Drenasi shënon 111-vjetorin e Kongresit të Manastirit me Akademi Solemne

Kosova

Drenasi shënon 111-vjetorin e Kongresit të Manastirit me Akademi Solemne

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 23:06
Foto nga vendi i ngjarjes

Me rastin e 111-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në Sallën e Kulturës në Drenas, u  mbajt një Akademi Solemne e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Drenasit.

Në këtë Akademi morën pjesë, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu, të ftuar dhe shumë qytetarë, mësimdhënës e nxënës.

Fjalën e hapjes e mbajti nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi, i cili ndër të tjera tha  se  përkujtimi i ngjarjeve më të rëndësishme e më të ndritshme kulturore të popullit tonë është i domosdoshëm sepse në këtë mënyrë ne drejtohemi kah njohja e vlerave dhe respektimi i tyre.  Më tej shtoi se “jemi të lumtur dhe krenarë se me alfabetin e Manastirit janë botuar kryevepra me vlera kombëtare por edhe ndërkombëtare”.

Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport u shpreh se  shkronjat jo latine  nuk ishin të përshtatshme për kultivimin e gjuhës shqipe dhe bashkimit gjuhësor kombëtar.

Në kumtesën me  titull “Historiku i Kongresit të Manastirit“, profesor Bedri Tahiri pasi i bëri një përmbledhje  të rrugëtimit historik  të shkrimeve shqipe drejt një alfabeti të njësuar tha se ky Kongres pati një rëndësi për mbarë kulturën  kombëtarë shqiptare. Kongresi i Manastirit  u dha shqiptarëve një alfabet latin  dhe i drejtoi  ata nga perëndimi  duke i larguar nga kthetrat e armiqve dhe fqinjëve lakmitarë. Gjuha shërbeu si mjet për formësimin kombëtar.

Dr. Bashkim Musliu  në kumtesën me titull  “Rëndësia e Kongresit të Manastirit “, ndër të tjera tha se fati ynë  ishte që të vdesim jo vetëm për tokën tonë por edhe për shkronjat tona. Kongresi i Manastirit ka rëndësi kulturore e arsimore, politike dhe kombëtare. Kongresi i Alfabetit ishte kundërvënie ndaj asimilimit  dhe shkombëtarizimit  dhe parapërgatitje për mbrojtje nga  rreziku i copëzimit  të trojeve shqiptare.

Akademia Solemne u përmbyll me një program artistik,  me recital nga nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Drenasi, dhe me këngë  e valle nga shoqëria “Shotë Galica”  nga Drenasi dhe “Shqipet e Drenicës” nga Komorani.

Kongresi i  Manastirit, i cili kishte për qëllim unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe  mblodhi në mes datave  14 nëntor  deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në dia​sporë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat