Në fillim të vitit 2020 rrezikohet të mbyllen qendrat mësimore për RAE

Kosova

Në fillim të vitit 2020 rrezikohet të mbyllen qendrat mësimore për RAE

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 11:52
Ilustrim

Fillimi i vitit 2020 rrezikon t’i gjejë të mbyllura qendrat mësimore në të cilat tash e 12 vite kanë mësuar fëmijë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Vendi i cili ishte bërë shtëpi e dytë për këta fëmijë, deri më tani është përkrahur dhe financuar nga donatorë të ndryshëm si Bashkimi Evropian.

Këta të fundit tashmë po kërkojnë financimin nga institucionet e Kosovës, meqë është aprovuar edhe udhëzimi administrativ për financim institucional të këtyre qendrave. Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte ndarë 500 mijë euro, por në vijë të gabuar. Mjetet ishin destinuar për investime kapitale dhe të njëjtat mund të përdoren vetëm për ndërtime apo blerje, e jo për paga.

Më shumë se një dekadë, organizata Ballkan SunFlowers ka gjashtë qendra në katër komuna të Kosovës. Me qindra fëmijë të komunitet romë, ashkalinj dhe egjiptian kanë vijuar mësimin plotësues në këto qendra.

Medina Krasniqi deklaron për KosovaPress se ka tre vjet që vjen pas shkollës në këtë qendër në Fushë Kosovë. Aty e ndihmojnë që t’i kryejë të gjithë detyrat e shtëpisë.

Krasniqi: Që tri vjet vij në këtë qendër

(Video) 

“Jam në klasën e dytë, vij që tri vjet në këtë qendër, kam qenë edhe parashkollorë... alfabetin, i bëjmë detyrat... nuk kam qejf me u mbyll kjo qendër se unë mësoj gjëra të reja”, tregon ajo.

Nëna e Medinës, Shpresa çdo ditë pas shkollës e sjell atë në këtë qendër mësimore në Fushë Kosovë, ajo shpreh shqetësimin se me mbylljen e kësaj qendre, nuk do të ketë kush t’i ndihmojë vajzës së saj me detyrat e shtëpisë.

Krasniqi: Nuk kom qejf me u mbyll qendra 

“Unë shkollë nuk kom, burri shkollë nuk ka, unë këtu e mësoj, nuk kom qejf me u mbyll qendra. Qitu më shumë e kanë mësuar, edhe në shkollë të madhe, por si këtu jo... nëse mbyllet vallahi keq po na vjen, se nuk ka kush ma mëson çikën”, tregon Shpresa Krasniqi.

Armira Azemi, e cila tash vullnetarisht merret me fëmijët në këtë qendër, dikur si katërvjeçare kishte vijuar mësimin plotësues këtu. Ajo thotë për KosovaPress se i kishte ndihmuar shumë, derisa tregon se pas klasës së gjashtë, kishte përsëritur vitin në shkollën ku po vijonte mësimin.

Azemi: Në shtëpi nuk ka pasur se kush të më ndihmojë me detyra 

“Deri në klasën e gjashtë gjithmonë ka pasur dikush që më ka ndihmuar për detyra, kam arritur t’i realizoj detyrat saktë sepse ka pas kush të më ndihmojë. Në shtëpi nuk ka pasur kush të më ndihmojë sepse babai në punë e të tjerët nuk kanë pasur mundësi... Deri në klasën e gjashtë kam pasur sukses, kam qenë e shkëlqyeshme e suksesshme në shkollë. Në klasë të gjashtë fillova kam rënë në mësime se nuk e kam frekuentuar me rregull, në klasën e shtatë e kam humbur vitin, por qendra Ballkan SunFlowers më kanë ndihmuar shumë që t’i kthehem shkollës prapë”, rrëfen ajo.

Armira tashmë është në shkollë të mesme dhe punon vullnetarisht në këtë qendër. Nëse mbyllen, ajo thotë se të gjithë fëmijët do të pësojnë si ajo, me përsëritjen e vitit, për shkak se nuk do të ketë kush t’iu ndihmojë për detyra.

Në vitin 2007, Ballkan SunFlowers ka filluar me rrjetin e Qendrave Mësimore për romë, ashkalinj dhe egjiptian.

