‘Rruga e vdekjes’, 3 të vdekur për pak ditë nga aksidentet në rrugën Prishtinë – Podujevë – rrezik shfaqin edhe punimet - Bota Sot
‘Rruga e vdekjes’, 3 të vdekur për pak ditë nga aksidentet në rrugën Prishtinë – Podujevë – rrezik shfaqin edhe punimet

Kosova

‘Rruga e vdekjes’, 3 të vdekur për pak ditë nga aksidentet në rrugën Prishtinë – Podujevë – rrezik shfaqin edhe punimet

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 15:00
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me 2523 viktima e gjeti Kosovën që nga paslufta Dita Botërore e Viktimave në trafikun rrugor. Mbi 97 viktima vetëm brenda këtij viti. Këto të dhëna janë publikuar nga Policia e Kosovës në kuadër të shënimit të kësaj dite.

Fatkeqësisht, këtij numri i ka kontribuuar edhe rruga nacionale Prishtinë – Podujevë. Nuk janë të pakta aksidentet që ndodhin në këtë magjistrale, e po ashtu as numri i atyre që përfundojnë me fatalitet. Tashmë kjo magjistrale edhe e ka marrë epitetin si “rruga e vdekjes”, për shkak të numrit të madh të aksidenteve që janë shkaktuar vit pas viti.

Vetëm brenda kësaj jave, tre persona kanë mbetur të vdekur nga aksidentet, teksa pati numër të lartë i të lënduarve. Dy këmbësorë vdiqën pasi u goditën me veturë një te “Qershiat e Llapashticës”, e një në Siboc. Kurse, një tjetër ndërroi jetë nga një përplasje makinash në fshatin Lluzhan. Dy shoferë u arrestuan, e shkaktarë po dyshohet të jetë shpejtësia dhe tejkalimi. Rastet i konfirmoi edhe Policia e Kosovës.

Avni Islami, ekspert i sigurisë ka thënë se edhe përkundër që nuk jemi në sezonin e verës kur ka më shumë automjete në frekuentim të kësaj rruge, numri aktual i aksidenteve është tejet i madh.

“Magjistralja e cila lidh Podujevën me Prishtinën që konsiderohet si rrugë nacionale, ngase lidhet edhe me Serbinë dhe është rrugë kryesore si arterie që funksionin në regjistër. Kjo rrugë tashmë po quhet “rruga e vdekjes”, për shkak se duke i parë statistikat e përgjithshme në nivel vendi duket se rruga Podujevë – Prishtinë është e stërngarkuar dhe shkalla e aksidenteve dhe vdekshmërisë është jashtëzakonisht e lartë. Janë disa faktorë të cilët kanë ndikuar dhe po ndikojnë që vazhdimësi të kemi aksidente me fatalitet, duke i marrë jetën edhe njerëzve. Vetëm në periudhën e verës kur kemi bashkatdhetarë ku edhe rritet numri i aksidenteve, tashmë shumë prej tyre kemi në këtë kohë kur s’ka numër ta madh të frekuentuesve”, ka potencuar Islami.

Përveç kësaj, ai ka thënë se rreziku në këtë pjesë u rrit dukshëm edhe me fillimin e punimeve në zgjerimin e kësaj rruge. Sipas tij, kompania e kontraktuar dhe Ministria e Infrastrukturës s’i kanë kryer punët siç duhet, edhe pse të njëjtat kanë më shumë se katër vjet prejse kanë filluar. Ai ka kërkuar që të hetohen përgjegjësit që nuk i kanë kryer punët.

“Gjendja katastrofale Podujevë – Prishtinë e cila s’mirëmbahet dhe pjesa afër qytetit kanë mbetur gërmadha dhe s’është ndërtuar siç duhet. Kjo, për shkak se kompania në fjalë pas fillimit të punimeve në rrugë me dy korsi, ka lënë në gjysmë dhe ajo që vlen të cekët se automjetet të cilat janë në lëvizje në këtë rrugë ka prerje të asfaltit që kalon prej dy shiritave në anën e kundërt të rrugës. Ndër shkaktarët është edhe Ministria përkatëse e cila ka nisur punimet…”, thotë ai.

“Faktori kryesor është faktori njeri, i cili nuk e përshtat shpejtësinë e automjetit në kushtet dhe rrethanat e rrugës. Vetëm në një udhëtim në këtë magjistrale vëren shoferë të papërgjegjshëm që bëjnë tejkalime e anashkalime pa shenjëzim dhe me shpejtësi marramendëse. Kjo shkakton aksidente, e në të shumtën e rasteve po humbin jetën njerëzit që vozitin me shpejtësi normale. Përveç faktorit njeri, është edhe Ministria e Infrastrukturës e cila është përgjegjëse për vdekjen e qytetarëve në këtë rrugë, pa shenja të komunikacionit, punime të pista e pa kriter. Është mundësi reale që prokurori i shtetit të filloi hetimet dhe t’i ndjek e t’i arrestoi të gjitha ata që janë përgjegjës se pse rruga Podujevë- Prishtinë është në gjendje katastrofale ”, vazhdon Islami.

Tutje, Islami duke folur për shkaqet nga të cilat po ndodhin aksidentet, ka apeluar që të rritet kujdesi te të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

“Andaj, të gjithë vozitësit me një kujdes të shtuar pavarësisht shenjave në komunikacion ta përshtatin shpejtësinë dhe t’u përgjigjen kushteve qoftë ato rrugore apo atmosferike. Mendoj, është provuar edhe rritja e numrit të policëve dhe shqiptimi i gjobave është një numër i madh i tyre, por mendoj që s’ka funksionuar. Qëllimi kryesor është vetëdijesimi dhe emancipimi i vozitësve”, ka përfunduar Islami.

Për dalim nga viti i kaluar, sivjet numri i viktimave në rajonin e Llapit është më i madh. Në vitin 2018, tre përfunduan me fatalitet në këtë komunë, nga 292 aksidente gjithsej të regjistruara.

Ndërkaq, në nivel vendi numri i të vdekurve sivjet është më i ulët në krahasim me vitin 2018. Kështu ka thënë Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Trafikut rrugor në Kosovë në Policinë e Kosovës, në tryezën e mbajtur për Ditën Botërore të Viktimave të trafikut.

Avdyl Imeri, drejtor i Departamentit të menaxhimit të rrugëve tha se mos vendosja e rripit të sigurisë dhe ngasja pa kontroll po shkakton shumë vdekje në aksidentet e trafikut.

Sami Mazreku, përfaqësues i Shoqatës së Sigurimeve në Kosovë, në tryezë shtoi se shqetësimi i tyre është numri i madh i automjeteve të cilat janë të pasiguruara.

Duhet përkujtuar se Policia e Kosovës vazhdon të apelojë te të gjithë që të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi gjatë pjesëmarrjes në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, kërkohet që të respektohen të gjitha rregullat që dalin nga Ligji mbi Trafikun Rrugor për të garantuar një siguri më të madhe dhe për shmangien e aksidenteve nëpër rrugë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat