zhuniqit, nuk ka elemente të vrasjes”, deklaroi Kelmendi.

Ajo e kontestoi edhe dëshminë e dhënë nga pala e dëmtuar, Blerim Kastrati, për të cilin tha se ka dhënë katër deklarata për rastin, e që të gjitha ato janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën.

Siç tha Kelmendi, i dëmtuari njëherë gjatë gjykimit të parë kishte thënë se e kishte parë se Nasipi kishte shtënë me armë, me ç’rast e kishte goditur në gisht vëllain e tij, tani të ndjerin, ndërsa pas rigjykimit, sipa saj, e kishte ndërruar deklaratën dhe kishte thënë se e ka parë që e ka goditur në kokë.

Kelmendi tha se edhe vendi i ngjarjes, sipas policisë, kishte qenë i kontaminuar pasi ishin larguar disa prova, ndërsa disa tjera u ishte ndërruar vendi.

“Edhe njëherë nëse nuk doni të vendosni in meritum, kthene në rigjykim dhe lirone nga paraburgimi”, tha Kelmendi.

Ndryshe, Tasim dhe Nasip Zhuniqi, akuzohen se me 26 mars 2016, rreth orës 16:00, në magjistralen Prizren-Gjakovë, në bashkëveprim kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Nuredin Kastrati nga Prizreni.

Me këtë veprim, në aktakuzën që e ka përpiluar prokurori Ali Uka, të njëjtit akuzohen për veprën penale “vrasje e rendë” nga neni 179, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkaq, të akuzuarit përmes mjeteve me të cilat kanë kryer veprën penale të vrasjes, u ngarkohet edhe akuza për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 të KPRK-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...