Muhamet Arifi, drejtor i Qendrave Mësimore, i tha KosovaPress-it se në nëntor të vitit 2018 ishte aprovuar një udhëzim administrativ për themelimin dhe funksionimin e qendrave mësimore, ku specifikohet se Ministria e Arsimit dhe komunat duhet të japin mjete financiare.

Donatorët, sipas tij, duke parë kornizën ligjore kanë filluar të tërhiqen nga financimi i këtyre qendrave dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës të mbështesin këto programe.

Arifi: 500 mijë euro janë ndarë në vijë të gabueshme

“Këto 500 mijë euro kanë hyrë në vijë të gabueshme, në investime kapitale dhe ato mjete financiare mund të përdoren vetëm për ndërtime apo blerje, e jo për paga që neve na nevojiten . E këtë e kemi kuptuar në muajin e shtatë apo tetë, tash nuk e di a është ky gabim i qëllimshëm, i paqëllimshëm apo është neglizhencë e punëtorëve. Duke marrë parasysh që qeveria u dorëhoq tash nuk ka mundësi teknike dhe logjike që këto 500 mijë euro të rialokohen diku tjetër, nuk ka mundësi që këto mjete të jepen tek shoqëria civile. Kështu që është mëkat që për neglizhencë të dikujt këto 500 mijë euro po humbin, po kthehen mbrapa në qeveri, e qendrat mësimore në janar ekziston rreziku i madh që me u mbyll për shkak të mjeteve financiare”, thotë ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk po i sheh me prioritet këto tri komunitete, me mbylljen e këtyre qendrave mësimore ai shpreh shqetësimin se do të rritet numri i rasteve të braktisjes së shkollave.

Arifi: Braktisja nga shkolla do të jetë e madhe

“Nëse qendra në Fushë Kosovë, Graqanicë, Plemetin janë rrezik në mbyllje, atëherë rreziku për braktisje nga shkolla, migrimi i stafit dhe fëmijëve është shumë i madh. Çfarë do të ndodhë nuk e di, nëse vjen donatori i jashtëm në këtë rast apo qeveria në mënyrë urgjente, ndan mjetet financiare specifike për këto qendra mësimore, mundet me u zgjidh e të kalohet kriza”, tregon ai.

Për 12 vite sa funksionojnë këto qendra, Arifi thotë se Komuna e Fushë Kosovës u ka ndarë vetëm njëmijë euro, ani pse në këtë komunë janë rreth 12% banorë të tri komuniteteve.

Krahas kësaj, për KosovaPress, drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani thotë se këto qendra mësimore kanë dhënë kontributin e tyre për edukimin e fëmijëve të këtyre tri komuniteteve. Megjithatë thotë se kjo çështje i takon Qeverisë së Kosovës.

Shabani: Është çështje e Qeverisë së Kosovës

“Por, sa i përket ndihmave më tepër kujtoj që është çështje e Qeverisë, mendoj që në këtë aspekt duhet të ndihmojë Qeveria. Sepse është një problem që i takon edhe qeverisë të merret me çështjen e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Ne si komunë do të mundohemi t’ju ndihmojmë jo në një masë të madhe sepse subvencionet që i ka komuna kryesisht i ka për ndihma të studentëve, nxënësve në nevojë, me aftësi të kufizuara, kryesisht për këtë qëllim i ndajmë mjetet”, deklaron ai.

Që nga shtatori ka filluar ulja e numrit të stafit, e po ashtu edhe një qendër në Fushë Kosovë është mbyllur, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ajo tashmë është kthyer në një vend për hedhje të mbeturinave.

Sipas Muhamet Arifit, Ministria e Arsimit në një takim u kishte thënë që do të kërkonin nga ajo e Financave, rialokimin e mjeteve, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

KosovaPress ka kërkuar përgjigje nga këto të dy institucione, derisa MAShT, nuk i është përgjigjur pyetjeve të redaksisë, Ministria e Financave ia ka hedhur përgjegjësitë kësaj të fundit.

E, derisa këto dy dikastere të marrin përgjegjësitë që kanë, Medina Krasniqi e shumë fëmijë të tjerë të tri komuniteteve, rrezikohet t’u mbyllen këto qendra me mësim plotësues, qysh në fillim të vitit të ardhshëm./Sh.Pajaziti/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat