Vetëvendosje në Drenas: 126 e largon mjegullën, sepse erdhi Dita

Kosova

Vetëvendosje në Drenas: 126 e largon mjegullën, sepse erdhi Dita

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 21:06
Albin Kurti

Në Drenasin e dëshmorëve e luftëtarëve Vetëvendosje mbajti tubimin e radhës.

Në fjalën e tij, kandidati nga Drenasi dhe ish gjenerali i FSK-së, Enver Dugolli, theksoi se është në të njëjtën lëvizje, qysh prej vitit 1981 kur ka nisur angazhimin për çështjen kombëtare, e deri sot në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Me të njëjtën dëshirë për ta bërë shoqërinë dhe vendin të lirë, për ta bërë Kosovën të zhvilluar e të drejtë.

Ndërsa kandidatja dhe nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, tregoi gjendjen e rëndë në shëndetësi dhe zotimin e Lëvizjes se, “se do të kemi një shëndetësi me qendër pacientin, se do të garantojmë sigurim shëndetësor universal dhe një sistem të unifikuar për sëmundjet kronike dhe onkologjike”.

Image

Kandidati Xhelal Sveçla bëri thirrje për t’u bashkuar në 6 tetor sepse, “bashkë bëhemi në spital kur jemi apo kemi dikë sëmurë, bashkë presim para bankave për pensione të ulëta e kredi me kamata të larta, bashkë në shkolla, bashkë po hamë ushqime të skaduara e bashkë po thithim ajrin e ndotur”. Mirëpo, situata po ndryshon. “Siç thotë populli, ujku do mjegull, por mjegull s’ka më sepse erdhi dita. Erdhi dita kur edhe një fëmijë do ta dallojë të mirën nga e keqja”, tha në përfundim aktivisti i hershëm Sveçla.

Kandidati për deputet Rexhep Selimi kujtoi se, “për 20 vite vetëm i kanë marrë Drenicës dhe nuk i kanë dhënë asgjë, vetëm i kanë marrë familjeve të dëshmorëve dhe nuk i dhanë asgjë”. Ish komandanti i UÇK-së u bëri thirrje drenicakëve të çohen sepse nuk ka më bastione që e ndalojnë fitoren e Lëvizjes dhe se Drenica nuk është pronë e PDK-së por vatër e Adem Jasharit dhe e të gjithë dëshmorëve të tjerë të rënë për liri.

Në fjalën përmbyllëse, Albin Kurti tregoi se Drenasi dhe Skënderaj janë komunat me skemat më të mëdha sociale në Kosovë dhe se varfëria nuk luftohet vetëm me skema sociale, por me zhvillim e punësim. Edukimi është qendror në suksesin dhe progresin e secilit. “Prandaj ne me qeverisjen tonë do të ndajmë 160 milion euro investime në arsim për mandatin tonë 4 vjeçar”, u zotua aktivisti i parë i Lëvizjes.

Fitorja e qeverisë Kurti është fitorja e arsimit me cilësi, tokës me bujqësi, gjykatave me drejtësi, punëtorit me barazi, shëndetësi me mjekësi dhe bankave për zhvillim. E vota për këtë fitore, mban numrin 126.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat